Si amplifikohen narrativat ruse në mediat shqiptare
Mëngjesin e 9 majit, ndërsa tanket ruse mungonin në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq për shkak të frikës nga sulmet ukrainase me dron, propaganda e Kremlinit marshonte e pashqetësuar në hapësirën mediatike shqiptare.
Media online dhe televizionet – duke cituar agjencitë TASS dhe RIA Novosti, transmetuan pothuajse në kohë reale mesazhet e shpërndara nga Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij, ku theksonte “luftën e drejtë” në Ukrainë, “forcën agresive të NATO-s” dhe vazhdimësinë e betejës kundër nazizmit.
Nga titujt si “Putin thumbon NATO-n në paradën e Ditës së Fitores” te raportimet për armëpushimin simbolik të Moskës gjatë festimeve të 9 Majit, në mediat kryesore shqiptare u riciklua narrativa ruse, sipas të cilës Moska nuk po zhvillon një luftë pushtuese ndaj Kievit, por një betejë historike kundër ‘nazizmit’.
Ky nuk është një rast izoluar. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se artikujt nga mediat shtetërore ruse – si RIA Novosti, TASS, RT dhe Sputnik – ripublikohen rëndom online, duke i hapur një derë të prapme propagandës dhe dezinformimit rus në hapësirën informative shqiptare.
Moska përdor një seri kanalesh komunikimi për të shpërndarë propagandë dhe dezinformim në gjuhën shqipe – nga faqet zyrtare në rrjete sociale të Ambasadës Ruse në Tiranë, mediat shtetërore ruse dhe ato të afërta me Kremlinin, e deri tek rrjeti i automatizuar i publikimeve ‘Pravda’ , i njohur gjithashtu si Portal Kombat.
“Ka shumë raste që mund të identifikohen lehtësisht, ku narrativa ruse amplifikohen nga portale të ndryshme lajmesh,” thotë Erlis Çela, pedagog kumunikimi në Western Balkans University (WBU) në Tiranë, ndërsa thekson se një pjesë e gazetarëve apo drejtuesve të këtyre portaleve nuk janë të ndërgjegjshëm për pasojat e këtij fenomeni.
“Mungon një shkallë e mjaftueshme ndërgjegjësimi për të treguar minimumin e kujdesit, në mënyrë që narrativa të rreme apo propagandistike, të prodhuara dhe të shpërndara nga burime ruse, të mos arrijnë te publiku shqiptar me “ndihmën” e mediave vendase,” shtoi ai.
Media shtërore ruse
Mediat shtetërore ruse si RT, Sputnik, RIA Novosti dhe TASS luajnë një rol qendror në promovimin e narrativave të Kremlinit, si dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme të cilat synojnë të destabilozjnë demokracitë Perëndimore duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet.
Këto publikime botohen në gjuhë të ndryshme – si anglisht, frengjisht, arabisht – por jo në gjuhën shqipe. Në Ballkan, Rusia ka investuar drejtpërdrejt në gjuhën serbe përmes edicioneve lokale të Sputnik Serbia dhe RT Balkan, ndërsa në Shqipëri ndikimi ushtrohet kryesisht në mënyrë indirekte, përmes amplifikimit të narrativave nga aktorë vendas dhe ekosistemet online.
Ato shpërndahen në hapësirën mediatike shqiptare kryesisht nëpërmjet citimeve, përkthimeve dhe riciklimit nga portale lokale, televizione, faqe sociale dhe rrjete të automatizuara publikimi si “Portal Kombat”.
Duke përdorur aplikacionin Sentione, BIRN analizoi publikimet e mediave kryesore shqiptare gjatë një periudhe një vjeçare dhe zbuloi të paktën 1558 shkrime, të cilat citonin media shtetërore ruse.
Kjo tregon se hapësira informative shqiptare është e ekspozuar ndaj narrativave të lidhura me Kremlinin, kryesisht përmes riciklimit të lajmeve dhe deklaratave nga burime shtetërore ruse ose aktorë të afërt me Moskën.
Ndër mediat shtetërore ruse më të cituara apo të ricikluara janë agjencia e lajmeve TASS me 709 publikime, e ndjekur nga RT me 531 publikime, RIA Novosti me 290 publikime dhe Sputnik me 91 publikime.
