Thu, Aug 27, 2026

Dua Lipa mund të bashkëprezantojë në festivalin “Sanremo 2027”

Dua Lipa mund të bashkëprezantojë në festivalin “Sanremo 2027”
  • PublishedAugust 27, 2026





Dua Lipa mund të bashkëprezantojë në festivalin “Sanremo 2027”





Dua Lipa mund të jetë një nga figurat kryesore të “Sanremos 2027”. Këngëtarja britanike me origjinë nga Kosova është në negociata për të bashkëprezantuar njërën nga netët e festivalit italian.


Stefano De Martino, i cili për herë të parë do të drejtojë Festivalin e Sanremos në dy role, si prezantues dhe drejtor artistik, thuhet se po punon për të sjellë në skenën e Teatrit Ariston një prej yjeve më të mëdha të muzikës botërore.


Sipas Adnkronos, të publikuar edhe nga mediat italiane, negociatat me Dua Lipën janë tashmë të avancuara. Ideja është që këngëtarja të mos jetë vetëm një mysafire muzikore, por të marrë pjesë si bashkëprezantuese në njërën prej netëve të “Sanremos 2027”, transmeton Zeri.info.


Dua Lipa nuk është e panjohur për skenën e Sanremos. Ajo ishte mysafire në edicionin e vitit 2020, ku performoi këngën “Don’t Start Now”, duke u shoqëruar në skenë nga tetë balerina.


Ende nuk dihet nëse pjesëmarrja e saj do të lidhet me natën hapëse apo finalen. Mediat italiane raportojnë se një mundësi tjetër mund të jetë edhe nata e re e festivalit e dedikuar për përzgjedhjen e përfaqësuesit italian në Eurovision Song Contest.


Përveç Dua Lipës, në listën e emrave të përfolur për Sanremon e ardhshëm janë edhe Maria De Filippi dhe Brenda Lodigiani. De Filippi është përmendur si bashkëprezantuese e mundshme e një nate, ndërsa Lodigiani pritet të ketë një rol komik përgjatë netëve të festivalit.


“Sanremo 2027” do të jetë edicioni i parë nën drejtimin e Stefano De Martinos, i cili tashmë ka nisur përgatitjet për festivalin dhe përzgjedhjen e artistëve që do të ngjiten në skenën e Aristonit. /Zëri