Mon, Aug 17, 2026

Në centrifugën kombëtare të librit

Në centrifugën kombëtare të librit
  • PublishedAugust 17, 2026
Qindra qytetarë vizituan panairin e librit që në orët e para të hapjes së tij të mërkurën e 13 nëntorit. Foto : Nensi Bogdani

Vendosa të konkurroj në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit qershorin që shkoi. Nuk i isha afruar ndonjëherë Qendrës që prej themelimit në 2019-ën. Kam parë në aberracion të pandërprerë integritetin e zyrtarit dhe të institucionit nën drejtimin e një gazetareje, dorëzimin e fondeve publike dhe të çmimeve në një dorë të ngushtë njerëzish, që ka thyer besimin publik. Është provuar që, kur gazetarët kapërcejnë pragun e zyrave të shtetit dhe bëhen instrument i tij, denatyrohet tek ata profesionisti dhe qenia njerëzore u thahet për t’u ngjyer si buka në janinë e pushtetit.

Provova në Qendër, e detyruar nga ndryshimi i politikave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cila këtë vit (prapë nga e para) thirrjen e projekteve për individët krijues ua la në dorë institucioneve: Galerisë Kombëtare, Teatrit Kombëtar, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, dhe vetë administroi projektet e organizatave kulturore.

Duke qenë se projekti im nuk figuronte tek fituesit dhe as tek humbësit, i drejtova Qendrës jo një ankesë, por një kërkesë për t’u informuar: për rezultatin, pikët e dhëna (nëse kishte pasur ndonjë sistem pikëzimi), arsyet e mosfinancimit, u kërkova një kopje të vendimit të Kolegjiumit dhe kriteret e aplikuara në vlerësim, sepse një konkurs nuk e bëjnë fituesit, por mënyra e vlerësimit dhe kush vlerëson.

Përgjigja ishte kjo: “Projekti është paraqitur nga një individ dhe jo person fizik ose person juridik, siç e parashikonte udhëzimi i bërë publik nga QKLL-ja.”

Jam lënë jashtë sepse nuk kam aktivitet ekonomik.

Mendova një herë t’i drejtohem Ministrisë së Kulturës, kur më doli para sysh ministri përkrah kreut të qeverisë në stadiumin që improvizohej diku autostradës, i dëgjova që do të firmosnin për 4.3 milionë euro për të shpëtuar koncertin e një raperi amerikan, në mbrëmje e bënë fakt, e ndërkaq lexoja dyshen e tyre që nga facebook-u sulmonte protestuesit në bulevard. Kur disa ditë më vonë më ra në dorë “Strategjia kombëtare për kulturën 2026-2030”, një dokument për si është qeverisur kultura në 13 vjet, atëhere mendova sërish që, një sistem narcizist kishte për ta nëpërkëmbur letrën time. Ndërrova adresë dhe vendosa ta bëj publike historinë.

Fjala është për një konkurs për librin, për të cilin Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si organizatore, i kërkon NIPT aplikantit, duke e detyruar atë që nuk ushtron aktivitet ekonomik, të regjistrohet si i vetëpunësuar dhe të marrë përsipër detyrime ligjore e financiare që të ketë të drejtë të aplikojë.

U konsultova me jurist, ekonomist, ekspertë të skenës kulturore të pavarur dhe me gjithë rezervat e tyre, se nuk do arrija ndonjë farë të drejte përmes llogaridhënies, vendosa të shkruaj, jo për të zhbërë vendimin, po për respekt të dëshmisë. Historia personale vjen e bëhet e qindra të papunëve dhe të vetëpunësuarve në sektorin e kulturës, artit dhe trashëgimisë në vend, një bashkësi prekariati, që, e zbuluar nga mungesa e ndonjë plani social dhe ekonomik të qeverisë, rend dhe vepron me makth nën diktatin e projekteve, aplikimeve, granteve.

