Porti i Porto Romanos: Anatomia e një tenderi të kontestuar
Në tetor të vitit 2022, në zyrën e kryeministrit Edi Rama mbërriti një propozim i pakërkuar.
Letra ishte nënshkruar nga kompania holandeze, Van Oord Dredging and Marine Contractors dhe kishte për qëllim shprehjen e interesit për t’u angazhuar në njërin prej projekteve më strategjike të qeverisë shqiptare – portin e ri tregtar të Porto Romanos.
Bashkangjitur ndodhej edhe një propozim financiar, bashkë me garancinë se kompania kishte siguruar tashmë rreth 95% të fondeve për ndërtimin e portit.
“Kemi besim të madh te fizibiliteti i projektit, kemi hulumtuar mundësitë e financimit dhe kemi mundur të gjejmë një zgjidhje…,” shkruante Van Oord në letrën adresuar Ramës. “Me besimin se propozimi ynë përmbush interesat tuaja, ne jemi të gatshëm për çdo takim sqarues”.
Van Oord bën pjesë në klubin e vogël të kompanive më të mëdha ndërkombëtare të specializuara në ndërtimin e marinave detare dhe thellimeve inxhinierike në det, e njohur për projektin e saj më ikonik të ndërtimit të ishullit artificial, Palm Jumeirah në Dubai.
Por oferta e saj koncesionare për zhvillimin e portit të ri tregtar të Porto Romanos mbeti në hije, pasi qeveria vendosi që ta financojë ndërtimin e tij me një fond buxhetor prej 399.6 milionë eurosh përmes një tenderi ndërkombëtar.
Pesë kompani të huaja, përfshirë edhe Van Oord, morën pjesë në tenderin e shpallur në dhjetor të vitit 2024 nga Autoriteti Portual i Durrësit, por Shqipëria dështoi të gjente mes tyre një kontraktor për ndërtimin.
Në një deklaratë publike në fillim të marsit, kryeministri Edi Rama fajësoi faktorë të huaj armiqësorë ndaj projektit, por BIRN mundet tani të zbulojë se në zemër të dështimit ka më shumë gjasa të qëndrojnë procedurat e prokurimit sesa ndonjë konspiracion ndërkombëtar.
Dokumentet e analizuara nga BIRN sugjerojnë se autoritetet shqiptare anuluan një tender, ndryshuan rregullat e lojës dhe përdorën standarde të ndryshme për ta çuar garën drejt kualifikimit të një konkurenti të vetëm – i cili gjithsesi u tërhoq në fund nga paraqitja e një oferte.
Prej dhjetorit të vitit të kaluar, tenderi po hetohet nga Prokuroria e Posaçme pas një kallëzimi të dorëzuar nga kompania Van Oord për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tender.
“Procedura tenderuese për Portin e ri Tregtar të Porto Romanos ka ngritur shqetësime të rëndësishme lidhur me transparencën dhe konkurrencën reale,” tha Eduart Gjokutaj, drejtues i organizatës ALTAX me fokus te transparenca dhe politikat e qëndrueshme të zhvillimit.
“Skualifikimi i operatorëve të mëdhenj ndërkombëtarë në fazat teknike, duke lënë paraprakisht një ofertues kryesor krijoi një perceptim të dobët të procesit,” shtoi ai, duke theksuar se verifikimet e SPAk e thelluan pasigurinë.
Kryeministri Edi Rama shprehu çudi për pyetjen e BIRN mbi shqyrtimin e ofertës së Van Oord në vitin 2022, duke pohuar përmes një këshilltareje për mediat se “propozimet financiare të kompanive nuk çohen te kryeministri”, por te autoritetet përkatëse.
Kryeministri u distancua gjithashtu nga ndonjë verifikim i mundshëm i pretendimeve të kompanisë për shkelje gjatë procesit të tenderit.
“Edhe kjo pyetje është shumë e çuditshme, sepse kryeministri nuk është instancë ankimore e kompanive që marrin pjesë në gara publike,” tha Rama, duke kujtuar se gara në fjalë është administruar nga Royal Haskoning – një kompani sipas tij me “prestigj global të padyshimtë”.
Autoriteti Portual i Durrësit tha nëpërmjet një përgjigje me shkrim se procedurat kanë qenë në përputhje me dispozitat e legjislacionit për prokurimin publik, ndërsa shtoi se nuk mund të komentone mbi hetimin penal të iniciuar nga SPAK.
“Të gjithë operatorët ekonomikë janë trajtuar mbi bazën e të njëjtit dokumentacion tenderi, të njëjtave afate dhe të njëjtave kritere kualifikimi,” tha APD.
