Nick Lachey dhe Jessica Simpson përballen sërish pas 20 vitesh: Çfarë ndodhi në avionin drejt Hawaiit?
Pas gati dy dekadash nga divorci i tyre shumë i komentuar, Nick Lachey ka treguar për herë të parë detaje nga takimi i papritur me ish-bashkëshorten e tij, Jessica Simpson, gjatë një fluturimi drejt Hawaiit.
I ftuar në emisionin Watch What Happens Live with Andy Cohen, këngëtari konfirmoi se ai dhe Jessica ndodheshin në të njëjtin avion bashkë me familjet e tyre, duke kaluar rreth gjashtë orë e gjysmë “në të njëjtën atmosferë”.
“Ka kaluar pothuajse 20 vite që kur nuk ishim parë dhe gjithçka ishte çuditërisht në rregull,” u shpreh Nick, duke shtuar se situata ishte shumë korrekte dhe pa tensione. Sipas tij, të gjithë u treguan të sjellshëm dhe respektues ndaj njëri-tjetrit.
Në avion ndodhej edhe bashkëshortja aktuale e Nick-ut, Vanessa Lachey, ndërsa Jessica udhëtonte me nënën e saj. Ish-bashkëshorti i këngëtares, Eric Johnson, dhe fëmijët e tyre raportohet se ishin ulur në një pjesë tjetër të avionit.
Burime pranë çiftit kishin zbuluar më herët se mes tyre kishte pasur një bisedë miqësore dhe shumë civile gjatë fluturimit.
Nick dhe Jessica ishin të martuar nga viti 2002 deri në 2006 dhe u kthyen në një nga çiftet më të famshëm të televizionit falë reality show-t Newlyweds: Nick and Jessica. Edhe pse historia e tyre përfundoi vite më parë, duket se sot raporti mes tyre është lënë pas me qetësi dhe respekt.