“Së pari, duhet të kuptojmë se këto kanale mediatike nuk gëzojnë liri editoriale dhe janë tërësisht nën kontrollin e pushtetit politik,” thotë Erlis Çela.
“Kjo i bën ato instrumente propagande dhe jo burime informacioni që mbështeten te normat e pranuara të gazetarisë profesionale,” shtoi ai, ndërsa thekson se ky realitet është dokumentuar nga një sërë raportesh të organizatave prestigjioze që monitorojnë lirinë e medias në botë.
Sipas Çelës, ripublikimi i lajmeve apo i përmbajtjeve të prodhuara nga këto media nuk është i shëndetshëm për informimin e publikut.
“Gazetarët dhe mediat që e bëjnë këtë, veçanërisht pa ndonjë shënim sqarues apo kontekstualizim, rrezikojnë të bien pre e strategjive propagandistike të Kremlinit dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, t’u shërbejnë objektivave të makinerisë propagandistike ruse,” shton ai.
Ndër zyrtarët rusë më të cituar në publikimet e analizuara dominon Vladimir Putin me 573 përmendje, duke reflektuar centralizimin e propagandës ruse rreth figurës së presidentit rus dhe deklaratave të tij mbi Ukrainën, NATO-n dhe Perëndimin.
Ai ndiqej nga Sergey Lavrov me 119 përmendje dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova me 82 përmendje. Në publikime shfaqeshin shpesh edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov me 67 përmendje dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev me 41 përmendje.
Narrativa kryesore që del nga të dhënat është ajo e Rusisë si fuqi e rrethuar nga Perëndimi dhe NATO, e cila po zhvillon një “luftë mbrojtëse” apo “historike” kundër nazizmit dhe agresionit perëndimor.
Një tjetër element i fortë është personalizimi i konfliktit përmes figurave si Putin, Trump dhe Zelensky.
Putin paraqitet shpesh si lider i fortë dhe sfidues ndaj Perëndimit, ndërsa Trump përdoret si figurë që amplifikon përçarjet brenda kampit perëndimor dhe dobësinë e unitetit euro-atlantik. Në shumë raste, narrativat nuk janë drejtpërdrejt pro-ruse, por anti-perëndimore, duke synuar të ushqejnë mosbesim ndaj NATO-s, BE-së dhe institucioneve demokratike.
Të dhënat sugjerojnë se propaganda ruse në shqip funksionon kryesisht përmes “riciklimit mediatik”, ku mediat shqiptare riprodhojnë deklarata, tituj apo lajme nga burime si TASS, RIA Novosti, Sputnik dhe RT, pa verifikim apo kontekst kritik.
Kjo krijon një efekt normalizimi, ku narrativat e Kremlinit shfaqen si raportim rutinë ndërkombëtar dhe jo si pjesë e një strategjie ndikimi informativ.
Sipas ekspertes së komunikimit dhe gazetares Viola Keta, “riciklimi mediatik’ është një proces ‘ripaketimi’ i informacionit, që nis me marrjen e përmbajtjeve – artikuj, imazhe apo video – kryesisht nga media të mëdha ndërkombëtare.
“Këto materiale më pas përshtaten, përkthehen dhe ripublikohen nga mediat lokale, por problemi kryesor qëndron te mungesa e verifikimit, analizës kritike dhe filtrimit editorial të përmbajtjes dhe kontekstit të tyre,” tha ajo.
Keta shpjegoi se materialet e ripaketuara qarkullojnë vazhdimisht në hapësirat informative dhe në platformat online, dhe ato mund të shërbejnë si kanal për përhapjen e narrativave të aktorëve hostilë, të cilët veprojnë kundër interesit publik.
“Ky fenomen lidhet jo vetëm me logjikën e “fast-food”-it informativ dhe garën për klikime përmes lajmeve të shpejta e të paverifikuara, por edhe me mungesën e burimeve njerëzore, kapaciteteve editoriale dhe ekspertizës në redaksi,” tha ajo.
“Në disa raste, nuk mund të përjashtohet as përdorimi i qëllimshëm i këtyre narrativave për interesa të caktuara,” shtoi Keta.
I shqetësuar për qarkullimin e narrativave ruse në hapësirën mediatike shqiptare është edhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, AGSH, Isa Myzyraj, i cili e lidh fenomenin me mungesën e burimeve njerëzore dhe financiare.
