Wed, Aug 19, 2026

Gjykata rrëzon pretendimet e Orange, lihen në burg bodigardët e Elite Security

Gjykata rrëzon pretendimet e Orange, lihen në burg bodigardët e Elite Security
  • PublishedAugust 19, 2026

SARANDË – Gjykata ka lënë në burg personat e arrestuar pas përplasjes së dhunshme në lokalin “Orange”, ku mbeti i dhunuar shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, nënkomisari Mateo Bakalli.

Masa e sigurisë është zhvilluar në një seancë ku të arrestuarit u përfaqësuan ligjërisht nga avokati Arben Llangozi. Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, gjykata nuk i ka pranuar ato dhe ka vendosur vijimin e masës së arrestit në burg për personat e ndaluar.

Mes të arrestuarve janë administratori i “Orange”, Marjo Katiraj, si dhe persona të tjerë të akuzuar për përfshirjen në konflikt, përfshirë roje sigurie të lokalit. Një tjetër person, Pjetër Doçi, vijon të jetë në kërkim.

Sipas Policisë së Shtetit, konflikti nisi rreth orës 03:20 në ambientet e jashtme të lokalit në rrugën “Butrinti”. Rojet e sigurisë ishin përfshirë në një përplasje me disa persona dhe, sipas versionit zyrtar, nuk kishin njoftuar policinë.

Në atë moment, nënkomisari Bakalli, i cili po kalonte rastësisht me automjetin e tij, ka ndaluar dhe është prezantuar si punonjës policie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Sipas Policisë, ndërhyrja e tij nuk e ka ndalur konfliktin dhe efektivi është goditur me grushte.

Bakalli ka reaguar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të njoftojë kolegët. Brenda pak minutash në vendngjarje kanë mbërritur forcat “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, duke neutralizuar situatën dhe shoqëruar personat e përfshirë.

Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, ka rrëzuar pretendimet e mbrojtjes dhe ka lënë në burg të arrestuarit, duke e bërë edhe më të rëndë pozitën e tyre ligjore ndërsa hetimet vijojnë.

EMRAT/ Rrahën shefin, arrestohen të fortët e Orange Club dhe Elite Security

Kush e do Sarandën pa ligj? E vërteta e sulmit ndaj shefit të krimeve, roli i Elite Security dhe Orange Club

Po mbysnin në dajak qytetarin, momenti kur policia neutralizon “gangot” Elite Security tek Orange Club në Sarandë

Çfarë ndodhi te Orange Club në Sarandë? Bodigardët qëllojnë oficerët e policisë, plasin arrestimet