‘Kështjellë mbi drejtësinë’: Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë pritet me kritika
Një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë, i hartuar për të përafruar legjislacionin vendas me atë të Bashkimit Evropian, ka tejkaluar qëllimin e tij duke ofruar një mburojë penale për drejtuesit e institucionit përmes forcimit të imunitetit përballë ndjekjes penale dhe masave të arrestit.
Shqetësimi kryesor lidhet me nenin 72 të projektligjit, i cili ndalon çdo formë arrestimi apo kontrolli personal e të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zv. guvernatorët pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas draftit, nëse kjo e fundit nuk shprehet brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e refuzuar.
Edhe pse në relacionin shoqërues theksohet vazhdimisht se këto ndryshime bëhen në kuadër të përafrimit me “acquis communautaire” të Bashkimit Evropian, ekspertët e ekonomisë dhe juristët ngrenë alarmin se po krijohet “një kështjellë politike” që e vendos Bankën e Shqipërisë mbi drejtësinë dhe ligjet e transparencës kombëtare.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e analizon këtë kërkesë si një përpjekje për t’u mbrojtur nga llogaridhënia, e cila kamuflohet sipas tij me përafrimin e legjislacionit me BE-në. Preçi e sheh këtë përpjekje në të njëjtën linjë me frymën e qeverisë për të forcuar imunitetin pas rastit “Balluku”, e cila qarkulloi një listë me funksione të larta që nuk prekeshin nga pezullimi nga detyra, përfshirë edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
“Alibia e përafrimit të legjislacionit nuk funksionon në këtë rast,” tha Preçi, duke sjellë në vëmendje një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi guvernatorin e Bankës së Letonisë, arrestimi i të cilit u la në fuqi pavarësisht kontestimit nga Banka Qendrore Europiane.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese si “filtër” për veprimet e prokurorisë ngre pikëpyetje thelbësore të procedurës penale edhe për juristët. Pas informimit mbi projektligjin, juristi Ervin Metalla vëren një kontradiktë të hapur në këtë përpjekje.
“Unë nuk besoj se nevoja për pavarësi e justifikon këtë mbrojtje të shtuar, sa kohë është gjykata në çdo rast ajo që do caktojë masën. Jo vetëm kaq, por duket se vendimin për arrestimin e jep Gjykata Kushtetuese, gjë që bën nonsens,” tha Metalla për BIRN.
Ai mendon gjithashtu se ky parashikim në projektligjin për Bankën e Shqipërisë merr shkas nga ngjarje konkrete të ndodhura në Shqipëri, por që janë verifikuar në shkallët e gjyqësorit.
“…Frika për ‘gabimin’ e ndonjë gjyqtari nuk mendoj se duhet zgjidhur në këtë mënyrë,” shtoi Metalla.
E njëjta linjë kritike ndahet edhe nga konstitucionalistët, të cilët folën me BIRN në kushtet e anonimatit. Ata vlerësuan se kjo mbrojtje për Guvernatorin dhe zëvendësit e tij “nuk parashikohej në Kushtetutë” dhe se binte ndesh me frymën dhe reformat ligjore të ndërmarra më herët, ku vendi po shkon drejt zvogëlimit të imunitetit apo mbrojtjeve të veçanta.
“Ky propozim vjen në rrjedhën e shmangies së përgjegjësisë personale të drejtuesve të institucioneve. Guvernatori vërtet përfshihet në Kushtetutë (neni 161) si subjekt që zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit, por dhënia e imunitetit duket qasje e pambështetur, pasi konfirmimi i masës nga gjykata e zakonshme është më se i arsyeshëm. Për më tepër, shtrirja e një garancie edhe për zëvendësguvernatorët flet vetë,” tha një ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Një përfaqësues i Bankës së Shqipërisë, anëtar i grupit të ekspertëve që punuan për draftimin e ligjit, i kundërshtoi kritikat duke kërkuar gjithashtu që të mbetej anonim. Sipas anëtarit, nuk bëhet fjalë për imunitet, pasi hetimi penal mund të vijonte pavarësisht arrestimit apo jo, por për mbrojtje nga arbitrariteti për të siguruar stabilitetin financiar në vend.
Propozimet u mbrojtën gjithashtu si të konsultuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën e Luksemburgut.
Parashikimet e reja ligjore (Neni 68) i lejon Bankës së Shqipërisë të shpallë konfidenciale apo sekret një seri informacionesh dhe ia ndalojnë Komisionerit për të Drejtën e Informimit të vlerësojë ndryshe apo të urdhërojë publikimin e tyre. Draftuesi këmbënguli se kjo ishte një praktikë e vendeve të BE-së, por BIRN gjeti se këto vendime konfidenciale të Bankës Qendrore Europiane kontrollohen sidoqoftë në rast kërkese nga Ombudsmani i Evropës.
Përtej debatit juridik, Preçi thotë se ligji i ri nuk garanton ndonjë pavarësi të Bankës së Shqipërisë, pasi kjo e fundit, sipas tij, i është nënshtruar qeverisë.
“Me politikat e saj monetare ky institucion i ka shërbyer më së miri qeverisë së radhës, deri në atë masë sa, në kohë të caktuara, Banka Qendrore ka ngjasuar me një drejtori të Ministrisë së Financave”, ironizoi ai, duke vënë në dukje se banka nuk kishte asnjë reagim të pavarur edhe kur vendi “është mbytur nga fluksi kolosal i parave informale dhe kriminale”.
