Fri, Jul 3, 2026

Zhdukja e ngadaltë e gazetarisë kulturore

Zhdukja e ngadaltë e gazetarisë kulturore
  • PublishedJuly 3, 2026
bienalja
Bienalja e Tiranës, me president Edi Ramën, solli një fluks të artistëve të huaj bashkëkohorë. Mendohej që skena shqiptare e artit do merrte frymë dhe këmbimet kulturore do ishin një normalitet. Nuk ndodhi, përveç manifestimit të stereotipeve të të huajve për Shqipërinë dhe historinë e saj.
Foto: Elsa Demo, 2003.

Dy paragjykime e ndoqën këtë shkrim. I pari lidhet me aktualitetin. Vendi është zgjuar nga protestat që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe është sikur ship people që dikur kapërcenin Adriatikun, të jenë kthyer mbrapsht për të rishkruar fatin. Interesi publik nuk ka vakt për kulturën, gjylpanën n’tru, që do duhej të ishte pjesë e komunikimit publik, krahas pronës, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë, aq më tepër që protestat po manifestohen si reagim i një brezi të ri, që kërkon të korrigjojë dhe të përmbysë standardet e të njëjtave parime të paraardhësve, për të mos i çuar patologjitë shoqërore në stad terminal. Për rrjedhojë, çështja e kulturës është në trup të këtij zgjimi, zgjim tragjik më tepër se shpresëdhënës. Mund të thuhet se, gjithë sa po ndodh në shesh, është posaçërisht kulturë e jetës aktive. Mundet, për ata që kulturën e mendojnë punë sezonale.

Paragjykimi i dytë, më afër vetëgjykimit si dhe i pari, rri mirë në fjalët e Ervin Hatibit. Kur them që nuk jam në gjendje të shkruaj për vdekjen e gazetarisë kulturore, ai përfshihet: “Është sikur të ka zënë shtëpia brenda!”. Ai e ndjen, ka qenë pjesë e shtëpisë së përbashkët, tani të rrëzuar. Libri i tij “Republic of Albanania” përmban esetë që ka shkruar në gazetat e një kohe jo të largët, që është bërë harresë.

Nuk jam duke turbulluar kufijtë mes Kulturës dhe gazetarisë kulturore, e para çështje identiteti dhe një punë publike e përbashkët për të gjitha kohërat, domethënë një kategori trans-historike dhe e dyta, çështje profesioni; njëra jetë, besim dhe rregull që e bën shoqërinë entitet dhe tjetra, kategori komunikimi që e përditëson publikun me produktin e mendjes, dhuntisë dhe talentit human. Të dyja këto lloje kulturash, pavarësisht se e vogla, për të cilën po shkruhet ky artikull, rri tek e madhja si foshnja në krahë amësorë, veç bashkë kanë kuptim, kërcejnë bashkë kur shoqëria hedh hapa para dhe po bashkë ngecin kur ajo bie në llucë.

Portret individësh në grup

enkelejda memaenkelejda mema
“Pak duan gazetare që të jenë të mirëpritura në televizione. Ama, kur redaksia ndihet keq, t’i ngarkojnë ty drutë për t’i bërë ca punë. Je ti relikja që i merr përsipër t’i bësh,” thotë gazetarja Enkelejda Mema.

Një fotografi në grup do t’i shkurtonte punë kujtesës si një GPS për të rigjetur gazetaret dhe ata pak gazetarë që kanë punuar për kulturën në dekadat e pasnëntëdhjetës. Kanë dokumentuar çdo gjë për të tjerët, po një foto për të dokumentuar punën e tyre nuk e kanë.

“Unë thjesht kam emrin në ca faqe gazetash”, më shkruan Romelda Bozhani nga Roma. “Shumica tani kanë humbur në copëza hapësirash virtuale dhe kur virtualja të zhduket një ditë, do mbetet hiç.”

Si një pjesë e mirë e gazetarëve, Romelda erdhi nga letërsia. Pavarësisht se investimi i botuesit ishte “një gazetë për një byrek”, redaksia e së përditshmes “Koha jonë” ishte plot, me sektorë të ndarë mirë, me profesionistë që besonin se edhe kultura do ta shtyjë kombin përpara. Në faqet e shtypit ishte trashëguar një kulturë e njëanshme me thelb dogmatik, që i kishte munguar literatura dhe diskutimi për qytetërimet, artet, figurat botërore. Në revistën “Përpjekja”, Fatos Lubonja shkruante për pafuqinë e shqiptarëve për të ripërcaktuar identitetin dhe për utopinë e re politike që do të shndërronte në vend perëndimor një Shqipëri të përçarë, pa homogjenitet kulturor, e varfër, me 40% të popullatës të papunë, pa energji elektrike 12 orë në ditë. Elitës në botë i kërkohej solidaritet për demokracinë e brishtë. Si bashkëpunëtor i rregullt i “Përpjekjes”, u bashkohej atyre radhëve edhe Edi Rama. Debati përhapej në shtypin kulturor si AKS-i, suplement i gazetës “Koha jonë” (revistë e pavarur më vonë, nën drejtimin e Mimoza Dervishit), ku do rimerreshin polemikat Lubonja-Bashkim Shehu, debati i tyre për ideologjinë, artin dhe moralin, për rolin e shkrimtarit dhe artistit si ndërgjegje e shoqërisë. Gazetaria po fitonte një vend si mekanizëm i një procesi demokratik. Është e rrallë të shohësh në prill të 1995-ës protestën e faqeve të para të bardha kundër taksave dhe tarifave të larta për shtypin, e rrallë që gazetaria të luftonte për veten. Dhe shpërblente më të mirët. Ka pasur një çmim për gazetarinë, sado jetëshkurtër, që jepej nga Fondacioni Kulturor “Veliaj”, paralelisht me çmimin ndërkombëtar “Kadare” për letërsinë.

