FOTO/ 5 gola në 4 javë, C.Shpendi “tërbon” Italinë, por emri i del edhe në Angli
Ishte i destinuar të largohej në këtë merkato vere, por në fund, Cristian Shpendi vendosi të qëndrojë te Cesena. Kjo lëvizje rezultoi e goditur pasi “bomberi” kuqezi ka rritur ndjeshëm nivelin e tij duke i bërë një nisje të shkëlqyer këtij fillim sezoni në Serie B. Numrat flasin qartë, në 4 javët e para, Shpendi ka realizuar 5 gola duke i marrë i vetëm kreun e listës së golashënuesve më të mirë.
Nëse Shpendi arrin të ruajë të njëjtin ritëm, sipas mediave italiane, do të jetë shumë e vështirë që Cesena ta mbajë më gjatë në skuadër. Emri i C.Shpendit mund të jetë një nga emrat më të lakuar gjatë merkatos së dimrit. Cremonese mbetet një emër fiks, një skuadër që bëri gjithçka për ta afruar në skuadër, kjo ide e tyre pa diskutim është përforcuar edhe më shumë pasi në përballjen e fundit në Serie B, Shpendi i shënoi një “dopjetë” golash. Në Serie A, Shpendi është një profil që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e Fiorentinës, skuadër që ka kërkuar informacione edhe në të kaluarën.

“TuttoSport” shkon edhe më tej, me të përditshmen italiane që zbulon se sulmuesi kuqezi ka përfunduar në orbitën e disa klubeve në Championship, në kategorinë e dytë në Angli. Forca ekonomike e ekipeve angleze e bën të lehtë transferimin e tij në ishull pasi Cesena do të ishte e kënaqur edhe me 4-5 milionë euro, ndërsa për të plotësuar kërkesat ekonomike të lojtarin nuk do të ishin aspak problem. Deri në janar, ka ende kohë, por e sigurt është se nëse Shpendi ruan këtë ritëm emri i tij do të jetë prezent në merkaton e dimrit.
