Tentativa vrasjes ndaj presidentit në Darkën e Korrespondentëve, atentatori rrezikon burgim të përjetshëm
Cole Thomas Allen, personi që hapi zjarr gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të mbajtur të shtunën mbrëma, ku i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, është paraqitur përpara gjykatës federale në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët amerikanë e kanë akuzuar zyrtarisht Allen për tentativë vrasjeje të presidentit të SHBA-së, një vepër e rëndë federale që mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Sipas dokumenteve të gjykatës, ai aktualisht ndodhet në paraburgim dhe në seancën e parë nuk ka dhënë asnjë deklaratë mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.
Seanca për konfirmimin e arrestimit është caktuar për të enjten, ndërsa seanca paraprake pritet të zhvillohet më 11 maj, ku prokuroria dhe mbrojtja do të paraqesin provat dhe argumentet fillestare të çështjes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në administratën amerikane. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka bërë thirrje për rishikim të masave të sigurisë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Shërbimit Sekret.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se projektet infrastrukturore në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë edhe sallën e re të vallëzimit, kanë një rol më të gjerë sesa vetëm përdorimi ceremonial, duke kontribuar edhe në forcimin e sigurisë së rezidencës presidenciale.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet federale nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi motivet e sulmit apo mënyrën se si autori arriti të ndërmarrë veprimin në një event të siguruar.
