SPAK mësyn në banesat e Redi Strugës dhe Pëllumb Petritajt për pronat në Zvërnec
SPAK mësyn në banesat e Redi Strugës dhe Pëllumb Petritajt për pronat në Zvërnec
Një valë e re kontrollesh ka përfshirë Tiranën dhe Vlorën këtë të hënë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me pronat në Zvërnec.
Në shënjestër të hetimeve janë për dyshimet e tjetërsimit të pronave në zonën e mbrojtur. Zoom.al mëson se të paktën dy janë emrat e biznesmenëve ndaj të cilëve janë ushtruar kontrollet, Pëllumb Petritaj dhe Redi Struga. Petritaj është një emër i lakuar edhe më parë në dosjet e nxehta të tjetërsimit të pronave në bregdetin e jugut.
Aksioni i agjentëve të BKH-së, i udhëruar nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, vjen në një moment tensioni, ku në Vlorë kanë nisur protestat e para të qytetarëve dhe aktivistëve kundër ndërtimit të resortit luksoz të Ivanka Trump e Jared Kushner në këtë zonë me rëndësi të lartë ekologjike.
Redi Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult”. Kompania e Strugës ka blerë sipërfaqe të mëdha pronash në Zvërnec nga zotërues të tjerë, të cilat po verifikohen nga prokurorët për mënyrën se si janë përfituar fillimisht.
REDI STRUGA
Pëllumb Petritaj është një personazh i njohur për drejtësinë sa i përket çështjeve të pronësisë në qarkun e Vlorës. Ai ka qenë avokat i Artur Shehut, një personazh me të shkuar të dyshimtë, i përfolur për lidhje me mafian italiane. Përfshirja e tij në listën e kontrolleve të SPAK-ut shton dyshimet për një skemë të mirëfilltë falsifikimi dhe mbivendosjeje titujsh pronësie, e ngjashme me dosjet e mëparshme të sekuestrimeve në Karaburun dhe gjirin e Lalëzit.
Nën hetim, siç mëson Zoom.al janë edhe 3 kompani të tjera, në pronësi të 3 biznesmenëve të njohur, njëri prej të cilëve është i shpallur në kërkim.
Ura lidhëse me miliarderët e Katarit dhe Jared Kushner
Hetimi merr përmasa ndërkombëtare për shkak të destinacionit të këtyre pronave. Redi Struga, përmes kompanisë “Albanian Land Development” ku rezulton administrator, shërben si ura kryesore lidhëse në Shqipëri me vëllezërit miliarderë me pasaportë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat.
Këta të fundit janë futur fuqishëm në tregun e investimeve strategjike në Shqipëri, duke investuar krah për krah me dhëndrin e ish-presidentit të SHBA Donald Trump, Jared Kushner, projektet e të cilit në Sazan dhe Zvërnec kanë ndezur një debat të madh publik.
Rama: Nuk ka marinë në Zvërnec
Ky aksion i SPAK-ut zhvillohet nën një sfond të fortë politik. Kryeministri Edi Rama reagoi sot me një fjalim të gjatë 1 orë e 20 minuta, duke shpjeguar se bëhet fjalë vetëm për një projekt privat dhe jo për tokë shtetërore.
Rama tha se protestuesit po manipulohen nga “armiq të brendshëm dhe të jashtëm”, që sipas tij nuk ia duan të mirën Shqipërisë dhe janë kundër zhvillimit të saj.
Me një gjuhë tërësisht populiste, pa dhënë shpjegime për shqetësimet kryesore të banorëve që pretendojnë pronësinë e tokës dhe akuzojnë Artur Shehun dhe të tjerë për falsifikim të dokumentave të pronësisë, Rama sfidoi me largimin e tij, për të dhënë idenë se ai po punon për popullin dhe jo për vete apo për një grusht biznesmenësh, me lidhje të forta, siç akuzohet nga opinioni publik.
“Po të doni, iki në shtëpi dhe Shqipërinë mbrojeni vetë nga të huajt”, – tha ai.
Por nën tonet patriotike të Ramës, kontrollet e sotme të SPAK-ut në zyrat dhe banesat e Strugës dhe Petritajt tregojnë se pas investimeve me emra bombastikë ndërkombëtarë, fshihen veprime të dyshimta për grabitje dhe tjetërsim të pronës private dhe publike në Shqipëri.
