Thu, Sep 17, 2026

Gjykata vlerëson të paligjshme arrestimet e 12 protestuesve të hënën

Gjykata vlerëson të paligjshme arrestimet e 12 protestuesve të hënën
  • PublishedSeptember 17, 2026
Protesta e Flamingove, të hënën, më 14 shtator 2026, Foto LSA

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i vlerësoi të paligjshme gjithë ndalimet e protestuesve të kryera të hënën gjatë zhvillimit të tubimit në vendin e quajtur Zogu i Zi. Vendimi u mor të enjten më 17 shtator. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, gjykata bëri me dije se, pasi u njohën me argumentimin e bërë nga organi i akuzës, si dhe me qëndrimet e kërkesat e 12 të arrestuarve, vendosi të vleftësojë të paligjshëm arrestimit të flagrancë dhe mos caktimin e asnjë mase sigurie ndaj tyre.

Policia njoftoi se mëngjesin e 14 shtatorit, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa marrë lejë dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin. Policia pretendoi se ishte cënuar perimetri i sigurisë në shkollë dhe ishte bllokuar trotuari dhe shoqëruan dhjetëra protestues, 12 prej të cilëve i arrestuan. Po ashtu, policia referoi materialet në prokurori edhe për 15 protestues të tjerë, të ndjekur në gjendje të lirë.

Pretendimet e policisë se protestuesit e ndaluar kishin organizuar grumbullime të paligjshme, se kishin kundërshtuan punonjësit e policisë dhe nuk i’u ishin bindur urdhërave të tyre, se kishin prishur qetësinë publike dhe kishte shtyrë të miturit në krim, u gjetën të pabazuara nga gjykata, që i vlerësoi arrestimet të paligjshme.

Dy javë më parë, Gjykata e Tiranës e rrëzoi një kërkesë tjetër të prokurorisë, duke i vlerësuar të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve nga policia mbrëmjen e 1 shtatorit para godinës së Këshillit të Ministrave.

Prej afro katër muajve, mijëra qytetarë protestojnë çdo natë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Lëvizja është pagëzuar nga media ndërkombëtare si “Revolucioni i Flamingove”.