Merimangë interesash

Në Udhëzimin e thirrjes për financimin e projekteve mbi librin dhe leximin për vitin 2026, kërkohej që aplikantët të ishin “të regjistruar dhe të ushtrojnë aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Nëse me person fizik kanë pasur parasysh një subjekt që ushtron aktivitet ekonomik, tregtar, atëherë kjo është një kërkesë tjetër nga thjesht “person fizik”, i cili, në kuptimin juridik, nuk është kategori e ndryshme nga individi. Ky term nuk ishte shkruar shprehimisht në udhëzimin e QKLL-së dhe më tej nuk i kushtova rëndësi, se, nuk mund të kishte më shumë peshë se ideja që duhet të propozoja. Pastaj, çdo vit janë mbështetur persona fizikë si thjesht individë që veprojnë në fushën e librit, siç e thotë rregullorja. Të njëjtët terma përdori Ministria e Kulturës në thirrjet për projekte vitin e kaluar, ku kam aplikuar dhe fituar (hera e parë dhe e vetme).

Galeria Kombëtare dhe Teatri Kombëtar e ruajtën skemën ku individi aplikon drejtpërdrejt, u treguan gjithpërfshirës për individët artistë dhe personat fizikë. Të mendosh që prodhimi teatror, ndonjëherë edhe ai vizual, e ka të nevojshme ta marrë në dorë një person fizik, sepse kërkon më tepër kapacitete juridike dhe ekonomike, nga ç’duhen për botimin e një libri apo organizimin e një mbrëmjeje letrare. Nga ana tjetër, paraja publike për librin copëtohet në buxhete aq modeste, sa dhe një rishtar në punë faturash do t’ia dilte, siç ia ka dalë kush është mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo Swiss Culture Foundation. Këta të fundit edhe formularët e aplikimit i kanë ku e ku më të thjeshtuar se të Ministrisë. Kjo për të thënë që, kriteri NIPT nuk ka bazë. Aq më tepër, në statutin e Qendrës, neni 15, thuhet: “Kolegjiumi vlerëson dhe përzgjedh projektet nga pikëpamja e përmbajtjes dhe asaj financiare.” Atëherë, është përdorur një kriter përjashtues që i heq të drejtën për aplikim një autori, një individi me përvojë dhe ekspertizë në fushën e librit.

Për atë që nuk ka të ardhura të konsiderueshme, regjistrimi i NIPT-it me qëllimin për t’u pranuar në një konkurs, është barrë ekonomike dhe administrative, sepse të figurosh si person fizik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duhet t’u përgjigjesh disa detyrimeve – deklarime tatimore, pagesa të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Atij që propozon një projekt të mirë, origjinal, ndërtuar mbi një metodologji dhe plan aktivitetesh cilësorë, Qendra e Librit i thotë: “Hap një NIPT dhe pastaj shohim.” Kështu kufizohet konkurrenca dhe shanset u shkojnë botuesve (të mëdhenj) dhe organizatave jofitimprurëse.

Një person fizik ose juridik mund të ketë aftësi për të lidhur kontrata, për të administruar fonde dhe marrë përgjegjësi ligjore për zbatimin e projektit, e megjithatë, këto aftësi nuk kanë të bëjnë me cilësinë e projektit. Praktikat evropiane, kam parasysh CNL-në franceze (Centre National du Livre), nuk mbështeten te statusi juridik si kriter absolut, por e përshtatin atë me objektin e financimit.

Për rrjedhojë dhe për sa kohë nuk ka transparencë, mbeten pyetjet: e kanë përmbushur kriterin person fizik apo juridik fituesit e listës? Ka krijuar QKLL-ja rrethana që i paracaktojnë të zgjedhurit?

Edhe pas ndërrimit të drejtueses, Qendra sillet si rëndom institucionet publike në Shqipëri. Kur rezultati i parashikuar të dilte më 3 korrik nuk po bëhej publik, u desh t’u shkruaj “pse”, për të marrë pastaj përmes facebook-ut reagimin: kemi fluks prurjesh, Kolegjiumit i duhet kohë.

Më 19 korrik u shpallën fituesit që do të mbështeteshin pjesërisht. Sa? Nuk mund të kuptohej përmasa e konkurrimit. Nuk u dha informacion për procedurën, numrin total të aplikimeve, sa ishin shqyrtuar në themel, sa prej tyre u skualifikuan për çështje administrative. Si zakonisht, fondi publik po trajtohej si listë memece emrash.

Ndarja e thirrjes në dy kategori parashikonte që, për botimet, fondi total 4,000,000 lekë të ndahej për projekte me vlerë maksimale deri në 1,000,000 lekë; dhe për ngjarjet (manifestime letrare, festivale, panaire), fondi 6,000,000 lekë, ishte menduar për projekte me vlerë maksimale deri në 2,500,000 lekë. Pa harruar që, në çdo vlerë duhet përfshirë tatimi në burim.

