Dosja ‘Balluku’/ Sekuestrohen celularë e dokumente
Dosja ‘Balluku’/ Sekuestrohen celularë e dokumente
SPAK ka urdhëruar kontrolle të reja lidhur me hetimet për dosjen e Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin e Llogarasë dhe është nën hetim për shkeljet me 7 lotet e Unazës së Madhe. Burime për Report Tv bëjnë me dije se me vendim të gjyqtarit të hetimeve paraprake Erion Çela, janë miratuar të paktën 15 kontrolle, përfshirë edhe tek familjarë të ish-numrit 2 të qeverisë.
Mësohet se është ushtruar kontroll në banesën e Mired Recit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, por edhe personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë. Mired Reci rezulton ortak me 50% në shoqërinë XL Market (aktualisht me status të pezulluar në QKB), ndërsa 50% të aksioneve i zotëron Meland Qirko, kunati i ish-zv.kryeministres Balluku. Po ashtu, ata rezultojnë bashkëpronarë edhe në një tjetër shoqëri, Hippo Tregu Elektrik, sërish me status të pezulluar në QKB.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar celularë dhe dokumente me vlerë për hetimin, ndërsa mësohet se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar edhe informacion jashtë vendit, përmes letërporosive. SPAK ka ushtruar disa herë kontrolle për hetimet për dosjen Balluku, përfshirë edhe në janar dhe në dhjetor, te kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtonte Belinda Balluku.
