Wed, Jul 22, 2026

Laert Haxhiut i gjendet sërish telefon në Burgun e Drenovës, SPAK nis zbërthimin

Laert Haxhiut i gjendet sërish telefon në Burgun e Drenovës, SPAK nis zbërthimin
  • PublishedJuly 22, 2026

Laert Haxhiut i gjendet sërish telefon në Burgun e Drenovës, SPAK merr në dorëzim pajisjen për ekspertizë

Një tjetër incident i rëndë është regjistruar në Burgun e Sigurisë së Lartë të Drenovës, ku gjatë një kontrolli të befasishëm është gjetur një telefon celular në qelinë ku mbahet i dënuari me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu.

Operacioni është zhvilluar rreth orës 06:00 të mëngjesit nga strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjatë kontrollit në ambientet e qelisë së Haxhiut, i cili po hetohet edhe nga SPAK si drejtues i një organizate kriminale, është sekuestruar një aparat celular që dyshohet se përdorej prej tij. 

Menjëherë pas sekuestrimit, telefoni është dërguar në laboratorin digjital të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku do t’i nënshtrohet ekspertizës. Hetuesit synojnë të zbërthejnë komunikimet, kontaktet dhe të dhënat e ruajtura në pajisje, për të verifikuar nëse Haxhiu ka vijuar të komunikojë me persona jashtë burgut apo të ketë dhënë udhëzime për veprimtari kriminale nga qelia. 

Sipas burimeve, kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që Laert Haxhiut i gjendet një telefon celular në burg, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si sendet e ndaluara futen në institucionin e sigurisë së lartë. Rasti ka rikthyer në qendër të vëmendjes problematikën e kontrollit të brendshëm në burgje. 

Pas rastit të parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndërmori masa administrative, duke shkarkuar drejtorin e Burgut të Drenovës dhe duke pezulluar shefin e Policisë së burgut, ndërsa u emëruan drejtues të rinj. Paralelisht, SPAK vazhdon hetimet për të zbuluar nëse punonjës të burgut kanë bashkëpunuar në futjen e telefonave apo sendeve të tjera të ndaluara. 

Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës” dhe, pas ekstradimit nga Greqia, po përballet edhe me një proces të veçantë në GJKKO, ku akuzohet si drejtues i një organizate kriminale të përfshirë në të paktën 17 ngjarje të rënda kriminale, të zbardhura kryesisht përmes dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.