Kur Romelda hyri te “Koha” në vitin 1998, ndodhi vrasja e Azem Hajdarit dhe mësymja e turmës me arkivol drejt kryeministrisë riktheu traumën e ‘97-ës, pa llogaritur traumën e djegies së gazetës. Por kishte kulturë, teatër, ekspozita, artistë që performonin, shkrimtarë, mjaft institucione shtetërore ishin duke u shpërbërë, diskutoheshin ligje të reja, ligji “Për teatrin” që akoma nuk është zgjidhur, për Lidhjen e Shkrimtarëve që duhej ta mbyllnin, për Galerinë Kombëtare dhe konkurset ndërkombëtare. Një Shqipëri e vogël me pesëqind halle, me një ministër kulture agresor si sot e kësaj dite, që bënte sherr dhe nuk zgjidhte gjë. Këto kujton ajo nga epoka e gazetarëve me biçikletë. Nuk kishin aq rëndësi ngjarjet kulturore dhe cilësia, sesa dëshira për ta pasur Kulturën në sy. Po ndodhte çka pritet nga gazetaria e kulturës: të prodhojë kulturë dhe të kthehet vetë në kulturë.

“Fillimisht gazeta më dukej si Pallati i ëndrrave, një punishte e fjalës, derisa gjeta rrugën time, si të ndërtoja artikujt, të lidhesha me lexuesin, pikërisht ai lexues që nuk e ndjeje dhe nuk e shihje, thjesht e përcaktoje dhe që shumë shpejt bëhej konkret, sepse të nesërmen do ta takoje, do flisnim dhe dalëngadalë krijohej rëndësia e punës tënde.” Ekzistonte rubrika klasike kulturore për artet, letërsinë dhe kishte një kritikë kulturore që vinte nga vëzhgimi i prapaskenave ekonomike dhe politike neoliberale që lidheshin me kulturën. Romelda, bashkë me kolegen Migena Hoxhalli, siç dëshmohet nga arkivat, ndiqnin prezantimin e ministrit të Kulturës, Rama për investitorin strategjik 2K Group, dhënien me qira për 1 dollar m2 të ndërmarrjes shtetërore të filmit, proces që i parapriu copëtimit dhe shitjes së Kinostudios vite pas. Shkruanin intensivisht për rrezikun e shembjes së Teatrit Kombëtar, dhënien me qira të hollit Tv Klanit, raportonin për protestat e artistëve të Operës kundër kontratave të paracaktuara dhe për këto anatemoheshin, edhe përjashtoheshin nga konferencat e shtypit, shpesh vanitoze, ku ndaloheshin pyetjet e sikletshme.

Atë tip konference mban mend Violeta Murati, kur ishte në frontin e protestave dhe grevës së urisë të artistëve, si reportere për gazetën “Albania” dhe për të tjera më vonë. Ajo gjeti tek “Albania” lirinë për të bërë opozitë me gazetarë dhe redaktorë profesionistë, si Jerina Zaloshnja, Lutfi Dervishi, Nebil Çika, Alma Çupi, Sokol Olldashi, Afrim Krasniqi, Lazër Stani. Bisedat e kafes së mëngjesit në grup vërtiteshin në çfarë është Shqipëria, çfarë po ndodh, si ndërtohet shkrimi, saktësia, burimet. Roli i gazetarit shihej si përcaktues vlerash përballë institucioneve që nuk ishin të përgatitura për kërkesë llogarie dhe vënie para përgjegjësisë. “Sa pa dalë telefoni celular, ishim mësuar të turreshim vetë për lajmet e jo të na sillnin njoftimet për shtyp. Vazhdonim u besonim këmbëve, unë u kam besuar gjithmonë, sepse duhen takuar njerëzit, duhet të dijë gazetari kush na drejton dhe çfarë vendimesh merren për ne. Telefoni e bëri më të lehtë, por jo për ata që duan të kuptojnë çfarë ndodh me teatrin, kinemanë, monumentet. Për këta telefoni prishte punë, sepse njerëzit bënin bisht, nuk donin, nuk i gjeje në zyrë.”

Pjesë e rubrikës kulturore bëhej dhe Maks Velo. Ai kishte një kënd një herë në javë me refleksione mbi artet pamore dhe arkitekturën. Ndjeshmëria për arkitekturën, diskutimi për këtë domen që do bëhej kalë pushteti për dhjetëvjeçarë, u kthye në qëndrim avangard të pak intelektualëve, të cilët transformimin e kundraligjshëm të qyteteve, shëmtinë e objekteve, e quanin shkelje të dinjitetit të njeriut dhe destabilizim shoqëror.