Ndërkohë, kompania Royal Haskoning tha se nuk ishte në dijeni të hetimit të SPAK, ndërsa theksoi se ekipi i saj, për këtë projekt, i ka kryer detyrat “në përputhje të plotë me rregulloret dhe procedurat e tenderimit në Shqipëri.”
Tranzicion me rrisqe


Portet nuk janë veçse kalata të thjeshta për të ankoruar anijet – ato janë qendra strategjike që drejtojnë rrjedhën e tregtisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të një vendi.
Për qeveritë e vendeve të varfra si Shqipëria, portet shkaktojnë gjithashtu dhimbje koke për t’u ndërtuar, pasi kërkojnë kapital të madh financiar, inxhinieri komplekse në mjediset ujore dhe rregullore strikte për ndikimin në mjedis.
Projekti i portit të ri tregtar të Porto Romanos është relativisht i ri; ai lindi paralelisht me vendimin kontrovers të qeverisë shqiptare për ta shndërruar portin historik të Durrësit në një biznes imobiliar multimilionësh në favor të investitorit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.
Projekti synon zgjerimin dhe modernizimin e portit kryesor tregtar të vendit përkrah dy porteve të tjera private ekzistuese të hidrokarbureve në Porto Romano. Një bazë e veçantë për flotiljen e Forcës Detare të ushtrisë shqiptare pritet gjithashtu të ndërtohet me kosto të tjera shtesë.
Gjokutaj e vlerëson shpalljen nga qeveria të modernizimit portual si një prioritet strategjik, por dyshon se modeli i ndjekur po krijon një tranzicion me rrisqe financiare dhe operacionale për vendin.
Autoriteti Portual i Durrësit ka shpenzuar deri më tani dhjetramilionë euro për projektin e portit të Porto Romanos, 24 milionë prej të cilave kanë shkuar për të kontraktuar kompaninë konsulente holandeze, Royal Haskoning, për shërbimet e projektimit të detajuar teknik si dhe më vonë për procedurat e tenderimit, kontraktimit dhe mbikëqyrjes së projektit.
Përtej kostove të konsiderueshme paraprake, Gjokutaj thekson se vonesat dhe paqartësitë mund t’i kushtojnë shumëfish më tepër taksapaguesve shqiptarë.
Ai përmend inflacionin e kostove të ndërtimit me 8-10 për qind në vit si një faktor që mund ta fryjë faturën e portit me dhjetramilionë euro për çdo vit vonesë.
Dëmi strategjik vlerësohet të jetë edhe më i rëndë – me humbje të trafikut tregtar në favor të porteve fqinje dhe dobësim të korridorit 8.
“Skenari më i keq do të ishte vazhdimi i vonesave të gjata, anulime të përsëritura tenderash, tejkalimi i kostove mbi 50 për qind dhe humbje progresive e trafikut tregtar në favor të porteve fqinje si Selaniku apo Bari,” paralajmëroi Gjokutaj për BIRN.
“Në këtë rast, Shqipëria do të paguante një kosto fiskale shumë të lartë pa përfitime proporcionale, ndërsa do të dëmtohej edhe imazhi i vendit si destinacion investimi,” shtoi ai.
E pyetur mbi planet e ardhshme për realizimin e projektit, qeveria tha se “nuk kishte asnjë koment”.
Kallëzimi në SPAK


Pas skualifikimit nga gara, kompania holandeze Van Oord iu drejtua Prokurorisë së Posaçme me një kallëzim në dhjetor të vitit 2025 ndaj Autoritetit Portual të Durrësit. Van Oord pretendon në kallëzim se tenderi i portit të Porto Romanos u zhvillua në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe standardeve të Bashkimit Europian për konkurrencën, transparencën dhe trajtimin e barabartë të pjesmarrësve.
“Kompania ka shprehur vazhdimisht interes të madh për të kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës detare të Shqipërisë, veçanërisht me projektin e Porto Romanos..,” thotë Van Oord në kallëzim.
“Megjithatë, procesi i tenderit u kompromentua nga parregullsitë, trajtimi i pabarabartë i konkurrentëve, veprime administrative kontradiktore dhe komunikime proceduriale mashtruese,” shton ajo më tej.
Van Oord pretendon në kallëzim se skualifikimi i padrejtë erdhi si rrjedhojë e anulimit të tenderit të parë, ndryshimit të kritereve, interpretimit të njëanshëm të kritereve si dhe veprimeve aktive keqinformuese nga ana e autoritetit kontraktor.
