Dëmtimet i hoqën shansin e Serisë A, mbrojtësi kuqezi firmos kontratë për tre sezone në klubin italian
Serxho Kalaj e nis përsëri nga e para, ose më saktësisht, nga Seria C. Qerndërmbrojtësi i talentuar shqiptar, i cili ka veshur fanellën e kombëtareve të moshave të Shqipërisë deri me U21, i ka dhënë lamtumirën Frozinones dhe është bërë tashmë pjesë e Specias.
Djaloshi shqiptar spikati që në moshë të re në akademitë e Romës dhe Lacios, para se të transferohej te Groseto në Serinë C e më pas te Karrareze. Frozinone vendoi të blinte kartonin e tij dhe ai luajti disa ndeshje në Serinë B, para se të nisnin disa dëmtime të njëpasnjëshme që i hoqën mundësinë të luante rregullisht, e aq më tepër në Serinë A.
Gjatë verës ai u shkëput zyrtarisht nga Frozinone, ndërsa sot është prezantuar si lojtari më i ri i Specias në Serinë C. Bëhet e ditur se futbollisti ka nënshkruar për dy sezone, me të drejtën e rinovimit për një tjetër edicion, deri në verën e vitit 2029.