Një ditë, godina e “Albania”-s ra për t’u bërë pallat. Përkoi me hyrjen e Ramës në bashkinë e Tiranës, si shembja e kinemave “Ali Demi”, “17 Nëntori”, “Republika”. Kjo e fundit u shkatërrua një herë për t’u bërë “Millenium”, pjesë e rrjetit kombëtar të kinemave që u shua në pak vjet, dhe për së dyti, kur në vend të saj u vendos të ngrihej një objekt i lartë. Që ndërtuesi të merrte leje ndërtimi, i duhej të bëhej ca kohë botues dhe hapi gazetën “Metropol”. Për 3 vjet, Murati mbuloi aty faqet kulturore.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore u bë një konstante, e cila me, dhe ndonjëherë, pa të drejtë hante hapësira të tëra të rubrikës kulturore në shtyp. Jemi akoma tek shtypi sa pa dalë në skenë fuqia e televizionit. Sot, fakti që një projekt zhvillimi i një zone të mbrojtur ndezi protestat qytetare, tregon se zëri i medias ka qenë i pamjaftueshëm dhe i shumanshëm sidomos presioni ndaj saj, si në historinë e Fatmira Nikollit. Për një kohë të gjatë ajo ka mbuluar këtë fushë, krahas temave për kujtesën dhe të kaluarën komuniste. Të dyja, për një pjesë të madhe të shoqërisë janë të tejkaluara, aq sa shpesh e pyesin: pse merresh me rrënoja?! Ajo është vajzë që nuk e magjeps mainstream-i dhe figura e autoritetit, nuk heq kollaj dorë edhe kur është kërcënuar dhe i është i nënshtruar një procesi gjyqësor për shkak të profesionit. Në vitin 2014, kompania që do të investonte në Kalanë e Lezhës e hodhi në gjyq për dëmtim imazhi dhe i kërkonte 10% të vlerës së investimit prej 1.2 milionë euro. Gjyqin e fitoi në të gjitha shkallët Fatmira. Përballja me një sistem gjyqësor pa bërë asgjë gabim, e vuri para dilemës nëse duhet të vazhdojë dhe si. Duke raportuar: drejtori tha, ministri tha, specialisti shtoi? Shembja e Teatrit Kombëtar, ajo ishte në shesh atë natë, e tronditi, sepse pa që, sado t’i bësh bashkë dhe t’i ngresh njerëzit, beteja me aparatin shtetëror është e humbur. Atëherë ndodhi shkëputja nga “Gazeta Shqiptare”, shtëpia e saj për dymbëdhjetë vjet dhe kalimi në televizionin News 24. Fatmira e di që vetëdija e shqiptarëve për trashëgimitë nuk është më si në vitet dymijë, kur nisi gazetarinë e shkruar. Çështja është që, fuqia e pashmangshme e shtypit, për të cilin ky vend gjithmonë do të ketë nevojë, po pensionohet dhe arkivohet.

Edhe Valeria Dedaj e ka ndjerë atë fuqi për vitet që raportoi për “Shekullin”. E pasi gazeta ra, ajo kaloi në televizionin A1 Report. U ka mbijetuar furtunave, botuesve që përgjonin çdo qindarkë interesi privat. Nuk kishte rëndësi në ishte i majtë apo i djathtë botuesi, për sa kohë ajo dinte të ruante ekuilibrin e papërfshirë, me zërin opozitar dhe zërin brenda situatës në kronikat e saj, duke qëndruar e ftohtë në marrëdhënien me censurën. Tek “e papërfshira” ka vendosmëri dhe nuk përjashtohet ndjeshmëria për artistin vulnerabël, si prirje e Valerias për të parë aty ku të tjerë do të kthenin kokën mënjanë. Kjo i ka hapur dyert e çdo komuniteti, edhe në mesin e atyre që nuk zbërthehen lehtë. “Nuk mundet gazetaria pa pasur një etikë personale të zhvillohet dhe të përcillet tek audienca në mënyrë të drejtë. Nuk kam pranuar të bëj projekte të jashtme, të jem pjesë e ofertave apo të përfitoj benefite personale. Kam jetuar veç me rrogën e gazetares.” Edukim është edhe ky, forcohet karakteri në terren, krahas kulturimit të vazhdueshëm prej librit dhe shkollave. Midis stacioneve të autobuzit, midis dy takimeve, 1 orë para çdo premiere a koncerti, apo kur ke kryer punë në kohë rekord në pikën e montazhit, ka një kohë jo të papërfillshme për të lexuar.

leontina nika 1leontina nika 1
Kur me kamerën e saj ndiqte një spektakël, Leontina Nika i jepte rëndësi prapavijës, backstage-it, punonjësve, personazheve dytësorë, “dërrasave”, si proces për të kuptuar botën para se të hapet perdja. Foto kortezi: Leontina Nika.

Leontina Nika e ruan rutinën e leximit, siç e kam njohur dhe siç e gjeta në takimin tonë të fundit me “Turpin” e Rushdie-s. Ajo e nisi gazetarinë në televizionin Top Channel në vitin 2002. Nën drejtimin e Andi Bejtjes, bashkë me kolegen Alketa Sino ka bërë raportimin e përditshëm kulturor dhe ka mbajtur vitrinën e librit, e vetmja rubrikë afatgjatë sa dhe e pazhvilluar ka mbetur, si të ishte libri lëndë e patretshme për stomakun e mamuthit mediatik. Drejtoi të përmuajshmen “Spektër” disa vjet, e vetmja përvojë e Leontinës me shtypin e shkruar dhe nuk e mohon që ka bërë kompromise për ta shitur produktin, “sepse media është biznes ose shihet si e tillë nga ata që e drejtojnë”. Për ekranin ABC News-it ajo ka propozuar personazhe dhe tema pak të dukshme. Kur me kamerën e saj ndiqte një spektakël, i jepte rëndësi prapavijës, backstage-it, punonjësve, personazheve dytësorë, “dërrasave”, si proces për të kuptuar botën para se të hapet perdja. Kush ka punuar me të, e ka parë sa luftarake është për t’ia rrëmbyer kryeredaktorit më dashakeqës dhe servil politik një kamera për një kronikë kulturore, sakrificë që nuk njeh mirënjohje. Ajo nuk do donte ta përmendte, sidomos tani që është tërhequr përkohësisht nga ekrani.

