Fri, Jul 17, 2026

Plagosje me armë zjarri në Sarandë, qëllohet Thimjo Rubati

Plagosje me armë zjarri në Sarandë, qëllohet Thimjo Rubati
  • PublishedJuly 17, 2026

Plagosje me armë zjarri në Sarandë, qëllohet Thimjo Rubati – policia në kërkim të autorëve

SARANDË – Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e një sulmi me armë zjarri, të regjistruar mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës.

I plagosuri është identifikuar si Thimjo Rubati, 50 vjeç, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin e Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim mjekësor.

Nga të dhënat e para dyshohet se bëhet fjalë për një atentat. Burime paraprake bëjnë me dije se Rubati është qëlluar nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motomjet. Pas të shtënave, autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim ende të paidentifikuar.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë së Shtetit mbërritën në zonë dhe rrethuan vendin ku ndodhi sulmi. Paralelisht janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe daljet e qytetit, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin e sulmit, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga policia me më shumë detaje.