“Media shqiptare sot funksionon në një treg shumë të vogël, me presion ekstrem për klikime, shpejtësi dhe prodhim masiv përmbajtjeje,” tha ai, ndërsa shtoi se shumë redaksi nuk kanë më struktura të mirëfillta për verifikimin e informacionit ndërkombëtar, aq më pak korrespondentë jashtë vendit dhe shpesh mbështeten te përkthimi i mediave të huaja, rrjeteve sociale apo portaleve të dyshimta.
“Kjo krijon një terren ideal që narrativa të huaja dezinformuese – qofshin politike, gjeopolitike apo propagandistike – të hyjnë në ekosistemin mediatik shqiptar pothuajse pa filtër editorial,” theksoi ai.
Sipas Myzyrajt, në hapësirën informative shqiptare ka gjithashtu një hendek ekspertize, pasi mbulimi i çështjeve ndërkombëtare kërkon njohje të kontekstit, të aktorëve globalë, të mekanizmave të propagandës dhe të mënyrës sesi funksionon dezinformimi modern.
“Në shumë raste, gazetarët shqiptarë janë të mbingarkuar, duke raportuar njëkohësisht për disa fusha, dhe nuk kanë kohën apo mbështetjen profesionale për të bërë verifikim të thelluar të informacionit,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo është pasojë e modelit ekonomik të medias shqiptare, ku shpesh prioritet mbetet sasia dhe jo cilësia.
“Presioni për të publikuar sa më shumë lajme ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e standardeve editoriale,” tha Myzyraj. “Sot, shumë media maten me numrin e klikimeve dhe jo me cilësinë e raportimit,” theksoi ai.
Ndikimi i përfaqësisë diplomatike
Mesazhet e propagandës ruse në Shqipëri shpërndahen gjithashtu nëpërmjet kanaleve zyrtare në rrjetet sociale të Ambasadës Ruse në Tiranës.
Analiza e ndërveprimeve në Facebook me përmbajtjet e faqes zyrtare të Ambasadë Ruse në Shqipër gjatë 12 muajve të fundit tregon një nivel të lartë angazhimi me ndjekësit e saj virtualë.
Në total, nga 4,232 postime ka 90,038 ndërveprime, ku dominojnë pëlqimet (“likes”) me 64,169 reagime, të ndjekura nga 8,387 komente dhe 7,028 reagime pozitive dhe me ikonën “e dua”.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një nivel të konsiderueshëm reagimesh emocionale dhe polarizuese, me 5,569 reagime me ikonën emcionale “qesh” dhe 554 reagime me “i zemëruar”.
Ndryshe nga Facebook, angazhimi i audiencës në platformën ‘X’ – ish-Twiter, ka qenë i kufizuar për Ambasadën Ruse në Tiranë, me vetëm 72 rishpërndarje të postimeve gjatë së njëjtës periudhë.
Analiza e përmbajtjes tregon se faqja e Facebook-ut e Ambasadës Ruse ka shërbyer si një kanal aktiv për shpërndarjen e mesazheve politike dhe historike të linjës zyrtare të Kremlinit, duke kombinuar propagandën gjeopolitike me përmbajtje kulturore dhe diplomatike.
Një pjesë e konsiderueshme e postimeve janë përqendruar te Lufta e Dytë Botërore dhe kremtimet e 9 Majit, ku Rusia paraqitet si forca kryesore që shpëtoi Evropën nga nazizmi, ndërsa kritikat ndaj Moskës interpretohen si “falsifikim i historisë” ose “rusofobi”. Në këto postime përdoret shpesh një gjuhë emocionale dhe polarizuese, që synon të krijojë ndarje mes “Perëndimit armiqësor” dhe Rusisë si mbrojtëse e vlerave historike dhe morale.
Paralelisht me narrativat historike, ambasada ka promovuar vazhdimisht mesazhe që legjitimojnë politikën e jashtme ruse dhe minimizojnë përgjegjësinë e Moskës për luftën në Ukrainë. Në vend të termit “pushtim”, postimet përdorin formulime si “operacion special ushtarak”, ndërsa NATO dhe Shtetet e Bashkuara portretizohen si faktorë destabilizues në Evropë.