Ky do ishte tipar i njeriut “që mbetet gazetar në çdo rast, në politikë apo në kulturë qoftë”, thotë Enkelejda Mema, e cila i takon të njëjtit brez në gazetari. I është dashur edhe asaj të kalojë nëpër zigzagen televizive sociale-politikë-kulturë, sa në programet e pasdites, në departamentet e informacionit. Rreth vitit 2015, Enkelejda ndjeu që bashkë me gazetat e fundit po binte edhe kultura, sepse gazetat kishin qenë pikë reference për gazetarinë televizive. Ishin ato që prodhonin lajmin e ditës, pastaj qasja e televizioneve ndryshonte, një palë ishte për kulturën informative, një tjetër për kulturën zbavitëse. Sa kohë punoi në Vizion Plus nën drejtimin e Arban Hasanit, bënte edhe kulturë kritike. Në TV Klan gjërat ishin të qarta: jo trashëgimi, jo kritikë, jo analiza buxhetesh e përgjegjësish. Tema si të drejtat e autorit trajtoheshin nën mbikëqyrjen e pronarit, sepse ligji i ndikonte atij biznese me të cilat shfrytëzonte pasuri kombëtare. Televizioni ngrihej mbi një pasuri të tillë, toka e Kinostudios dhe prej trashëgimisë së saj shpirtërore, filmave shqiptarë, ishte i pari që kishte vjelë të ardhura. Edhe për dasmën në kalanë e Gjirokastrës të kryetarit të bashkisë Veliaj, me të cilin tërhiqej dhe shtyhej sipas projekteve ndërtimore, Tv Klani donte të kontrollonte narrativën. Në kronikën e saj për këtë histori, Enkelejda ruajti balancën pa u bërë peng i pretendimit të shefave. Madje ajo e detyroi Ministren e Kulturës të heqë sulmin kundër saj nga faqja zyrtare e institucionit. “Në shumë raste, fitues kanë qenë ata, pronarët, jo unë. Si me Teatrin Kombëtar. E gjithë ngjarja u censurua. Unë kam bërë vetëm kronika të kujdesshme, që do të thotë, ta zhveshësh lajmin nga thelbi, aq sa të mos i interesojë më kujt, as televizionit jo. Tani që merrem me politikën, kurioziteti për kulturën nuk më ka vdekur, por në teatër nuk kam shkelur. Shembja e godinës më ka lënë shije të hidhur.” Enkelejda u largua nga Tv Klani sepse për dhjetë vjet rroga e saj, më e vogël se e kameramanit, rrinte në vend. Aktualisht raporton dhe analizon aktualitetin politik në televizionin EuroNews. Paguhet mirë, është “më e shfaqshme” dhe në këtë pikë s’e mban të qeshurën. “Si gazetar politik ke më shumë mundësi punësimi, krijon një rrjet shumë herë më të madh për situata të veçanta në jetën tënde, sepse njerëz jemi, qëllon të kemi halle dhe rrjeti i njohjeve hyn në punë.”

Kalimi nga kultura në politikë ka qenë gjallërues për Suadela Balliun. Politika gjeneronte një nivel angazhimi krejt tjetër, madje, me episode që sot i duken komike. “Edhe pse kisha nisur të ushtroja profesionin e gazetares që në vitin 2006, në 2019-ën ende kishte njerëz që mendonin se emri im ishte një nofkë. Nuk u tingëllonte real, perceptohej si pseudonim, pas të cilit qëndronte ndonjë gazetar apo aktor i vjetër i politikës.” Ishte periudhë kalimtare, sepse formimi dhe aftësia analitike e Suadelës nuk do kuptoheshin pa gazetarinë kulturore, pa librin, pavarësisht se botimet e disa prej kompanive mediatike ku ka punuar, si Jeta Media Company, kishin karakter më tabloid apo gossip. “Ishin revista që synonin të sillnin modele të ngjashme me Vanity Fair, Vogue, GQ apo People, të përshtatura me kontekstin shqiptar. Kultura aty, ndryshe nga gazetaria e përditshme e terrenit, kishte trajtim më të thelluar të lajmit, personazhit dhe të zhvillimeve që shënonin jetën artistike e kulturore të vendit.”

Kur flitet për kulturën, famën, popullaritetin, për celebrity culture me pak fjalë, ka një tension të paartikuluar qartë. Si kulturë që kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut, duhet që edhe ngjarjet t’i trivializojë. Edhe këtu studiuesit gjejnë vend të diskutojnë dallimin mes gazetarisë së keqe tabloide dhe gazetarisë së mirë tabloide, diskutim që Suadelës mund të mos i interesojë më. Ajo është tërhequr dhe kujdeset për Botimet UETPress.

elira kadriu2elira kadriu2
Kur raporton nga terreni, Elira Kadriu është në rolin e one woman show, duke bërë gazetaren dhe operatoren njëherësh. Foto kortezi: Elira Kadriu.

Po kur gazetaria e kulturës ndërthur argumentin politik dhe social, kur aplikon mjete jotradicionale dhe shpërndahet vetëm në forma kanalesh dixhitale, si duhet klasifikuar? “Alternative quajeni, po të doni”, thotë Elira.

Hyrja në gazetarinë dixhitale e organizatës së pavarur “Citizen Channel” ndodhi me një qëllim: të investigonte për trashëgiminë kulturore dhe pasojat e vendimmarrjes në zhvillimet urbane. Elira Kadriu iu bashkua redaksisë së vogël në vitin 2019. Sot e identifikojnë me Citizen-in. Ka raportuar për zona të prekura nga projekte korruptive dhe njerëz të shpërngulur nga shtëpitë, pronat (Astiri, 5 Maji, Baks-Rrjolli). Kush ka hall di ku ta gjejë.

“Nuk jam gazetarja tradicionale e kulturës. Unë e raportoj problemin në disa rrafshe, sepse për një projekt nuk mund të flasësh vetëm në termat financiarë apo estetik. Nga ana tjetër, unë nuk pres që ndryshimi të jetë sot për nesër dhe të jetë radikal. Njerëzit presin zgjidhje prej nesh, atëherë unë ndjej një barrë emocionale që më nxit të vazhdoj.” Kur raporton nga terreni, Elira është në rolin e one woman show, duke bërë gazetaren dhe operatoren njëherësh. Përshtatja me zhvillimet teknologjike e ka çuar drejt gazetarisë Mojo, mobile journalism, që kursen kohë, para, arrin qarkullim të shpejtë të lajmeve dhe historive. Vërtet qëndresa e njerëzve në nevojë janë kryefjala e raportimeve të Citizen-it, por Elirën e gjen edhe në “jongjarje” ku kamerat dhe gazetarët e televizionit nuk shfaqen.

