ZYRTARE/ Federata në festë, gëzon pas vendimit të KAS kundër klubit shqiptar: Ndodh për herë të parë
Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut ka fituar për herë të parë një gjyq në KAS. Vetë federata konfirmoi se KAS i ka dhënë të drejtë për vendimet e marra pas Gostivari-Rabotniçki në sezonin 2024/25.
Klubi shqiptar i Gostivarit braktisi ndeshjen, ndërsa më pas federata vendosi për disa masa ku ndër të tjera kishte zbritje prej 9 pikësh dhe gjobë dhe 7500 euro gjobë. Tjetër vendim ishte ai që në sezonin e kaluar të zhvilloheshin 10 ndeshjet e para si vendës, pikërisht në një tjetër stadium që është të paktën 100 kilometra larg stadiumit të Gostivarit.
Për sfidën në fjalë, KAS ka pranuar verdiktet e FFM. Po ashtu janë hedhur poshtë pretendimet e Enes Ustës. Kujtojmë se Gostivari u tërhoq nga kampionati dhe prej atëherë klubi nuk është bërë aktiv.
Njoftimi i FFM:
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njofton opinionin se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë i ka refuzuar plotësisht ankesat e paraqitura nga KF Gostivari dhe Enes Usta, duke lënë në fuqi vendimet e marra nga organet kompetente të FFM-së.
Rasti ka të bëjë me sanksionet e shqiptuara pas ndeshjes KF Gostivari – KF Rabotniçki (xhiroja e 29-të, Liga e Parë, sezoni garues 2024/2025), për shkak të mangësive organizative, pranisë së personave të paautorizuar në zonat zyrtare, si dhe largimit të ekipit të KF Gostivarit nga fusha e lojës. Në procedurat para organeve të FFM-së, klubit iu shqiptuan sanksione përkatëse disiplinore, përfshirë zbritjen e pikëve, ndërsa Enes Usta u sanksionua për sjelljen e tij dhe për nxitjen e ngjarjeve që çuan në ndërprerjen e ndeshjes.
Pas shqyrtimit të ankesave, CAS në Lozanë konstatoi se vendimet e organeve disiplinore dhe të apelit të FFM-së ishin marrë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe se sanksionet e shqiptuara ishin të përshtatshme dhe proporcionale me shkeljet e konstatuara. Rrjedhimisht, ankesat e KF Gostivarit dhe Enes Ustës u refuzuan, ndërsa vendimet e kontestuara të FFM-së mbetën plotësisht në fuqi.
Vendimi i CAS-it ka një rëndësi të veçantë për FFM-në, pasi ky është rasti i parë në të cilin Federata ka mbrojtur me sukses vendimet e saj para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Kjo gjithashtu konfirmon se vendimet e organeve kompetente të FFM-së bazohen në rregulloret dhe parimet e së drejtës së futbollit dhe u nënshtrohen shqyrtimit të pavarur ligjor ndërkombëtar.
FFM-ja ka qenë e përfshirë në procedura para CAS-it edhe në të kaluarën. Në vitin 2011, presidenti aktual i FFM-së, Masar Omeragiç, fitoi rastin e tij para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv kundër udhëheqësisë së atëhershme të Federatës, pasi më parë ishte pezulluar përjetësisht nga futbolli dhe, rrjedhimisht, ishte penguar të kandidonte për president të FFM-së.
Një vendim kundër Federatës u dha gjithashtu nga CAS në mosmarrëveshjen me ish-trajnerin e ekipit kombëtar A, Mirsad Jonuz, lidhur me detyrimet kontraktuale të papaguara nga roli i tij si trajner kryesor. Vendimi i sotëm i CAS-it në çështjen që përfshin FC Gostivarin dhe Enes Ustën përbën një konfirmim të rëndësishëm të parimit se rregulloret e futbollit duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe se respektimi i tyre është themeli për mbrojtjen e integritetit të garës.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë është një institucion i pavarur ndërkombëtar, i specializuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në sport, veçanërisht të ankesave kundër vendimeve të federatave dhe organizatave sportive.
Vendimi i marrë nga CAS-i në këtë çështje është përfundimtar. CAS-i është organi më i lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla sportive dhe nuk ekziston e drejta e ankimimit kundër vendimit në këtë rast.
Federata e Futbollit të Maqedonisë do të vazhdojë të veprojë në të ardhmen në mënyrë konsistente, në përputhje me rregulloret e saj, dispozitat statutore dhe parimet e UEFA-s e FIFA-s, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur integritetin e garës, sundimin e ligjit në futboll dhe trajtimin e barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në garat e futbollit”.