Van Oord thotë se ishte e vetmja kompani që përmbushi kushtin e garancisë së ofertës duke vënë në dispozicion të projektit shumën prej 7.8 milionë eurosh në tenderin e shpallur në korrik 2024, por kur konkurrentët e tjerë nuk e plotësuan këtë kriter, autoriteti kontraktor e anuloi tenderin për ta rihapur më vonë pa asnjë detyrim garancie për pjesmarrje.
“Një heqje e tillë arbitrare e kushtit të detyrueshëm financiar jo vetëm që prishi barazinë e garës, por shkaktoi gjithashtu dëm material për kompaninë, e cila kishte vendosur shuma të konsiderueshme duke demonstruar mirëbesim,” thotë Van Oord, duke pretenduar se ky modifikim solli shkelje të barazisë së pjesmarrësve në dëm të saj, duke favorizuar të tjerët.
APD i tha BIRN se procedura e parë e prokurimit u anulua duke pasur si qëllim rritjen e konkurrencës.
“Rishikimi i elementëve të dokumentacionit të tenderit, përfshirë edhe çështje që lidhen me garancinë e ofertës, është bërë në funksion të rritjes së konkurrencës, pjesëmarrjes më të gjerë ndërkombëtare dhe sigurimit të një procedure sa më efektive dhe funksionale për një projekt me kompleksitet të lartë teknik dhe financiar,” tha APD.
“Ndryshimet në dokumentacion janë reflektuar në mënyrë transparente dhe të publikuara në sistemin elektronik të prokurimit,” shtoi Autoriteti.
Përveç anulimit të tenderit të parë, Van Oord kundërshton gjithashtu skualifikimin për shkak të mungesës së licensave të ekuivalentuara në tenderin e dytë, duke pretenduar se sipas versionit zyrtar në anglisht të dokumenteve standarde, ato duhej të paraqiteshin në një fazë të mëvonshme, përpara lidhjes së kontratës.
Kompania holandeze thotë gjithashtu në kallëzim se u përball me barriera të panevojshme gjatë procesit të aplikimit për licensat dhe se linku i nisur nga Autoriteti Kontraktor për aplikimin online e drejtoi gabimisht te një website i aksesueshëm vetëm nga entitete ligjore shqiptare të regjistruara.
“Vetëm pas disa kërkesave të përsëritura, Autoriteti Kontraktor pranoi se linku ishte dërguar gabimisht,” thotë Van Oord, duke theksuar se kjo sjellje, qoftë nga neglizhenca apo e qëllimshme, solli dizavantazh për të.
Nga shpërfillja e ofertës fillestare e deri te skualifikimi nga gara, Van Oord pretendon se sjellja administrative nuk ishte as e paanshme dhe as e ligjshme.
“Tenderi u zhvillua në një mënyrë që injoronte angazhimet e mëparshme, transparencën dhe parimin e trajtimit të barabartë të sanksionuar si nga legjislacioni shqiptar ashtu edhe nga ligji i prokurimeve të Bashkimit Europian,” thuhet në kallëzim.
Rregulla “jashtëzakonisht të rrepta”


Procedurat e prokurimit publik në Shqipëri janë procese përgjithësisht të mbyllura dhe kanë rezultuar me rrisqe të larta korrupsioni dhe nivele të ulëta të konkurrencës mes operatorëve privatë.
Në rastin e tenderit të portit të Porto Romanos, edhe pse konkurrenca fillestare u duk e lartë, u reduktua në kualifikimin e një operatori të vetëm. Procesi u administrua nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i përbërë nga tre anëtarë të kompanisë Royal Haskoning, një përfaqësues i APD dhe një përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Faza e parë u përmbyll në prill 2025 me skualifikimin e kompanive China Communications Construction Company, Webuild SPA dhe Jan De Nul. Një ankesë e kompanisë së madhe belge, Jan De Nul në Komisionin e Prokurimit Publik nuk u mor fare në shqyrtim me argumentin se nuk arriti të paguante një faturë të kripur prej 2 milionë eurosh si tarifë ankimi.
Faza e dytë e shqyrtimit të dokumentacionit fizik u zhvillua nëpërmjet dy kompanive të mbetura në garë, Van Oord dhe Archirodon Construction, mes datave 6 maj – 22 shtator 2025.
Por edhe pse Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, KVO, konstatoi mungesa në dokumentacion për të dy konkurrentët, ai vendosi të skualifikojë pa vonesa kompaninë Van Oord dhe të kualifikojë kompaninë Archirodon, ndërkohë që shpenzoi gati një muaj kohë për të verifikuar autenticitetin e dokumenteve të saj në Dhomën e Tregtisë së Jeddah në Arabinë Saudite.
