Sun, Jun 14, 2026

SKANDALI/ Iute Credit nën hetim! Si çifti mashtrues merrte para në emër të personave në nevojë

SKANDALI/ Iute Credit nën hetim! Si çifti mashtrues merrte para në emër të personave në nevojë
  • PublishedJune 15, 2026

SKANDALI/ Iute Credit nën hetim! Si çifti mashtrues merrte para në emër të personave në nevojë

Nga InfoNews:

Mashtronin persona në nevojë dhe individë me aftësi të kufizuara, kredi online në emër të tyre pa dijeni

Skema me dy të arrestuarit, hetimet po nxjerrin në dritë përmasa të reja të çështjes

Arrestimi i dy personave të dyshuar për mashtrim financiar në qarkun e Korçës ka ngritur dyshime se mund të bëhet fjalë për një skemë të organizuar, e cila dyshohet se ka prekur dhjetëra qytetarë në disa qarqe të vendit.

Sipas informacioneve paraprake të hetimit, Adi Hodo, rreth 30 vjeç, i lindur në Vlorë, dhe bashkëjetuesja e tij, Paola Zyber, 33 vjeçe, e lindur në qarkun e Korçës dhe banuese në Tiranë, dyshohet se ushtronin aktivitetin e tyre në zonat e Korçës dhe më gjerë, duke shënjestruar kryesisht persona me probleme sociale dhe ekonomike, si edhe individë me aftësi të kufizuara intelektuale ose me nivel të ulët informimi.

Sipas hetimeve, të dyshuarit u prezantoheshin viktimave si përfaqësues të një shoqate bamirësie, duke u premtuar ndihmë ekonomike, pagesa mujore apo forma të tjera të mbështetjes sociale. Nëpërmjet kësaj mënyre ata fitonin besimin e tyre dhe më pas siguronin fotografi të kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera personale.

Dyshohet se më pas këto të dhëna përdoreshin për të aplikuar për kredi pranë institucioneve financiare, pa dijeninë dhe pa miratimin e personave në emër të të cilëve kryheshin aplikimet. Një prej institucioneve që po verifikohet nga hetuesit është IUTE Credit, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia që të jenë përdorur institucione të tjera të mikrokredisë.

Një nga pyetjet kryesore të hetimit lidhet me faktin nëse kreditë janë aplikuar ekskluzivisht përmes platformave online apo nëse autorët e dyshuar janë paraqitur fizikisht edhe në degët e institucioneve financiare. Po ashtu, hetuesit po përpiqen të zbulojnë mënyrën se si janë tërhequr fondet dhe se kush ka përfituar realisht prej tyre.

Rasti që çoi në zbulimin e skemës në Korçë u evidentua pas reagimit të menjëhershëm të familjarëve të një gruaje, e cila sapo kishte dorëzuar dokumentet dhe të dhënat e saj personale personave të dyshuar. Pas bisedave me të afërmit, u ngritën dyshime se bëhej fjalë për një mashtrim dhe gruaja u orientua që të paraqiste kallëzim pranë organeve ligjzbatuese për mashtrim financiar dhe përdorim të paligjshëm të të dhënave personale.

Hetuesit po verifikojnë tashmë nëse rasti i konstatuar në fshatin Sheqeras të Maliqit dhe në zonën e Pojanit ka qenë një rast i izoluar apo nëse e njëjta skemë është përdorur edhe në fshatra dhe bashki të tjera të qarkut të Korçës, si dhe në qarqe të tjera të vendit.

Një tjetër element që po verifikohet nga autoritetet lidhet me mënyrën e lëvizjes së të dyshuarve. Sipas informacioneve të mbledhura deri më tani, ata përdornin automjete të marra me qira për të udhëtuar drejt zonave ku kryenin kontaktet me viktimat. Hetimet po shqyrtojnë gjithashtu pretendime se janë ndërmarrë veprime për të vështirësuar identifikimin e automjeteve gjatë lëvizjeve pranë banesave të personave të mashtruar.

Burime pranë hetimit nuk e përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të jetë më i madh se rastet e identifikuara deri më tani. Për këtë arsye, policia dhe prokuroria po kryejnë verifikime të zgjeruara për të evidentuar persona të tjerë që mund të jenë prekur nga e njëjta skemë.

Rasti ka rikthyer vëmendjen edhe te problematika e mikrokredive në Shqipëri, një sektor që ka qenë objekt debatesh të forta publike pas skandalit të MCA dhe Final, ku mijëra qytetarë u përballën me pasoja të rënda financiare. Ndërsa hetimet për këtë rast të ri vijojnë, mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një episod të izoluar apo për një aktivitet me përmasa më të gjera nga sa mendohet aktualisht.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos dorëzojnë dokumentet personale tek persona të panjohur dhe të denoncojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë pranë organeve kompetente.