Mësova se, disa nga fituesit janë financuar me 1/3 e vlerës maksimale dhe një pjesë tjetër me ¼ e saj, duke i vënë në pozitën: pranoje ose lëre. Shpresoja që disa ta refuzonin grantin në shenjë proteste, por pak ditë më vonë u pa që u ka shijuar ajo kothere, të joshur si anëtarë jurie në skema të tjera të Qendrës. Sa kohë të rrojë arti i kompromisit, sistemin s’ka protestë ta rrëzojë.

Dihet që, në skema publike financimi, institucioni vendos një tavan financiar dhe jep më pak sesa ka kërkuar aplikanti. Por, sido që të jetë, parimet e Kodit të Procedurave Administrative kërkojnë që procesi të jetë i hapur, vendimi i arsyetuar dhe të dihet: a janë shpërndarë fondet në mënyrë të balancuar, për shembull, mes botuesve të mëdhenj dhe të vegjël; mes Tiranës dhe zonave të tjera; mes botimeve komerciale dhe projekteve me vlerë kulturore?

Fondi për botime nuk mund të jetë vetëm një çështje e brendshme e botuesit. Buxheti që miraton QKLL-ja për një botim, parashikon koston e shtypshkronjës dhe i heq barrën botuesit, apo tepron diçka për autorin, përkthyesin, transkriptuesin? Një arsye që e mban Qendrën në pozitë qesharake brenda skemës kulturore dhe nën hyqmin e botuesve të mëdhenj, është ai pak vend që i lihet të drejtave të autorit në logjikën e financimit publik.

Kërkesës sime të dytë për t’u informuar mbi procesin e vendimmarrjes, një email në emër të Qendrës i përgjigjej: “Kriteret në Udhëzuesin e QKLL-së, janë hartuar në bazë të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për MTKS në fillim të vitit 2026.” Dakord. Intriguese kjo.

Në faqen web të KLSH-së gjej raportin e auditit për Ministrinë e Kulturës në vitet 2022-2025. Ato që Qendra i quan “rekomandime”, janë në fakt tërheqje vëmendje për mënyrën si funksionojnë Kolegjiumet e Ministrisë. “Nuk gjenden gjurmë të dokumentimit të vlerësimit për kriteret mbi të cilat është marrë vendimi”, thuhet në raport.

Në vitin 2024, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kreu me komunitetet artistike fushatën e këshillimit “Zërat e kulturës”. I kam ndjekur nga afër këto takime publike, që shërbenin si valvula shkarkimi për frustrimin shumëvjeçar të artistëve ndaj shtetit. Kishin kohë pa u parë me një nëpunës të lartë të Ministrisë. Një pjesë e shqetësimeve që dolën aty u reflektuan në thirrjet e Ministrisë për vitin 2025 dhe u duk se po formalizohej vlerësimi me pikëzim i projekteve. Por, Auditi vëren se “nuk ka një evidencë totale të pikëve të dhëna për të gjitha aplikimet të firmosur nga anëtarët e kolegjiumit, çka bie në kundërshtim me kërkesat e ligjit Për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe me Manualin e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit.” Kjo cenon parimet e transparencës, barazisë dhe llogaridhënies dhe rrit riskun “në përdorimin joefektiv dhe joekonomik të fondeve publike”. Kur nuk ia del Ministria me Kolegjiumet e veta, nuk ke ç’pret nga institucionet e varësisë.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është institucion me strukturë horizontale drejtimi, ka një drejtoreshë dhe disa specialistë që bëjnë disa punë paralelisht; nuk ka sektor për Krijimtarinë Letrare dhe Përkthimin, nuk ka sektor për Leximin dhe Bibliotekat, që të kenë një përgjegjës dhe disa specialistë për secilin sektor (siç parashihet në statut), nuk ka Protokoll, Arkiv, jurist (edhe këmbimet e mia me email ishin me Qendrën në përgjithësi, jo me sektorin Juridik apo me të Projekteve). Pa folur për një rezidencë të denjë që Qendra nuk e ka. Nuk ka pasur asnjëherë zyra dhe hapësira për aktivitete. Vitin e fundit ka ndërruar pesë qoshe nëpër Tiranë, derisa e ngulën në një apartament në Bulevardin “Zogu I”.

