Trashëgimia kulturore e Durrësit në kërkim të publikut të saj të ri
Zade Allushi është nxënëse e shkollës së mesme të Ishmit dhe shpeshherë bashkohet me guidat lokale për t’u shpjeguar vizitorëve monumentet e zonës. Bashkë me Zaden ka edhe të rinj të tjerë nga Ishmi që ofrohen vullnetarisht, kryesisht duke përkthyer në gjuhën angleze.
Mësuesi Pëllumb Beja thotë se nxënësit e tij janë më shumë të interesuar të ushtrojnë anglishten, se sa të njihen edhe vetë me trashëgiminë kulturore të fshatrave të Ishmit, e cila përbëhet nga bazilika e Gjuricajt, kalaja e Skënderbeut dhe kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit, apo kalaja e Ishmit në qendër të zonës.
“Falë anglishtes, pothuajse të gjithë janë punësuar në resortet e bregdetit të Lalzit,” tha Beja me një dozë pesimizmi për interesin e humbur të të rinjve për trashëgiminë kulturore.
Njësia administrative e Ishmit shtrihet në pjesën veriore të bashkisë së Durrësit dhe ruan vetëm një pjesë të vogël të trashëgimisë kulturore në monumente qindravjeçare. Numri i madh i objekteve të zbuluara dhe të pazbuluara ende i përket qytetit të Durrësit, por edhe këtu shqetësimi mbetet i njëjti: numri i ulët i vizitorëve në moshë të re.
Në muzeun arkeologjik kombëtar të Durrësit, vizitat në eksponate që prej disa javësh kryhen kundrejt biletave.
Turistët e huaj vijnë familjarisht dhe thuajse gjithmonë i kanë fëmijët me vete, ndërkohë që vendasit janë më të paktë në numër. Në periudhën janar-gusht, amfiteatri dhe kulla veneciane janë vizituar me pagesë prej afro 40 mijë vetëve, sipas statistikave të Qendrës Muzeore të Durrësit.
Por vetëm 4.962 prej tyre ose 12 për qind e totalit janë nxënës dhe studentë.
“Fëmijët e 9-vjeçares mbeten më të interesuar për monumentet dhe muzetë,” tha për BIRN Antigoni Gjergji Suli, eksperte e trashëgimisë kulturore. “Ata janë të magjepsur nga e kaluara dhe kërkojnë të dijnë më shumë dhe të bëhen pjesë e programeve,” tha ajo, duke theksuar nevojën për struktura të veçanta që i afrojnë të rinjtë me trashëgiminë kulturore.
Elvana Metalla me profesion arkeologe po përgatitet për ekspeditën e radhës, pranë amfiteatrit antik.
Ajo që e dallon misionin italo-shqiptar 22-vjeçar me studiues dhe studentë është interesimi i veçantë i kalimtarëve të shumtë, një pjesë e të cilëve janë nxënës të moshave të ndryshme.
Metalla tha për BIRN se bashkë me prindërit, fëmijët dhe të rinjtë e shumtë që ndalojnë pranë kangjellave kërkojnë të dinë më shumë për zbulimet e antikitetit të vonë, mesjetës së hershme dhe të vonë, që lidhen ngushtësisht me etapat e zhvillimit të amfiteatrit.
Furra e qeramikës, poçet me qindra monedha, skeletet e familjarëve që mbetën në rrrënoja pas tërmetit të vitit 1273 apo banesat e shumta që mbijetuan në shekuj përbëjnë interes të veçantë.
Punonjësit e ekspozitës “Turistë të përgjuar” kanë qenë më konkretë. Fëmijëve që vijnë në mënyrë të organizuar u tregohen objektet e eksponateve sikur të jenë lodra.
“Nuk zgjatemi më shumë se 30 minuta, por interesi është i madh,” thotë Arjana Isaku, një nga krijueset e Ekspozitës.
Isaku pohon se bashkë me fëmijët janë xhiruar filma të shkurtër në mjediset e muzeut. Ata janë bërë të njohur për publikun dhe kanë gjetur miratimin e prindërve dhe mësuesve të tjerë – një bashkëpunim që pritet të vazhdojë edhe me fillimin e vitit të ri shkollor.


