Thu, Jul 23, 2026

Policia shoqëron me forcë aktivistët dhe një gazetare gjatë protestës

Policia shoqëron me forcë aktivistët dhe një gazetare gjatë protestës
  • PublishedJuly 23, 2026
Një kordon policie duke ndaluar protestuesit që t’i afrohen parlamentit. Foto: LSA.

Aktivisti Edison Lika ishte duke dhënë një intervistë live për televizionin Neës 24 pasditen e së enjtes, kur u rrethua nga një grup policësh, të cilët e shoqëruan atë duke e tërhequr zvarrë.

“O çuna mereni këtë. Merreni…, hopa…,” u filmua të thoshte një punonjës policie, pavarësisht se Lika, një ndër protestuesit më të zëshëm të lëvizjes së quajtur “Revolucioni i Flamingove”, nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm.

Një numër aktivistësh dhe një gazetare e Citizens.al u shoqëruan në rrethana të ngjashme pasditen e së enjtes, pas orësh të tëra tensioni mes forcave të policisë dhe protestuesve përballë Parlamentit të Shqipërisë.

Policia u përpoq të shpërndante protestën me spray me piper dhe ujë me presion, ndërkohë që protestuesit u kundërpërgjigjën duke goditur me vezë dhe domate makinat e deputetëve.

Citizens.al njoftoi se gazetarja e tyre, Vjolanda Peca u shoqërua për disa kohë në komisariat, ndërsa ishte duke ushtruar detyrën e saj në raportimin e protestës së zhvilluar sot para Kuvendit. “Çdo ndërhyrje që cenon ushtrimin e lirë të profesionit përbën shqetësim serioz për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar,” deklaroi përmes një statusi redaksia e Citizens.al.

“Lëvizja Bashkë” denoncoi arrestimin e dhunshëm të protestuesve, mes të cilëve dhe aktivistët e kësaj lëvizjeje, Mirela Ruko, Emiljando Kita dhe Ylli Tarafuçi. Ndërkohë, u shoqëruan në polici aktivistët Arnen Sula, Elsa Paja dhe Dritan Goxhaj.

Burime zyrtare të Policisë i thanë BIRN gjatë një bisede telefonike të enjten, se deri në orët e pasdites ishin shoqëruar 7 persona të pranishëm në protestë. Por, sipas policisë, të dhënat nuk janë ende përfundimtare dhe se në vijim do të shpërndahej njoftim për shtyp.

Sipas të dhënave nga protesta dhe atyre të bëra publike, numri i protestuesve, aktivistëve dhe gazetarëve të shoqëruar, është më i lartë nga të dhënat paraprake të policisë.

Sulmet publike personale ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe ndaj qytetarëve të cilët i janë bashkuar protestës antiqeveritare, solli të enjten reagimin e 31 organizatave të shoqërisë civile, media të pavarura dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Qindra protestues u përplasën me forca të shumta policore në ditën e 54 të protestës që nisi kundër projektit të një resorti turistik në Zvërnec dhe u shndërrua në lëvizjen më të madhe qytetare që pas viteve ’90.

Protesta përpara parlamentit është pjesë e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila u thirr për shkak se deputetët u mblodhën në seancën e fundit të sesionit.