Qëndrojmë tek Kolegjiumet. Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton se është përmbushur kriteri ligjor që në përbërje të kolegjiumeve të ketë “nëpunës civil të nivelit të lartë dhe të mesëm, drejtues të strukturave përgjegjëse”, por nuk përmbushet kriteri i parë për “personalitete të gjinive të ndryshme të artit”. Për Qendrën, personalitet do të ishte një autor, botues, përkthyes, kritik, akademik, librar. Kolegjiumi përbëhet nga: Majlinda Toçi – kryetare (drejtore e komanduar e Bibliotekës Kombëtare), Vasil Tole (akademik në fushën e muzikës), Alban Reli (kërkues shkencor pranë Universitetit Europian të Tiranës), Irena Prici (Drejtore e Politikave për Artin në Ministri); Shezai Rrokaj (Profesor i gjuhësisë teorike). Thënë ndryshe, ka 60% akademikë/kërkues dhe 40% administratë, raport normal po të ishte për projekte shkencore/akademike, por nuk janë të tilla.

Zgjedhja e projektit “Botim albumi me muzikën e filmave” të Robert Radojës, me gjithë respektin që autori gëzon, është e pajustifikuar. Muzika financohet nga mekanizma të tjerë të politikës kulturore. Rasti në fjalë duket i favorizuar nga interesi profesional i anëtarit Tole, të cilin, meqë ra fjala, e gjen në të tjera komisione e borde institucionesh, çka do të thotë se pjesëmarrja e “personalitetit” me vend e pa vend, çon në pleksje të pashmangshme e të panevojshme interesash. E njëjta logjikë duket të ketë funksionuar për projektin “Liceu Artistik në 80-vjetorin e tij”, propozuar nga Qendra “Miqtë e muzikës”. Po ashtu, “Promovimi i studimeve albanologjike në Scopus” dhe “Acta Albaniae Veneta-At Zef Valentini” i Matteo Mandalasë, duhet të jenë miratuar nën ndikimin e anëtarëve akademik, si vepra që nuk gjejnë hapësira editorie në Akademinë e Shkencave, e cila nuk di të zgjidhë stokun e vet të botimeve të bllokuara nëpër depo. Janë të gjitha këto që vijnë t’i hyjnë në pjesë buxhetit të QKLL-së. Në këtë kontekst përkufizimi i kriterit “personalitet në fushën e artit” bëhet sa i paqartë, aq dhe i dëmshëm. Këta që vendosin, nuk janë personalitete, në kuptimin që ta njohin mirë sektorin e librit dhe nuk janë të pavarur e të çliruar nga konflikti i interest.

Në kategorinë II është shpallur fitues Festivali letrar për të rinj, që prej dymbëdhjetë vjetësh organizohet nga Instituti i Librit dhe Promocionit. Instituti është një fondacion që shërben si mjet operacional brenda Toenës, njërës prej shtëpive më të mëdha botuese në Shqipëri. Vepron nën përgjegjësinë e Irena Toçit, e cila është njëherësh drejtore e përgjithshme e Toenës. Kryetarja e Kolegjiumit të QKLL-së, Majlinda Toçi, ka lidhje familjare me aplikantin. Është vajza e familjes Toçi.

Në bazë të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, kur raporti mes një funksionari publik dhe një privati, mund të shkaktojë një konflikt interesi faktik, të mundshëm ose në dukje, funksionari kryen vetëdeklarim paraprak të interesave të tij private dhe nuk merr pjesë në shqyrtim apo votim. Kurse Toçi rezulton kryetare e Kolegjiumit deri në fund të procesit të shpalljes së fituesve . Menaxhimin dhe shmangien e konfliktit të interesit për komisionet e vlerësimit dhe procedurat e financimit, e parashikojnë “Kodi i Procedurave Administrative”, ligji “Për Librin”, aktet e brendshme të institucioneve. Nëse do të ndiqej një praktikë e mirë, do të vlente edhe për drejtuesen e Qendrës, Arta Markun, që ajo të deklaronte marrëdhëniet me shtëpitë botuese që kërkojnë financim. Marku është bashkëpunëtore prej vitesh e Toenës, është autore, redaktore e shtëpisë botuese, moderuese e disa edicioneve të festivalit për të rinj, përveçse gazetare që ka promovuar rregullisht botimet e këtij enti. Ajo është përkthyese aktive për Diturinë deri në vitin 2025.

