Mon, Jun 22, 2026

Daja, Kici i Elbasanit, BMW dhe El Diablo…/ Nga Eldi Dizdari tek Shpëtim Aliu e Tan Gjika, ja si njiheshin në SKY ECC

Daja, Kici i Elbasanit, BMW dhe El Diablo…/ Nga Eldi Dizdari tek Shpëtim Aliu e Tan Gjika, ja si njiheshin në SKY ECC
  • PublishedJune 22, 2026

Daja, Kici i Elbasanit, BMW dhe El Diablo…/ Nga Eldi Dizdari tek Shpëtim Aliu e Tan Gjika, ja si njiheshin në SKY ECC

Detaje të reja nga hetimet mbi komunikimet e platformës së koduar SKY ECC kanë zbuluar identitetet dhe nofkat e disa shtetasve shqiptarë të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Autoritetet kanë identifikuar shtetasit shqiptarë Salvatore Aliu (alias Shpëtim Aliu, i njohur si “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”),

Po  ashtu janë identifikuar Oklid El Ouejdi, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Nikoll Bibaj, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, Armando Pacani, Dritan Gjika, Florjan Musaj alias Naum Filo, Aleks dhe Jetmir Pepaj dhe Naldi Yzeiraj, si pjesë e një veprimtarie të organizuar kriminale që dyshohet se ka funksionuar në trafikimin e lëndëve narkotike nga Ekuadori drejt disa vendeve evropiane.

Salvatore Aliu – “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”

Në qendër të hetimeve mbetet Salvatore Aliu, i identifikuar si përdorues i PIN-eve SKY ECC “RENCID 734726” dhe “V3OLMR”. Sipas autoriteteve, ai njihej me disa nofka, përfshirë “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.

Oklid El Ouejdi – “Kici”

Sipas analizës së komunikimeve të zhvilluara në llogarinë SKY ECC me PIN “SIKPKA”, rezulton se më 20 mars 2020, në orën 23:07:20, përdoruesi i këtij kodi vetëidentifikohet si “Kici”. Në një mesazh të dërguar drejt përdoruesit të PIN-it “289822”, ai shkruan: “Kici jam”.

Nga hetimet, PIN-i “SIKPKA” është atribuar shtetasit shqiptar Oklid El Ouejdi.

Denis Matoshi alias Eldi Dizdari – “El Diablo”, “Tropoja”, “Alduth” dhe “Maca”

Nga analiza e komunikimeve të përdoruesit të SKY ECC PIN “CCNKHP”, autoritetet kanë identifikuar si përdorues shtetasin shqiptar Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari.

Sipas dosjes hetimore, ai përdorte disa nofka në komunikimet e tij, mes të cilave “El Diablo”, “Tropoja”, “Alduth” dhe “Maca”.

Dritan Gjika – “Shkodra”, “Naqe” dhe “Shkodrani”

Nga komunikimet mes PIN-it “LUO8H1” dhe PIN-it “RGICID”, ky i fundit i përdorur nga Salvatore Aliu, rezulton se mes dy përdoruesve ka pasur kontakte të vazhdueshme.

Analiza e bisedave ka çuar në identifikimin e përdoruesit të PIN-it “LUO8H1” si shtetasi shqiptar Dritan Gjika. Në komunikime ai njihej edhe me nofkat “Shkodra”, “Naqe” dhe “Shkodrani”.

Sokol Bibaj – “Gusti”, “Pitbulli” dhe “Puka”

Sipas të dhënave hetimore, shtetasi Sokol Bibaj njihej dhe komunikonte me nofkat “Gusti”, “Pitbulli” dhe “Puka”.

Nikoll Bibaj – “Buci” dhe “Ujku”

Në dokumentet hetimore përmendet edhe Nikoll Bibaj, i cili njihej me nofkat “Buci” dhe “Ujku”.

Armando Pecani – “Forbes” dhe “Tirana”

Shtetasi Armando Pecani rezulton se përdorte nofkat “Forbes” dhe “Tirana” në komunikimet e tij.

Netmir Pepaj – “BMW”

Sipas të dhënave hetimore, shtetasi Netmir Pepaj njihej dhe komunikonte me nofkën “BMW”.

Aleks (Shkëlqim) Pepaj – “Fedor” dhe “Figura”

Hetimet kanë evidentuar se Aleks Pepaj, i njohur gjithashtu si Shkëlqim Pepaj, përdorte nofkat “Fedor” dhe “Figura”.

Florjan Musaj – “Memolk”

Në dokumentet hetimore përmendet edhe shtetasi Florjan Musaj, i cili njihej me nofkën “Memolk”.

 

Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej të dyshuarve në aktivitetin e dyshuar kriminal që lidhet me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës.

Hetuesit e konsiderojnë Aliun si organizator të sigurimit dhe trafikimit të ngarkesave me kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt vendeve të Evropës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, për llogari të disa grupeve kriminale shqiptare me bazë në Evropë dhe Dubai.

Për realizimin e kësaj veprimtarie, Salvatore Aliu dyshohet se është mbështetur në Ekuador te lidhjet e tij familjare dhe shoqërore, konkretisht te Naldi Yzeiraj, i identifikuar si nipi i tij, dhe Dritan Gjika, me të cilin kishte lidhje të afërta shoqërore. Sipas hetimeve, nëpërmjet tyre janë organizuar dërgesa të shumta kokaine duke përdorur si pikënisje portet e qytetit të Guayaquil-it në Ekuador.

Lënda narkotike fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, duke u maskuar në çanta ose në strukturat e vetë kontejnerëve. Autoritetet kanë konstatuar se për të garantuar suksesin e operacioneve, Aliu ka shfrytëzuar bashkëpunimin e zyrtarëve shtetërorë vendas, përfshirë efektivë policie, pjesëtarë të marinës dhe punonjës portesh, si edhe punonjës të kompanive ndërkombëtare të transportit detar Maersk, MSC dhe Hapag-Lloyd.

Sipas dosjes hetimore, këta persona i siguronin informacion në kohë reale mbi kontejnerët dhe itineraret e tyre të transportit, duke krijuar një infrastrukturë që i ka dhënë Aliut avantazh të konsiderueshëm në këtë aktivitet të paligjshëm.

Hetimet e deritanishme e pozicionojnë Salvatore Aliun si një nga furnizuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine drejt tregut evropian.