Sipas Viola Ketës, Ambasada Ruse ka marrë një rol aktiv në përhapjen e propagandës përmes kanaleve të saj në rrjetet sociale pas agresionit të plotë rus kundër Ukrainës në vitin 2022, duke amplifikuar narrativa që synojnë të normalizojnë politikat e Kremlinit, synonjnë të justifikojnë luftën dhe të fajësojnë Ukrainën për konfliktin.
“Duke dalë përtej kornizave tradicionale të diplomacisë, ambasada përdor platformat sociale për të promovuar narrativa kundër NATO-s, Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë që kundërshtojnë politikat represive dhe ekspansioniste të Rusisë,” tha jo.
“Këto mesazhe më pas amplifikohen nga media dhe profile online të ndryshme, duke krijuar konfuzion, dyshime dhe polarizim në opinionin publik, si dhe duke nxitur mosbesim ndaj institucioneve demokratike,” shtoi Keta.
Portal Kombat ose rrjeti ‘Pravda’
Linja e tretë e propagandës dhe dezinformimit rus në Shqipëri merr formë përmes rrjetit të automatizuar të publikimit të lajmeve “Portal Kombat”, i njohur gjithashtu si rrjeti Pravda.
Rrjeti Pravda, ose Portal Kombat, është një ekosistem i dendur dhe i automatizuar faqesh online, i ndërtuar për të publikuar përmbajtje që përcjell narrativat e Kremlinit.
Në gjuhën shqipe, ky rrjet ka shënjestruar audiencën shqipfolëse duke publikuar rreth 5 mijë artikuj përmes portalit online, albania.news-pravda.com. Kjo faqe interneti përdor si burime informacioni shtatë llogari në Telegram dhe tre media ruse.
Pravda (e përkthyer në shqip si “E vërteta”) është një rrjet portalesh i krijuar për të riprodhuar përmbajtje të përkthyer automatikisht nga burime pro-Kremlinit në gjuhë të ndryshme, me qëllim përhapjen e narrativave anti-perëndimore. Faqja u aktivizua në vitin 2023, fillimisht në disa gjuhë kryesore, ndërsa në vitin 2024 rrjeti u zgjerua në 19 vende të Europës, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Shumica e artikujve të publikuar nga kjo faqe lidhen me lajme ndërkombëtare, luftën në Ukrainë, Rusinë dhe NATO-n. Sipas një analize të bërë nga DFRLab, vetëm 3.8% e lajmeve të publikuara prej saj lidhen me Shqipërinë.
Qëllimi kryesor i këtij rrjeti është të ndikojë përmbajtjen e modeleve të inteligjencës artificiale (LLM) dhe të përdoret si referencë për shpërndarjen e dezinformimit në Wikipedia apo në platforma të rrjeteve sociale si X.
“Ky është një rrezik real, sidomos tani që inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në mjedisin mediatik dhe informativ,” shprehet Erlis Çela nga WBU.
“Gazetarët po i përdorin gjerësisht mjetet e AI-së dhe kjo rrit rrezikun që këto teknologji të shërbejnë si ndërmjetësuese për shpërndarjen e informacionit të rremë apo propagandës që prodhohet nga rrjete të automatizuara,” shtoi ai.
E shqetësuar për ndikimin e mundshëm të këtij rrjeti është dhe Viola Keta. Sipas saj Shqipëria mbetet një vend me orientim të qartë pro-NATO dhe pro-BE, por megjithatë, rrjetet me orientim pro-Kremlinit kanë arritur të krijojnë ndikim edhe në ekosistemin informativ shqiptar.
“Kjo lidhet me mënyrën se si funksionojnë mekanizmat modernë të dezinformimit: përsëritja konstante e narrativave, amplifikimi i tyre përmes rrjeteve sociale, automatizimi i publikimeve dhe përdorimi i inteligjencës artificiale për prodhimin e përmbajtjeve sensacionale,” tha ajo, ndërsa shtoi se këto metoda u mundësojnë rrjeteve si Pravda Shqip të arrijnë shpejt audienca të gjera dhe të krijojnë ekspozim të vazhdueshëm ndaj narrativave propagandistike.
“Edhe pse ndikimi i tyre mund të mos jetë gjithmonë i menjëhershëm, ato përbëjnë një kërcënim afatgjatë për cilësinë e debatit publik, besimin tek institucionet dhe stabilitetin demokratik në Shqipëri dhe në rajon,” paralajmëroi ajo.
