PLAS SKANDALI/ Drejtori Erind Çela dhe Seyhan Pencabligil te BKT bllokojnë pagat e gazetarëve
PLAS SKANDALI/Drejtori Erind Çela dhe Seyhan Pencabligil te BKT bllokojnë pagat e gazetarëve
Tiranë – Një konflikt i fortë institucional ka shpërthyer mes drejtuesve të gazetës “Kushtrim Brezash” dhe drejtuesve të një dege të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), ndërsa gazetarët pretendojnë se prej më shumë se një muaji kanë mbetur pa paga pas bllokimit të llogarisë bankare të organizatës që financon aktivitetin e tyre.
Në një letër drejtuar drejtuesve të BKT-së dhe institucioneve shtetërore, kryeredaktori i gazetës “Kushtrim Brezash”, Albert Zholi, ngre akuza të forta për atë që e cilëson një “bllokim arbitrar” të llogarisë së Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Nacionalçlirimtare (OVP e LANÇ-it), duke pretenduar se ky veprim ka paralizuar aktivitetin financiar dhe botimin e gazetës.
Sipas letrës, situata ka sjellë pasoja të menjëhershme: mosshlyerjen e pagave të gazetarëve, ndërprerjen e pagesave të sigurimeve dhe detyrimeve financiare, si dhe pezullimin e botimit të gazetës për mijëra abonentë.
“Nuk mund të lëmë fëmijët e gazetarëve pa bukë. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbatim të ligjit”, thuhet në reagimin e dërguar nga drejtuesit e gazetës.
Pretendimet e ngritura lidhen me mënyrën se si është ndërmarrë bllokimi i llogarisë, ku drejtuesit e gazetës shprehen se veprimi është bërë pas një ankese të paraqitur, sipas tyre, nga një person që nuk ka tagër ligjor përfaqësimi në organizatë. Ata kërkojnë verifikim institucional dhe zhbllokim urgjent të fondit për të mundësuar pagesën e stafit.
Nga ana tjetër, deri tani nuk ka një reagim publik nga drejtuesit e BKT-së apo institucioneve të përmendura lidhur me këto pretendime.
Çështja pritet të marrë zhvillime të tjera, ndërsa gazetarët paralajmërojnë se, në mungesë të një zgjidhjeje, mund të ndjekin rrugë ligjore dhe forma të tjera proteste për mbrojtjen e të drejtave të tyre ekonomike.
Reagimi i plote i UGSH:
Leter prane UGSH nga kryeredaktori i “ Kushtrim Brezash”:
Drejtor, Erind Çela i BKT-së, bllokon arbitrarisht rrogat e gazetarëve të “Kushtrim Brezash”
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
ORGANIZATA E VETERANËVE DHE PASARDHËSVE TË LUFTËS NACIONALÇLIRIMTARE
(OVP e LANÇ-it)
Tiranë
Drejtuar:
Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)
Z. Seyhan Pencablıgil
Tiranë
Për dijeni:
Z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë-Tiranë
Lidhja e Gazetarëve Ndërkombëtarë-Bruksel
Lënda: Kërkesë për zhbllokimin urgjent të llogarisë bankare të OVP të LANÇ-it për marrjen e rrogave nga gazetarët
I nderuar Z. Drejtor,
Po ju shkruajmë si staf gazete për herë të dytë, në pritje të përgjigjes së parë. Me Vendimin nr. 1549, datë 14.12.2005, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar si organizatë jofitimprurëse Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Nacionalçlirimtare (OVP e LANÇ-it), me seli në Tiranë, rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
Pranë bankës suaj janë depozituar si firmë e parë e autorizuar z. V. M, dhe si firmë e dytë z. J. H, Shef Finance. Këta përfaqësues kanë operuar rregullisht për më shumë se tre vite, deri në datën 23.04.2026.
Në mënyrë të papritur dhe pa asnjë bazë ligjore, pas kësaj date (23.04.2026) drejtori i degës së BKT-së “21 Dhjetori”, Tiranë, ka urdhëruar bllokimin e llogarisë bankare të organizatës sonë, duke paralizuar plotësisht veprimtarinë e saj. Ky veprim ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si:
Mosshlyerjen e pagave të punonjësve;
Moslikuidimin e detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore;
Mosshlyerjen e detyrimeve ndaj botuesit të gazetës “Kushtrim Brezash”;
Ndërprerjen e botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” për mbi 6500 abonentë parapagues, duke cenuar të drejtën kushtetuese për informim.
