Fri, Sep 11, 2026

Flet ikona Kepa: Mjaft me polemika, Vllaznia të flasë në fushë. Urgjentisht duhet rregulluar prapavija

Flet ikona Kepa: Mjaft me polemika, Vllaznia të flasë në fushë. Urgjentisht duhet rregulluar prapavija
  • PublishedSeptember 11, 2026

Nga Belgjika ku jeton prej shumë vitesh, por me Vllazninë gjithmonë në zemër, për “Panorama Sport” ka folur në një prononcim Ilir Kepa. Ish-fantazisti shkodran është ndalur tek ecuria jo shumë pozitive e kuqebluve këtë fillim sezoni.

Duke evidentuar disa pika të dobëta, por edhe se çfarë mund dhe duhet të përmirësohet në skuadër. Sipas Kepës në ecurinë e skuadrës kanë ndikuar edhe faktorët e jashtëm, por të cilët duhen lënë mënjëanë nëse kërkohen sukseset dhe ecuria pozitive. Në fund ai thotë se ekipi duhet të gjejë shpejt reagimin, duke nisur nga ndeshja e rradhës kundër Laçit. Ku si objektiv duhet të jetë vetëm fitorja.

Si është dukur Vllaznia e këtij fillim sezoni në syrin tuaj?
Shiko, ne duam gjithmonë Vllazni për zonat e larta të renditjes, nga vetë historia, qyteti dhe kampionati që kërkon emrat e traditës të jenë në gjendje optimale. Fillimi i sezonit po më duket i ngadaltë, nuk është “futur” ende marshi i duhur, e disi ekipi po vuan edhe atë formë jo të mirë në kupat e Europës. Disi mund të jetë e kuptueshme sepse edhe ekipi ka pësuar shumë ndryshime, e lojtarët e rinj kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur. Po ashtu në përgjithësi çfarë kam parë edhe ekipet e tjera nuk janë në formën e tyre më të mirë të mundshme.

Sa po ndikon atmosfera jashtë fushës tek skuadra, me dënimet e trajnerit dhe presidentit?
Patjetër që ndikon atmosfera jashtë fushe ndikon tek skuadra. Por, ekipi i Vllaznisë është sulmuar gjatë gjithë historisë e kjo nuk më habit aspak. Edhe ai reagim i Martinit dhe presidentit Xhaferi disi mund të jetë i kuptueshëm për nga mënyra si rrodhën ngjarjet në Elbasan. Por edhe federata ndoshta duhej të ishte më e butë me ato dënimet që dha sepse veprimet erdhën si pasojë e disa vendimeve shumë të diskutueshme nga ana e arbitrit. Ku goli i shënuar nga Tafili për mendimin tim qëndronte dhe duhej të ishte i vlefshëm.

Po ndeshja me Partizanin, një zhgënjim?
Ishte një ndeshje e hapur, me shumë episode dhe raste. Çdo rezultat ashtu siç e pashë unë do ishte i pranueshëm, pasi edhe Vllaznia krijoi shumë, por nuk mundi të finalizonte. Ndoshta me pak qetësi e ftohtësi do kishte mundur të marrë edhe pikët e plota. Por, ajo që më mbush pak me pozitivitet është niveli që tregoi skuadra, që krijoi dhe uroj të marrë frytet në javët e ardhshme.

Ku qëndron pika e dobët e skuadrës deri më tani?
Unë nuk jam ekspert i portë dhe as kam luajtur ndonjëherë portier (qesh), por në ndeshjen me Partizanin them se portieri i Vllaznisë reagoi pak me vonesë në golin e parë. Pavarësisht se gjuajtja e kundërshtarit ishte shumë e mirë. Porta dhe mbrojtja në përgjithësi kanë shfaqur luhatje në këtë fillim sezoni dhe duhet gjetur balanca e duhur. Sepse sa do të shënosh, kur pëson shumë është thuajse e pamundur të marrësh rezultate pozitive pastaj.

Çfarë duhet të ndryshojë Vllazna për t’u ringritur në rezultate?
Të largojë vëmendjen nga gjërat jashtë fushe, pavarësisht se e thashë që ndikojnë. Por, të jetë e përqendruar vetëm tek loja, që do ketë edhe polemikat e saj. Besoj se me një rregullim të prapavijës dhe mënyrës si mbrohet ekipi, mund të marrë shumë më shumë pikë. Po ashtu qetësia para portave kundërshtare sepse rastet janë krijuar shumë dhe duhen finalizuar.

Një “detyrim” fitorja me Laçin këtë fundjavë për kuqeblutë?
Duhet një reagim dhe reagimi vjen vetëm me fitore dhe asgjë tjetër. Vllaznia besoj se këtë duel ka një objektiv të qartë që është fitorja. Në Laç nuk është e lehtë sepse edhe ata kanë një ekip simpatik me djemë të rinj. Por, kam besim se Vllaznia ia del dhe se do kthehet me pikët e plota nga kjo transfertë. Kjo në mënyrë që të krijojë edhe një lloj vazhdimësie rezultatesh pozitive.