Legjionarët/ Marash Kumbulla jashtë planeve të Gasperinit, 3 skuadra në La Liga në garë për mbrojtësin shqiptar
E ardhmja e Marash Kumbullës duket gjithnjë e më larg Romës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është rikthyer në Trigoria pas huazimit në Spanjë, por nuk bën pjesë në planet e trajnerit Gian Piero Gasperini për sezonin e ri.
Sipas mediave italiane, Roma synon ta shesë përfundimisht 26-vjeçarin gjatë kësaj vere, ndërsa tre skuadra të La Ligës – Rayo Vallecano, Levante dhe Elche – kanë shfaqur interes dhe kanë kërkuar informacion për kushtet e transferimit. Deri më tani nuk ka oferta zyrtare, por pista spanjolle mbetet më e nxehta.
Edhe pse Kumbulla vazhdon të stërvitet me skuadrën, ai konsiderohet jashtë projektit teknik dhe pritet të largohet për t’i dhënë mundësi klubit të sigurojë të ardhura për merkaton. Nga ana tjetër, vetë mbrojtësi ka shprehur dëshirën për të qëndruar në kryeqytetin italian dhe për të bindur Gasperinin, por gjithçka tregon se aventura e tij me fanellën verdhekuqe është drejt fundit.