Jo gjithmonë ka nevojë të provohet një përfitim i paligjshëm. Edhe nëse një drejtues në pozitën e Markut nuk përfiton drejtpërdrejt, ai/ajo mund të ketë interes ekonomik (të ardhura nga shitja e librave) dhe interes profesional (promovim i veprave të shtëpisë botuese). Jo sepse është e ndaluar të jesh autor, dhe drejtori i Librit nga ky mjedis do të vinte, por sepse ekziston një marrëdhënie profesionale që mund të ndikojë ose të duket se ndikon në ushtrimin e paanshëm të funksionit publik, në paanshmërinë e vendimmarrjes. Situata e Markut nuk është thjesht një marrëdhënie e vjetër autore-botues, por është e tillë që, ish-bashkëpunëtorja bëhet drejtuese e institucionit dhe institucioni financon ish-bashkëpunëtorin – konflikt potencial interesi.

Ligji nuk mund të interpretohet sikur çdo marrëdhënie e mëparshme me botuesit e skualifikon një person nga drejtimi i QKLL-së, përndryshe do të përjashtohej çdo profesionist i fushës së librit. Pikërisht për këtë arsye, kur personi kalon nga marrëdhënia private me botuesit në pozicionin publik që vendos për financimin e tyre, duhet të zbatohen mekanizmat e konfliktit të interesit.

Një konkurs në rrethana të papastra e bën të domosdoshëm diskutimin e cilësisë dhe të strukturës së projekteve fituese. Nuk ishte mjaft festivali për të rinjtë i Toenës, duhej një tjetër nga Dituria, Festivali letrar për fëmijë dhe të rinj. Ndryshojnë gjë këta të dy në objekt, publik, autorë, kohëzgjatje dhe aktivitete? Ndryshojnë në vlerësim dhe financim? Nuk dihet. Ama dihet që nuk bëjnë dot pa konfliktin e interesit. Aty ftohen pothuajse ekskluzivisht autorët e shtëpisë botuese që organizon festivalin. Dituria, për shembull, që ka treg të zgjeruar botimesh për fëmijë dhe të rinj, po ia adreson festivalin këtyre grupmoshave.

Brenda së njëjtës kategori doli fitues Panairi i 29-të i Librit, projekt i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, e cila prej mëse 20 vjetësh drejtohet nga i njëjti person, Petrit Ymeri i Diturisë. Është normale, mund të thotë dikush, që në një komunitet të vogël kulturor si në Shqipëri, mjaft persona të kenë role të shumëfishtë. Nuk di sa fond ka marrë krahasuar me projektet e tjera, a u vlerësua me të njëjtat kritere si projektet e tjera, di që Shoqata e Botuesve, një aktor qendror i tregut të librit, prej vitesh nuk bën zgjedhje të lira dhe nuk përfaqëson një institucion demokratik kulture. Kur propozohen manifestime letrare, nga Qendra pritet që të bëhet krah për të mbështetur dimensionin kulturor të ngjarjes e jo kostot e një aktiviteti tregtar si Panairi i Tiranës; pritet që ajo të ndjekë modelet evropiane simotra që mbështesin funksionet kulturore publike të panairit: edukimin, takimin me autorë të rëndësishëm vendas e të huaj, ndërkombëtarizim e autorëve shqiptarë. Arta Marku ka qenë e përhershme në juritë e Panairit si profesioniste dhe duhet ta dijë sa e nevojshme është që politika e financimit të orientohet nga autorët dhe lexuesit e jo nga stendat, tezgat dhe qiratë për metër katrorë të hapësirës publike të Pallatit të Kongreseve.

Më kujtohet hera e vetme kur Panairi i Tiranës ka pasur një autor kalibri: në vitin 2003, akoma jo nobelist, Tomas Tranströmer-i (Botimet Aleph) u ftua privatisht për t’u takuar me lexuesit. Për këtë natyrë komunikimesh të drejtpërdrejta, Shoqata as e ka marrë mundimin.