Pamja e saj e jashtme reflekton një jetë në urgjencë, që nuk ndryshon në veshje apo qëndrim nga pamja e një gazetareje kulture e dhjetë apo njëzet viteve më parë: bootcut jeans, bluzë pambuk, cigare dhe kafe të gjatë. Në çantën e shpinës një kamera të vogël, aparat Canon, një Osmo për të cilin duhet të koordinohet në redaksi kush do ta marrë, një bllok shënimesh dhe një libërth: “Ollga Plumbi – Feminismi dhe shoqëria e jonë”, që konfirmon orientimin e zgjedhjeve që Elira ka bërë në jetë. E ka sjellë për mua, dhuratë.

Sistemi si qark i mbyllur

Sistemi i gazetarisë në Shqipëri ka përcaktuar fate gazetarësh dhe fatin e vet gazetarisë.

Versioni i Violetës është ky. Deri në vitin 2005 – ajo kishte ndërruar ndërkaq gjashtë redaksi – kishte pará dhe gazeta. Pas një gazete të re qëndronte një biznes ndërtimi, karburantesh apo një grup mediatik me model financimi të paqartë. Biznesit i duhej një gazetë për të shkuar drejt një qëllimi politik dhe anasjelltas. Reklamat, publikimet, tenderat për gazetat afër qeverisë, ishin burime të ardhurash që nuk derdheshin për shtypin dhe punëtorët e tij. “Dukej shpenzim i kotë që gazeta të shpërndahej në një fshat të Kuksit, ndërkohë që ndarja administrative atrofizonte qytetet. Pronarët i ranë shkurt, ndiqnin vetëm shitjet në Tiranë, sepse Tirana u bë hon që thithte gjithë jetën shqiptare. Kjo uli rëndësinë e gazetarit, rrogat jepeshin një herë në tre muaj, shumë gazetarë kishin marrë shtëpi me kredi dhe papritur e gjeje veten shtresë e varfër.” Punësimi i përkohshëm, pasiguria, keqpagimi, shkurt fleksibiliteti, i merrte lirinë punëtorit të medias dhe i ushqente shërbimin me bindje.

diktofonet e perdorur nga violeta muratidiktofonet e perdorur nga violeta murati
“Shqipëria është ai vend ku një artist të hedh në gjyq, sepse çfarë ke shkruar nuk është konform asaj që ai do,” thotë gazetarja Violeta Murati. Foto kortezi: Diktofonët e përdorur nga Violeta gjatë punës së saj si gazetare.

Në një artikull të vitit 2007, “A duhen subvencionuar mediat”, Violeta bën një bilanc të tregut me disa dhjetëra gazeta në qarkullim. Tregu ynë mund të mbante 3 deri 4 të përditshme, por askush nuk kishte parashikuar që të shuheshin të gjitha, siç ndodhi. U rikthye te “Standardi”, kur kishte nisur qëndresa për Teatrin Kombëtar, këtë herë për të shkruar në anonimat. S’kishte më kuptim të identifikohej. “Nuk kemi bërë gazetarinë më të mirë, por jo aq sa të zhbëhej ura që ndërtoi shtypi i pas ’90-ës, për t’u zëvëndësuar me gazetarinë e PR-it, që është autoritarizëm. Nuk e di sa del e shëndetshme mendërisht një shoqëri që dirigjohet si një orkestër.”

Marrëdhëniet e punës në media, si gjithë ekonominë e vendit e ka karakterizuar informaliteti për një kohë të gjatë, deri në 2019-ën kur hynë në fuqi ndryshimet në legjislacionin fiskal dhe procedurat tatimore. Pagesat kryheshin në dorë, përmes borderove, ndërsa deklarimet fiskale dhe kontributet shoqërore regjistroheshin në nivelin minimal të lejuar nga ligji. “Ndonjëherë konstatoje se sigurimet shoqërore nuk ishin paguar për vite të tëra pune”, thotë Suadela. “Një gazetar mund të siguronte të ardhura të kënaqshme, në përputhje me mesataren e tregut, por reporterët e kulturës ishin shpesh ndër më pak të paguarit. Ky fenomen vazhdon të ekzistojë.” “Idiotësi!” e quan Enkelejda hierarkinë e pagave që ka cenuar të drejtat e gazetarit kulturor. Kur je grua, prekesh edhe në nivele të tjera. Një problem në shtatëzani pati Enkelejda dhe mesazhi që i erdhi nga pronari ishte: “Thuaji asaj, po të dojë të vijë në punë, po të dojë të iki.” Llogaria është e thjeshtë: Kodi i Punës i njeh të drejtën një shtatzëne të punojë 6 orë në ditë. Veç kësaj, me Kod Pune paguhesh për 5 ditë, për kaq janë edhe siguracionet, pavarësisht se gazetari punon 6 ditë të javës. Nëse kompania do të respektonte Kodin, ato siguracione, thënë simbolikisht, do t’i shërbenin Enkelejdës për arsimimin e vajzës.

Leontina ka qenë në terren deri në muajin e tetë të shtatëzënisë së parë dhe çfarë e prek sa herë e kujton, është telefonata që mori pak pas lindjes së vajzës së dytë, kur i kërkuan të kthehet në punë.

Pastaj, kur ke kaluar të dyzetat, shihesh si relike e gazetarisë dhe është vështirë të gjesh një vend pune. Siç e thotë një profesioniste e zonja si Enkelejda, “pak duan gazetare që të jenë të mirëpritura në televizione. Ama, kur redaksia ndihet keq, t’i ngarkojnë ty drutë për t’i bërë ca punë. Je ti relikja që i merr përsipër t’i bësh.”

