Formula 1 nxjerr kalendarin e ri, ndryshon harta e vitit 2027: Rikthehen dy shtete
Botërori i Formula 1 për vitin 2027 do të nisë në Bahrejn, në fundjavën e 14 marsit, dhe do të mbyllet në Emiratet e Bashkuara Arabe më 12 dhjetor. Nëntë muaj garash do të përfshijnë plot 24 Çmime të Mëdha në 22 vende të ndryshme, siç u njoftua zyrtarisht nga Formula 1 dhe FIA.
Në kalendar rikthehen Portugalia, me pistën e Portimaos, dhe Turqia, me Stambollin, ndërsa largohen Çmimi i Madh i Spanjës në Barcelonë dhe ai i Holandës në Zandvort. Ndërkohë, numri i garave Sprint rritet nga gjashtë në dhjetë, me përfshirjen edhe të Monakos dhe Monzës. Testet parasezonale do të zhvillohen në Bahrejn nga 24 deri më 27 shkurt, në të njëjtën pistë ku pilotët do të nisin sezonin pak më shumë se dy javë më vonë, me një fundjavë që do të përfshijë edhe garën Sprint.
Pas Bahrejnit, Formula 1 do të zhvendoset në Arabinë Saudite (19-21 mars), përpara se të udhëtojë drejt Australisë, Japonisë dhe Kinës. Më pas, kampionati do të kalojë në Shtetet e Bashkuara, për Çmimin e Madh të Majamit (30 prill-2 maj), dhe në Kanada, për garën në Montreal (21-23 maj).
Në fillim të qershorit, Monako do të hapë serinë e garave evropiane, e ndjekur nga Portugalia, Britania e Madhe, Austria dhe Belgjika. Në fundjavën 3-5 shtator do të jetë radha e Monzës, e paraprirë nga Çmimi i Madh i Hungarisë dhe e ndjekur nga garat në Spanjë, Azerbajxhan, Turqi dhe Singapor.
Gjatë tetorit dhe nëntorit, Formula 1 do të rikthehet në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, me ndalesat në Ostin, Meksikë, Brazil dhe Las Vegas. Sezoni do të mbyllet në dhjetor me garat në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, mbetet për t’u monitoruar situata e konflikteve në Lindjen e Mesme, e cila nuk mund të neglizhohet. Edhe në vitin 2026, zhvillimet në rajon sollën ndryshime të rëndësishme në kalendar, përfshirë anulimin e Çmimeve të Mëdha të Bahreinit dhe Arabisë Saudite të planifikuara për muajin prill.
DOMENIKALI
Për kalendarin e ri foli edhe presidenti dhe CEO i Formulës 1, Stefano Domenikali, në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e kampionatit:
“Kalendari i vitit 2027 bashkon disa prej pistave më ikonike dhe qyteteve më dinamike në botë, duke krijuar një skenë të jashtëzakonshme për një tjetër sezon të paharrueshëm të Formula 1. Jemi të entuziazmuar të mirëpresim Portugalinë dhe Turqinë në kampionat dhe të zgjerojmë numrin e garave Sprint në dhjetë, duke u ofruar tifozëve tanë edhe më shumë intensitet dhe emocione”.
BEN SULAJEM
Të njëjtin qëndrim ndan edhe presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem:
“Kalendari pasqyron tërheqjen globale dhe rritjen e sportit tonë. Me 24 Çmime të Mëdha të shpërndara në pesë kontinente, rikthimin e Portugalisë dhe Turqisë dhe mundësinë për të zgjeruar programin Sprint, ky kalendar bashkon traditën, inovacionin dhe përfshirjen e tifozëve, duke ruajtur njëkohësisht standardet më të larta sportive”.
KALENDARI I PLOTË I VITIT 2027
Bahrejni – Sakhir, 12-14 mars (Sprint)
Arabia Saudite – Xheda, 19-21 mars
Australia – Melburn, 2-4 prill (Sprint)
Japonia – Suzuka, 9-11 prill (Sprint)
Kina – Shangai, 16-18 prill
SHBA – Majami, 30 prill-2 maj
Kanadaja – Montreal, 21-23 maj (Sprint)
Monako – Monako, 4-6 qershor (Sprint)
Portugalia – Portimao, 18-20 qershor
Britania – Silverston, 2-4 korrik (Sprint)
Gara e Austrisë – Spilberg, 9-11 korrik
Belgjika – Spa, 23-25 korrik
Hungaria – Budapest, 30 korrik-1 gusht
Italia – Monza, 3-5 shtator (Sprint)
Spanja – Madrid, 10-12 shtator
Azerbajxhani – Baku, 24-26 shtator
Turqia – Stamboll, 1-3 tetor
Singapori – Singapor, 8-10 tetor
SHBA – Ostin, 22-24 tetor
Meksika – Qyteti i Meksikos, 29-31 tetor
Brazili – Sao Paulo, 5-7 nëntor (Sprint)
SHBA – Las Vegas, 18-20 nëntor
Katari – Lusail, 3-5 dhjetor (Sprint)
Abu Dabi – Jas Marina, 10-12 dhjetor (Sprint)