Në rrethana të favorizuara dhe në kufijtë e konfliktit të interesit duket pozita e Rita Petros. Ajo drejton Botimet Albas shpk, që prej vitesh dominojnë tregun e librit shqip, jo vetëm në territorin e Shqipërisë. Albasi propozoi Festivalin letrar “Petro Marko” dhe fitoi. Argumentet që u përmendën për festivalet vlejnë dhe për “Petro Markon” që është bërë autor i kësaj shtëpie botuese. Rrethana tjetër është që, botuesja Petro ka aktualisht një marrëdhënie aktive me Qendrën e Librit si Poete Laureate, për një mandat dyvjeçar 2025-2027. Po a është parashikuar ndonjë kufizim për përfitime të shumëfishta që mund të ketë Poetja Laureate gjatë mandatit? E nëse nuk thuhet asgjë e shprehur në statutin dhe rregulloret e Qendrës, administrata duhet ta ndjejë njëfarë detyrimi të sqarojë situata që krijojnë pamjen e favorizimit dhe provokojnë dyshime legjitime për paanshmërinë e procedurës. Përveç financimeve shtetërore përmes tenderave të librave shkollorë dhe financime nga Creative Europe për botime autorësh të huaj, Albasi dhe të tjera shtëpi të mëdha botuese mbështeten nga Qendra për letërsinë për fëmijë, për krijimtarinë e të rinjve dhe përkthimin. Është pabarazi që çekuilibron zinxhirin e librit, i cili nuk mund të jetë i plotë pa botuesit e vegjël, pa ata autorë dhe përkthyes që nuk gëzojnë famë, pa librarët dhe organizatorët e ngjarjeve letrare që kanë vështirësi të konkurrojnë me grupet e mëdha botuese. Këta Qendra i sheh si kategori dytësore.

Financimi i projekteve “Lexime për barazi” propozuar nga Shoqata “Gruaja te Gruaja” dhe Çmimi letrar “Jakov Xoxa” i propozuar nga një gazetar ekonomie, është një hipokrizi rozë e formës “nga pak të gjithëve, na bën më të fortë”. Do ta besoja më shumë Qendrën, nëse forcon, pastron, dhe nxjerr nga izolimi modelin e çmimeve kombëtare, sesa tek e shoh të kujdeset për dy gisht reputacion për tek klanet rrotull.

Është gusht, Qendra nuk ka një kalendar të vitit korrent dhe procesi që po diskutoj, do duhej të ishte mbyllur në pranverë. Për kaq gjë nuk i hyn kujt gjemb në tule.

Projekti ynë i skualifikuar

Pas ekspozitës “Teatri i vogël i tranzicionit” që kisha përgatitur gjatë disa muajve, kishim mbetur në Galerinë Zenit një dorë njerëz, mes tyre Gentian Çoçoli, të cilin e shoh rrallë, por ndjek Botimet e Aleph-it të tij. Në kontekstin e disa fenomeneve kulturore që hetonte ekspozita, i propozova atë mbrëmje shkurti një përvjetor për Aleph-in, meqë është një përvjetor i artë, 30-vjeçar. E ndjeva entuziazmin e përmbajtur të Çoçolit, ca më tepër që me ne ishin disa të rinj që do të na bashkoheshin në këtë punë. Vetëm ai kishte një kusht: nuk donte t’i kërkonte para ndonjë institucioni shqiptar. Nuk e kishte bërë kurrë. E mora përsipër aplikimin. I rrahëm idetë me Orgest Azizin, Krenar Zejnon, Alment Muhon dhe shkrova projektin “Zgjime të së ardhmes”, pak a shumë kështu.

Në peizazhin kulturor pas viteve ’90-të u shfaq një formë komunikimi përmes revistës dhe klubit letrar, që përcaktoi identitetin e një brezi të ri shkrimtarësh, poetësh, përkthyesish, aq edhe lexuesish. Aleph quhej ky fenomen i lindur në vjeshtën e 1996-ës që, për aq sa jetoi, në një kohë tranzicioni të gjithanshëm të Shqipërisë, mblodhi rreth vetes individë që aspironin të krijonin një klimë të tjetër lloji në kulturën postkomuniste shqiptare. Themelimi i Aleph Review, e përtremuajshme mbi letërsinë (310 faqe për numër) përfaqësonte zemrën e letërsisë së re shqipe, si dhe letërsinë më të mirë bashkëkohore jashtë Shqipërisë. Kur thuhej Aleph, kishe thënë Brodsky, Calvino, Pound, Eliot, Rilke, Transtromer, Venclova e të tjerë. Më shumë se 600 shkrimtarë, poetë, artistë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera, u prezantuan me lexuesin shqiptar. Rrugën e Aleph-it u përpoqën ta ndjekin revista letrare, aktiviteti i të cilave u kufizua në editori letrare dhe publicistike, duke kontribuar në debatin kulturor në vend: “Mehr Licht”, “Orana”, “E7E”, “Fjala”, “Ars”, “Poeteka” e deri ato më të vonat si “Helikon” apo “Palimpsest” në web.