Një profesionist i hershëm në media, Agim Baçi, mendon se respektimi i të drejtave të gazetarit është përgjegjësi e vet gazetarëve dhe duhet zgjidhur me vetërregullim. “Nëse ia lë pronarit në dorë, do vuash mungesën e respektit për veten dhe nuk mund të thuash një ditë, ashtu i kisha kushtet, nëse nuk ke bërë atë që ke dashur, po ke bërë atë që të kanë thënë. Unë do ta filloja nga Urdhri i Gazetarit.” Rastet e përmendura deri tani flasin për shkelje të të drejtave që edhe Urdhri po të ekzistonte, nuk do ndryshonte gjë. Ata që bëjnë ligjet i zbatojnë ato në bashkëpunim me pronarët mediatikë.

Në periudhën e Covidit, Valeria Dedaj vendosi të shkëputet, sepse kuptoi “sa shumë japim dhe sa pak vlerësohemi”. Njëra nga koleget u pushua, kurse ajo punoi pa pagesë nga shtëpia. “Edhe pse ke punuar 12 orë në ditë, gjendesh në mes të asgjëje. Këtu duhet të luftosh për të drejtën tënde, për diçka që është e dukshme dhe kjo të lodh. Dashuria për profesionin të kthehet në një zanat bosh dhe ta vret atë që ke arritur së brendshmi.” Largimi nga vendi e bëri Valerian ta nisë nga zeroja jetën në Bristol, ku punon dhe ndjek kolegjin.

Duke qenë kështu, nëse nuk e gjen veten në një portal a podcast, bëhesh prekariat shqiptar, do të thotë, i dyshimtë dhe jo joshës profesionalisht. Gazetari rrezikon të humbasë respektin për çfarë i ka dhënë shoqërisë. Atëherë është momenti për të përfshirë në analizë të tjerë aktorë. Krijuesit, pjesë e sistemit janë edhe ata.

Si tipar të komuniteteve artistike, Violeta dallon paaftësinë e tyre për t’u përballur. “Shqipëria është ai vend ku një artist të hedh në gjyq, sepse çfarë ke shkruar nuk është konform asaj që ai do.” I kujtohet një artikull i Arshi Pipës për një koncert të Tefta Tashkos në vitet ’40, kur Lasgushin shkruante për muzikën, një muzikant shkruante për një ekspozitë, një poet për një shfaqje teatri. Ishin individë me formim të shumanshëm dhe përbënin komunitet. “Sot kjo nuk ekziston. Shkrimtarët, për shembull, janë të papërfshirë. Nuk kanë empati të kuptojnë se, ajo që shikojnë në teatër, në kinema apo në çfarë botohet, nuk i përket vetëm atij që e krijon dhe tjetrit që e sheh. E kur një dhunti duhet ta përdorësh dhe nuk e përdor, ajo thahet.” Tek kjo përtaci peshon dhe mentaliteti që e quan banale pjesëmarrjen në diskutimin publik për një vepër arti, sepse gjykimi kritik u dashka të jetë vetëm i nivelit akademik, elitar, nën diktatin e citatit dhe footnote-ës, në revista me faktor impakti, pa kurrëfarë efekti në sistemin vendas të gjykimit të vlerave, mjaft të plotësohet plani vjetor për Akademinë e Shkencave.

Redaktori kulturor as të komisiononte artikuj nuk mundej, sepse gazetat nuk paguanin. Violeta tentoi të mbajë një rubrikë “kritikë arti” me studentë të Arteve që kishin aftësi për të shkruar. Nuk funksionoi. Ka një shpjegim, po të ndjekësh zinxhirin arsimor. Lënda e Arteve nuk është marrë seriozisht për edukimin fillor dhe parauniversitar. Akademia e Arteve, si i vetmi institucion i arsimit të lartë deri në 2009-ën i dedikuar për artet, duhej të përballej me mungesën e stafit të kualifikuar për programet Master të Arteve, madje, edhe artistë të shquar me titullin “profesor” nuk kishin një diplomë të këtij niveli. Veç kësaj, programi universitar nuk parashikon për asnjë degë të artit lëndë formimi për kritik apo studiues arti. Në degët ku mund të formoheshin teorikisht gazetarë kulture, gjendja ka qenë dekurajuese. Sipas një anketimi të vitit 2016 të Komitetit Shqiptar të Helsinkit me studentë gazetarie dhe komunikimi në pesë universitete shqiptare, ka rezultuar si vijon:

34% preferojnë të profilizohen në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe jo në media; 6% pranojnë se nuk lexojnë asnjë libër jashtëshkollor gjatë një viti akademik; 26% lexojnë 1-2 libra; 36% lexojnë 3-4 libra; 14% lexojnë 5-6; 18% lexojnë mbi sasinë e fundit; 8.5% lexojnë libra që kanë të bëjnë me profesionin; 60% e tyre kalojnë 2-4 orë në ditë në rrjetet sociale.