Sipas procesverbalit të mbledhjes së KVO, kompania Van Oord nuk kishte paraqitur licensat profesionale të shoqërive të ekuivalentuara sipas legjislacionit shqiptar, ndërkohë që në dokumentet e paraqitura nga Archirodon për punë të ngjashme, mungonin vulat noteriale, por përmbanin certifikim elektronik nga Dhoma Tregtare e Jeddah.
Kompania Van Oord paraqiti disa kërkesa përballë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke pretenduar se licensat profesionale, sipas Dokumenteve Standarde të Tenderit, duheshin paraqitur vetëm përpara nënshkrimit të kontratës dhe fillimit të punimeve. Por kompania dokumentoi gjithashtu për KVO nisjen e procesit të aplikimit për licensat në Shqipëri dhe kërkoi shtyrjen e afatit për dorëzimin e tyre.
Më 12 qershor 2025, KVO arriti në përfundimin se kërkesat e Van Oord ishin të pabazuara ligjërisht dhe theksoi se nuk mund ta shtynte afatin e dorëzimit të licensave profesionale. Van Oord i siguroi licensat e ekuivalentuara nga një komision i posaçëm pranë Ministrisë së Infrastrukturës më 30 qershor 2025.
Ndërsa Van Oord po përpiqej që të merrte licensat e validuara në Shqipëri, anëtarët e KVO u përfshinë aktivisht në verifikimin e dokumenteve të paraqitura nga Archirodon mes datave 17 qershor- 14 korrik 2025, duke angazhuar edhe stafin e Royal Haskoning në Arabinë Saudite.
Pasi mori konfirmimin se dokumentet ishin autentike, KVO vendosi në mënyrë unanime të konfirmonte vetëm kompaninë Archirodon për fazën finale.
APD i tha BIRN se ekuivalentimi të licencave profesionale ishte i nevojshëm për përmbushjen e kritereve të kualifikimit dhe dorëzimi i tyre brenda afateve mbetej përgjegjësi e operatorëve ekonomikë pjesmarrës.
“Në rastin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. – N.V. BESIX S.A.”, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave konstatoi mungesën e licencave profesionale të ekuivalentuara, si dhe mungesa në dokumentacionin mbështetës të personelit të deklaruar, elemente të detyrueshme sipas Dokumenteve Standarde të Tenderit dhe legjislacionit në fuqi,” tha APD.
“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vlerësoi se pranimi i dokumentacionit të ri thelbësor pas afatit të përcaktuar do të binte ndesh me parimet e trajtimit të barabartë, sigurisë juridike dhe integritetit të procedurës së prokurimit,” shtoi Autoriteti.
Ndërkohë, sa i takon dokumentacionit të Archirodon, APD deklaroi se verifikimet e kryera nga Komisioni në Arabinë Saudite kanë pasur karakter administrativ dhe verifikues mbi dokumentacionin e dorëzuar brenda afatit të procedurës.
“Këto veprime nuk kanë përbërë plotësim të ofertës me dokumentacion të ri thelbësor pas afatit të dorëzimit të dokumentacionit, por verifikim të dokumentacionit ekzistues të paraqitur në procedurë,” tha APD.
“Për rrjedhojë, vendimmarrja është bazuar mbi dokumentacionin e disponueshëm në momentin e vlerësimit dhe mbi detyrimin ligjor për zbatimin e njëjtë të rregullave të procedurës për të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës,” përfundoi Autoriteti.
Ndërkohë, Royal Haskoning tha se Van Oord dhe Archirodon kaluan me sukses fazën e parë të procesit të parakualifikimit, por në fazën e dytë nuk iu dha kohë për të korrigjuar mangësitë teknike.
“Mangësitë teknike dolën në pah si pjesë e procesit të vlerësimit nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave,” tha kompania konsulente.
“Komisioni më pas i shqyrtoi këto mangësi, por në përputhje me legjislacionin shqiptar, nuk ishte në gjendje t’u jepte ofertuesve mundësinë për t’i korrigjuar ato,” shtoi ajo.
Kompania holandeze fajësoi rregullat “jashtëzakonisht të rrepta” të prokurimit publik në Shqipëri për dështimin e tenderit. Sipas Royal Haskoning, përmbushja e këtyre kritereve është dëshmuar përtej kapaciteteve të shumicës së kontraktorëve, duke sjellë një vonesë të konsiderueshme në procesin e tenderimit.
“Gjatë kësaj periudhe vonese, kostot e materialeve të ndërtimit dhe të fuqisë punëtore janë rritur ndjeshëm,” tha kompania. “Si pasojë, buxheti fillestar i projektit nuk është më i mjaftueshëm për të realizuar të gjithë gamën e punimeve të parashikuara në këtë tender,” përfundoi ajo.