Për fat të keq idealet e Aleph-it nuk u tejkaluan. Prej vitesh hapësirës shqiptare i mungon një revistë letrare që të jetë një akt moral ndaj kulturës dhe t’i mbajë krijuesit bashkë atëherë kur tregu i shpërfill, lexuesi nuk i gjen, apo të kenë një kritikë si roje të vlerave.

Revista nuk ekziston më, por “Zgjime të së ardhmes” do risjellë në vëmendje ndjeshmërinë dhe idealet e Aleph-it, kurrsesi jo si një përkujtimore. Një bërthamë njerëzish kanë marrë përsipër organizimin e aktiviteteve gjatë dy javëve, nga 20 nëntori deri më 4 dhjetor 2026.

Së pari, aktivitetet autor-lexues në galeri, klube libri, shkolla, auditorë letërsie e filozofie, do të jenë takime tematike për pikëpjekjet e letërsisë së re me artet e tjera, politikën, natyrën dhe angazhimin shoqëror, shoqëruar me lexime tekstesh.

Së dyti, punëtoria “Si krijohet një revistë letrare”. Nën drejtimin e themeluesit të Aleph-it, poetit dhe përkthyesit Gentian Çoçoli, një grup të rinjsh do të mësojnë si të kurojnë krijimtarinë letrare për një botim periodik në print apo web. Mund të krijohet një nr.zero reviste on line si sprovë e punëtorisë.

Së treti, ekspozita e dorëshkrimeve dhe artefakteve në Galerinë Zenit, nën kujdesin e shkrimtarit Krenar Zejno, me kontributin e Gentian Çoçolit dhe hulumtimin e Elsa Demos dhe Alem Bedhisë. Ekspozohen për herë të parë dorëshkrime nga autorët e Aleph-it, shqiptarë e të huaj, elemente ex-libris, vepra të artit bashkëkohor, sepse revista ka qenë promovuese e artistëve vizualë.

Së katërti, si t’i ritakojmë brezat? Nëpërmjet një antologjie me tekstet më përfaqësuese të revistës Aleph me zërat e një brezi në poezi, prozë, ese (Rudi Erebara, Rudian Zekthi, Ilir Belliu, Eneida Topi, Olimbi Velaj, Alket Çani, Agron Tufa, Romeo Çollaku, Gert Pashaj, Eldon Gjika, Azem Qazimi, Mark Marku e të tjerë), e kuruar nga Gentian Çoçoli, rreth 400 faqe, me tirazh 300 kopje. Dhe një antologji e dytë që u kushtohet zërave të rinj (nën 30 vjeç) nga Shqipëria dhe Kosova. Kur themi të rinj, kemi parasysh një estetikë që distancohet nga letërsia për masën, tregun, famën dhe reklamën. Edhe kjo antologji ka të njëjtiv volum dhe tirazh si paraardhësja, e kuruar nga Elsa Demo dhe Alem Bedhija.

Mendoja se projekti ynë përmbushte kriteret që kishte shpallur Qendra, për të krijuar një klimë diskutimi cilësor mbi letërsinë dhe zhanret e saj nëpërmjet revistës letrare; për të afirmuar dhe promovuar krijimtarinë e të rinjve dhe për të përkujtuar atë që disa dekada më parë ishte letërsi e re; për të nxitur leximin e letërsisë shqipe veçanërisht tek të rinjtë, ndaj menduam për auditorët studentorë dhe punëtorinë.

I rendita edhe një herë këto që lexuesi të ketë një ide se festa e Aleph-it ishte menduar si festë për shoqërinë, një festë mirënjohjeje për qindra krijues të gjallë e të vdekur. Qendra mendonte se këto nuk mund të bëhen pa qenë tregtar libri.

E pra, Aleph, gëzuar ditëlindjen!

Shqipëria do jetë vend më i njerëzishëm kur të njohë, mbrojë dhe çmojë punë si të tuat.