Ndër faktorët që nuk e ndihmojnë klimën, Fatmira Nikolli përmend ndryshimin që ka pësuar roli i intelektualit në shoqëri. “Kultura përbën lajm si debat i një niveli tjetër, i një sherri. Niveli i qokës është një përmbysje e sistemit të vlerës dhe mungesa e mendimit kritik, na bën të trembur për bukën tonë të përditshme. Një shoqëri e trembur mund të udhëhiqet lehtë me imazhe 3D dhe me humor të prodhuar nga inteligjenca artificiale. Kam frikë se do përfundojmë në ishuj: një grup që di shumëçka dhe një grup që funksionon si cirk.” Ka edhe efekt mbrojtës kultura dhe “duke qenë një nga ato fusha që duan ta ndikojnë dhe orientojnë, ajo të jep luksin të thuash mesazhin që do, pavarësisht cili mund të jetë qëndrimi i linjës editoriale. Fjala të krijon mundësinë ta fshehësh elefantin brenda një fjalie ku nuk shihet elefanti”. Sa për linjën editoriale, funksionon edhe diçka tjetër kundër. Redaksitë, kryeredaktorët, drejtorët janë të ngurtë përtej imagjinatës. Aftësia shkon deri tek modeli i kopjes (“bëje si ky”, “shiko një çikë Rain”), por aty nuk gjen emancipim që të kuptosh se kulturën s’mund ta trajtosh si gazetari burimesh dhe tavolinash televizive sipas formulës: një i yni, një mistrec dhe një sikurgazetar në mes. Kjo ka penguar dhe dekurajuar zhvillimin e zhanreve që rrinë në këmbë edhe pa burime, pa spekulimin e fakteve alternative, por në sajë të dëshmisë, ndjeshmërisë, stilit, leximeve. Rrjedhimisht, nuk do ketë mundësi për të lëvruar esenë, kritikën e artit, llojet e reportazhit, intervistën e thelluar për hir të respektit për krijimin dhe jo për biografinë e artistit, vanitetin, kulinarinë dhe vipllëkun e tij.

I shtohen këtij fronti në disfavor, organizatat që financohen me fonde të njëpasnjëshme të Bashkimit Europian për konferenca dhe festivale gazetarie (se gazetarinë është e sigurtë që e kemi) dhe për të mbajtur në këmbë pseudosensibilitetin kundër seksizmit dhe dhunës ndaj gruas në media (sikur të ishin duke bërë gazetari që shet), pa pasur një plan konkret dhe urgjent për të nxitur drejtpërdrejt edhe gazetarinë kulturore që po zhduket. Në mos po, nuk mbetet veç të hamendësosh se, thellë në pavetëdijen e këtij fronti, ekziston frika ndaj gazetarisë që kërkon përgjigje, që e përpunon fjalën në letër, sepse ashtu përpunohet vetëdija.

Familje të mëdha, obsesione ca më të mëdha

Zhdukja e ngadaltë e gazetarisë kulturore
Në Korçë, në kinemanë më e vjetër në Shqipëri, ambjentet brenda ndërtesës shfrytëzoheshin nga privatët për bilardo dhe kafene.
Foto kortezi: Elsa Demo, 2003.

U largova pas dhjetë vjetësh te “Shekulli” në pranverë të 2013-ës. Nuk po e njihja më gazetën. Teksti në shërbim të fotos, rubrikat klasike të mbledhura në tri kategori të reja: Radar, Thellë dhe Jetë. Te kjo e fundit bashkoheshin socialja, kultura sporti, zbavitja, me një foto-kopertinë të përbashkët. Agresion i panegociueshëm. Nuk e mora vesh qartë nga vinin arkitektët e kësaj pune. Prezantoheshin si organizatë ekspertësh komunikimi nga Mbretëria e Bashkuar. “Çfarë do prezantosh nesër?”, më pyeti drejtuesi i ekipit, ai që përcaktonte filozofinë e përmbajtjes dhe të ndarjes së hapësirës, derisa t’ia merrnim ne dorën butonave të makinës së re. Mbaj mend gjestin e tij kur foli: ishte duke u fshirë si pas një vakti (redaksia e “Shekullit” ishte disa kate poshtë apartamentit të Kokëdhimave). “Do shkruaj për “Në kështjellën e mjekërkaltrit” të George Steinerit”, thashë. “Botohet për herë të parë në shqip.” “Sa vetë e lexojnë?” pyeti dhe psali: “Thjeshtim! Thjeshtim!”

Ku ndodhen këta, vallë? U ka rënë në vesh ç’u bë me projektin e tyre mijëra euro që u bë surrogat i një prej të përditshmeve më të rëndësishme në vend?

Pak muaj pas atij operacioni plastik, botuesi Koço Kokëdhima e mori nën drejtim si kryeredaktor gazetën, për të garantuar zbatimin e projektit zhvillues dhe modernizues. “Komuniteti i lexuesve tanë është rinuar. Produktet duhet të evoluojnë bashkë me lexuesin.” Kurrëfarë reflektimi për shtypin në raport me mjetet e komunikimit në masë dhe rrjetet sociale që po sfidonin dhe përse gjuha e “Shekullit” duke bërë thjesht një lifting, duhej homogjenizuar si ato.

Që nga lindja e Facebook-ut, YouTube-it, e shërbimit të mikro-blogjeve Twitter, në hapësirat e World Wide Web-it do ngriheshin me shpejtësi agjenci lajmesh, portale, revista online. Anketat europiane për gazetarinë dixhitale tregonin se sistemi i komunikimit dixhital i shekullit të 21-të kishte përmirësuar gazetarinë, kishte demokratizuar dhe në të njëjtën kohë zhvlerësuar e zbutur vështrimin për gjërat. Në rrjetet sociale, studiuesit gjenin një masë të shtuar oreksi, provokuar më parë nga Big Brother dhe X Factor, që përbënin frymën kulturore të viteve dymijë. Sërish, oreksin e nxitnin dëshira për vetëpromovim, vuajerizëm, arratisje me anë të medias, që, siç thuhet në studimet për efektet e medias, ishte një proces shekullor trashëgimie nga landscape-i në mediascape. Stacionet televizive që rritën shikueshmërinë edhe përmes të tjera formateve të ngjashme që erdhën më pas, dominuan vëmendjen e publikut duke rrezikuar ta argëtojnë atë deri në vdekje. Është një spektakël që nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e njëkohshëm të një shoqërie narciziste, e cila sillet sikur është nën vëzhgim apo në qendër të vëmendjes së një audience reale ose imagjinare. Jeta e përditshme estetizohet, edhe arti bëhet më shumë si jeta e përditshme, duke shkuar dora dorës drejt një kulture konsumi. Kjo pasqyrohet në rubrikat e programacioneve televizive dhe të portaleve, në titujt e tyre të larmishëm dhe absurdë që thonë të njëjtën gjë: paparazzi, stil, best selfie, pikante, diaporama etj. Lajme dhe histori me përmbajtje origjinale nuk gjen. Informacionet nuk kanë autor.

