Tue, Aug 18, 2026

Vrasja te Principote Ksamil, shoqërohen 34 persona të stafit

Vrasja te Principote Ksamil, shoqërohen 34 persona të stafit
  • PublishedAugust 18, 2026

Vrasja te Principote Ksamil, shoqërohen 34 persona të stafit

Ksamil/ Sherri për një vajzë përfundon në tragjedi, truproja dyshohet se vrau me thikë turistin francez

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku një turist 20-vjeçar nga Franca është gjetur i pajetë pranë shezlongëve të beach barit “Principotes”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15. Sipas të dhënave paraprake, viktima, i identifikuar si Migel Mendes, ndodhej në lokal së bashku me disa persona të tjerë, kur është përfshirë në një konflikt për një vajzë me 29-vjeçarin Sokrat Vata, nga Hasi, i cili punonte si truprojë.

Dyshohet se sherri ka nisur brenda lokalit dhe më pas është zhvendosur drejt daljes. Sipas hetimeve paraprake, i riu francez është nxjerrë jashtë ambienteve të lokalit, ku Vata dyshohet se e ka goditur me thikë.

Pas ngjarjes, 29-vjeçari është larguar nga vendi i krimit. Policia ka mundur ta lokalizojë disa orë më vonë në Levan, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, 34 persona, pjesë e stafit të “Principotes”, janë shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe për të sqaruar dinamikën e konfliktit.

Sokrat Vata rezulton të ketë pasur precedentë penalë edhe në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave të bëra publike, ai është arrestuar dhe dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge, me një dënim prej pesë vitesh burg. Rrethanat se si ai është liruar apo ndodhej jashtë Britanisë mbeten për t’u sqaruar.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po merren në pyetje personat që ndodheshin në ambientet e lokalit dhe po administrohen pamjet e kamerave të sigurisë.