Borxh për lloto dhe polici i plagosur, kush janë dy vëllezërit Lika
Borxh për lloto dhe polici i plagosur, kush janë dy vëllezërit Lika
Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pas plagosjes së një efektivi policie, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Shkozës.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, Ali Lika dyshohet si personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivit Anxhelo Kumaraku, agjent krimesh pranë Komisariatit nr. 4 në Tiranë. Burimet bëjnë me dije se i dyshuari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa i skeduar nga policia është edhe vëllai i tij.
Nga të dhënat paraprake, efektivi Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij, i shoqëruar nga një fqinj, person nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Si pasojë e të shtënave, polici ka marrë një plumb në kofshë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve të siguruara nga Infonews, vëllai i personit të dyshuar dyshohet se ishte përfshirë në lojëra të paligjshme fati dhe kishte hyrë në borxhe të mëdha. Të njëjtat burime pretendojnë se persona të lidhur me aktivitetin ilegal kishin nisur të kërkonin paratë, ndërsa disa ditë më parë raportohet të ketë pasur edhe një konflikt fizik.
Në këto rrethana, hetuesit dyshojnë se Ali Lika ka shkuar i armatosur pranë zonës dhe, gjatë një konflikti, ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të efektivit të policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa mbetet ende e paqartë dinamika e plotë dhe roli i personave të përfshirë në incident.