Sondazhet që ka kryer në vite Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës kanë ndihmuar studiuesit të njohin modelin ekonomik dhe financiar të mediave bashkëkohore, ndërtimin e programacioneve, përdorimin e teknologjisë, sjelljen e gazetarëve dhe të audiencave. Sipas pedagogut Ervin Goci, mediat tracionale janë kthyer në portale të rëndomta, që mundohen të rentabilizojnë teknologjikisht, algoritmikisht. Në këtë turravrap, të njëjtën gjë ka shpallur media publike shtetërore për t’u futur në treg dhe për të mbijetuar me kushtet e tregut. “Politika zë mbi gjysmën e hapësirës së programacionit në studio televizive, që nuk prodhojnë asgjë. Kultura ka dalë jashtëzakonisht e dëmtuar nga ky mentalitet që e varfëron hapësirën kulturore në atë masë, sa njerëzit nuk e kërkojnë më. Kjo është news desert. Kjo vlen për kulturën, kur njeriut nuk i mungon më dhe ai nuk skandalizohet nga banaliteti që e rrethon.” A ka, së paku, Televizioni Shqiptar një model për programet kulturore? Sondazhi i pedagoges së gazetarisë kulturore, Holta Shupo, del në përfundimin se në TVSH të gjitha programet kulturore janë të kontraktuara, me pagesa modeste, me kohë televizive dhe hapësira fizike të kufizuara, me mungesë stafi gazetarësh dhe teknikësh që nuk kanë mundësi të dalin në terren apo jashtë kryeqytetit. E sa për hapësirën web, ajo konsiderohet shtojcë.

Mbajtja e një programi kulturor 20 minuta në ekranin e ABC News-së (në pronësi të TV Klanit) në vitet 2013-‘16 ishte për mua sprovë për të ruajtur ekuilibrin profesional, për t’u përshtatur pa traumë gjatë kalimit nga shtypi në një medium tjetër dhe për të mos e humbur kontaktin me publikun. Me qeverisjen e re socialiste, megjithëse hyri në fuqi ligji “Për të drejtën e informimit” (2014), gazetarëve iu vështirësua puna për të siguruar informacion, dokumente, për të investiguar e për rrjedhojë, u dobësua liria e shprehjes dhe autoriteti profesional. Njëkohësisht, i duhej bërë ballë frustrimit të përditshëm që përcillte një linjë editoriale e paqëndrueshme për shkak të ndërhyrjeve të pronarëve. Ndonëse ishte gazetaria politike ajo që duronte presionin më të madh, gazetarisë kulturore i rrinte përballë Goliathi i spektaklit. “Dy gjëra do t’i prishnin punë spektaklit: kultura dhe besimi”, thotë Agim Baçi. Dy sfera ku shtrohen pyetje thelbësore për jetën, njeriun, universin. Për këdo që nuk do të jetojë në një nivel të tillë qytetërimi, mendimet e vërteta i provokojnë urrejtje. Është një arsye pse kultura del armike e spektaklit. “Të gjithë jemi nga pak fajtorë. Edhe unë që kam pasur pozita drejtuese në media, pavarësisht këmbënguljes, nuk kam mundur t’i jap hapësirën e duhur Kulturës për shkak të presioneve të jashtme. Ajo që më shqetëson është rënia e nivelit kulturor të të shkruarit, jo thjesht të shkruarit për kulturën. Me rënien e gjuhës së shkruar, me helmimin e saj, më saktë, ke helmuar mendimet.”

Mjaft investim familjet e mëdha mediatike e kanë hedhur për iluzion televiziv, që publiku t’i arratiset jetës dhe vetëdijes kritike dhe t’u jepet produkteve që mediat shesin, ndërkohë që shtien në dorë dhe transanksionojnë pasuri publike me vlera kombëtare. Kompanitë e lidhura me mediat TV Klan, Top Channel, Vizion Plus, që drejtohen respektivisht nga familjet Frangaj-Gina, Dulaku dhe Hoxha, të cilat gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë përqendruar në duar peshën kryesore të medias kombëtare, kanë garantuar bashkëjetesën me interesa ekonomikë të lidhur me leje ndërtimi, licenca dhe projekte me peshë publike, siç thotë raporti më i fundit “Ekspozimi ekonomik i medias dhe rreziqet për pavarësinë editoriale në Shqipëri”, që kanë hartuar avokatët aktivistë Irena Dule dhe Dorian Matlija.

Raporti tregon se si ky proces, që duhet bërë transparent dhe duhet hetuar, u solli oligarkive mediatike përfitimin e statusit “investitor strategjik” apo botuesve më të vegjël avantazhe të tjera (Carlo Bollino nuk hyn tek familjet e mëdha, por mediat e tij janë pjesë e raportit për përfitimin e tokës publike me qira 1 euro).

Janë krijuar marrëdhënie të strukturuara ndërmjet subjektit privat dhe institucioneve publike që çojnë në përdorimin e medias si levë presioni, po dhe në shpërthimin e konflikteve si në rastin e sulmeve të qeverisë ndaj televizionit News 24. Pronarët e tyre me shumëllojshmëri aktivitetesh ekonomike nga ndërtimi tek prodhimi i birrës, u bënë të varur nga lejet e zhvillimit, politikat territoriale dhe raportet me pushtetin.

Ndaj, njerëzit, kur marrim opiatin e spektaklit dhe të agresionit kulturor, le të mendojnë për pak prapavijën ku vaditet kapitalizmi mediatik i llojit shqiptar.