Ky bllokim bie ndesh me parimet e funksionimit të një institucioni bankar në një shtet demokratik dhe ligjor. Megjithëse kemi paraqitur dokumentacionin e plotë dhe argumentet ligjore përkatëse, kemi hasur në refuzim arbitrar dhe trajtim të padrejtë nga drejtuesi i degës “21 Dhjetori”.
Sipas informacionit tonë, ky veprim është ndërmarrë mbi bazën e një ankese me shkrim të bërë nga një person i cili nuk ka qenë dhe nuk ka depozituar firmën tek JU. Ky person nuk ka asnjë të drejtë përfaqësimi apo firmë në organizatë dhe, për më tepër, ka përdorur dokumentacion dhe vulë të falsifikuar, duke konsumuar elementë të një vepre penale. Në një shtet demokratik, askush nuk mund të kërkojë bllokimin e fondeve të një organizate pa një vendim gjykate ose pa status të ligjshëm përfaqësimi. Në të kundërt, krijohet një precedent i rrezikshëm ku çdo individ, nga rruga, apo pa tagër ligjor, mund të cenojë funksionimin normal të institucioneve dhe organizatave.
Argumenti i degës së Bankës tuaj tek “21 dhjetori” se “duhet të zgjidhni problemet e brendshme” nuk qëndron, pasi personi që ka kërkuar bllokimin nuk është pjesë e organizatës sonë dhe nuk gëzon asnjë të drejtë ligjore mbi të. Si pasojë e këtij bllokimi arbitrar, gazetarët dhe punonjësit tanë kanë më shumë se një muaj pa u paguar. Familjet dhe fëmijët e tyre po përballen me vështirësi ekonomike dhe diskriminim të padrejtë për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të individëve pa autoritet ligjor.
Për sa më sipër, kërkojmë:
Zhbllokimin e menjëhershëm të llogarisë bankare të OVP të LANÇ-it;
Rikthimin e funksionimit normal të aktivitetit financiar të organizatës;
Verifikimin administrativ dhe ligjor të procedurës së ndjekur nga drejtuesit e degës përkatëse të BKT-së.
Ngritjen e një grupi pune nga ju për saktësimin e veprimit ligjor mbi firmën e depozituar
Në rast se kërkesa jonë nuk merr zgjidhje brenda një afati të arsyeshëm, do të detyrohemi të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike që parashikon legjislacioni shqiptar, përfshirë protesta publike, grevë urie para ambienteve tuaja dhe forma të tjera të reagimit qytetar. Si do vepronit ju nëse dikush pa asnjë atribut ligjor do ndërhynte me letra të falsifikuara për ndërprejen e rrogës tuaj?!
BKT dega “21 Dhjetori” Tiranë –
Z. Drejtor Erind Çela
Tek dega pranë 21 Dhjetorit, në Rrugën e Kavajës që drejtoni ju, jemi ndjerë të fyer nga sjellja juaj, pasi nuk denjuat as të na takonit, sikur të ishim banditë. Një situatë e pashembullt.
Nuk mund të lëmë fëmijët e gazetarëve pa bukë. Historia do të na gjykojë të gjithëve. Ne si shoqëri reagojmë vetëm kur ndodhin ngjarjet madje habitemi.
Ne kërkojmë vetëm drejtësi, jo njëanshmëri. Vetëm zbatim të ligjit.
Nëse personi që ka drejtuar letrën ka depozituar firmën pranë bankës dhe njihet ligjërisht si kryetar apo si depozitues firme, apo ka një vendim gjykate që e përcakton këtë status, atëherë ne tërhiqemi. Por gjithçka duhet të bëhet vetëm mbi bazën e ligjit dhe dokumentacionit zyrtar.
Kërkojmë transparencë dhe respekt institucional. Mos veproni jashtë ligjit dhe mbi baza miqësore siç është shprehur në ambiente publike letërdërguesi.
Me respekt,
Albert Zholi
Kryeredaktor i gazetës
“Kushtrim Brezash”
