Mon, May 25, 2026

U kap në Dubai! Aleksi është vëllai i të shumëkërkuarit Mir Pepaj

U kap në Dubai! Aleksi është vëllai i të shumëkërkuarit Mir Pepaj
  • PublishedMay 26, 2026

U kap në Dubai! Aleksi është vëllai i të shumëkërkuarit Mir Pepaj

Aleks Pepaj, 38 vjeç, vëllai i Jetmir “Mir” Pepës dhe sipas SPAK njeriu që drejtonte nga Dubai mbledhjen e parave të kokainës për grupin kriminal Pepa, është kapur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe. Operacioni “The Wanted” i Interpolit Tiranë, në bashkëpunim me homologët në Abu Dhabi, finalizoi arrestimin e tij bashkë me katër shtetas të tjerë shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme.

Mes pesë të kapurve për ekstradim figurojnë Kristo Qirici 44 vjeç (i njohur edhe me alias Jetmir Hoxhaj dhe Jetimir Qirici, vëlla i biznesmenit të vrarë Edmond Papa), Shkëlzen Kraja 44 vjeç, Ilir Lazri 30 vjeç dhe Merxhan Celiku 34 vjeç, ky i fundit i akuzuar për mashtrim kompjuterik. Katër të tjerët, përfshirë Aleks Pepajn, akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Kapja e Aleks Pepajt përbën goditjen e dytë të rëndë ndaj familjes Pepa brenda gjashtë javësh. Më 15 prill 2026, SPAK firmosi 11 urdhër-arreste me vendimin nr. 20 të GJKKO-së mbi kërkesën e prokurorit Alfred Shehu. Atë ditë në Tiranë ra në pranga vëllai më i madh, Lulzim Pepa 52 vjeç, ndërsa Aleksi dhe Jetmiri arritën të mbeteshin në arrati. Tani pesha e mbetur i bie vetëm Jetmir Pepës, kreut të organizatës kriminale.

Roli i Aleks Pepajt në dosjen hetimore është strukturor, jo periferik. Sipas përgjimeve të platformës SkyECC të dekriptuara nga partnerët evropianë të SPAK, ai ishte krahu i djathtë i vëllait Jetmir dhe pika e ndërlidhjes me operatorët e huaj në Amerikën Latine dhe Evropë. Në një nga bisedat e SKY, Aleksi i raporton vëllait nga Dubai: “Kam 30 milionë euro nga puna dhe akoma nuk po mundem t’i mbledh. Mora dhe 15 milionë dirhame, t’i kem këtu në Dubai.” Shifra në dirhame ekuivalente me rreth 330 milionë lekë sugjeron një hub të mirëfilltë financiar të grupit në Emirate.

Grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit Pepa akuzohet se gjatë viteve 2019-2021 trafikoi 7.5 tonë kokainë nga Ekuadori, Peruja dhe Kolumbia drejt porteve të Rotterdamit dhe Antwerpit, në bashkëpunim hetimor me Eurojust, Europol dhe agjencitë e Francës, Holandës, Spanjës e Mbretërisë së Bashkuar. SPAK ka sekuestruar 232 pasuri me vlerë 12 milionë euro, përfshirë kompaninë Pepa Group që ka përfituar mbi 50 milionë euro tendera publikë në sektorin e ndërtimit të shkollave dhe rindërtimit.

Me kapjen e Aleks Pepajt, hetuesit shqiptarë fitojnë akses te i vetmi person që njeh në detaje hartën financiare të grupit jashtë Shqipërisë: kontaktet në Amerikën Latine, partnerët e ngarkesave të përbashkëta, llogaritë në Dubai dhe rrjetin e parave të paspastruara ende. Procedurat e ekstradimit kanë nisur. Marrëveshja Shqipëri-Emiratet e Bashkuara Arabe e ka shkurtuar ndjeshëm rrugën në vitet e fundit, dhe pritet që brenda javëve ai të transferohet drejt Tiranës.

Mbetet i vetmuar tashmë Mir Pepa, kreu i një perandorie ekonomike që arrin 69 milionë euro investime në Shqipëri, ndërsa autoritetet duket se kanë rënë në gjurmët e tij. /Pamfleti