Pas humbjes së foshnjës, Marin bëhet sërish baba
Një kapitull i ri ka nisur për Marin dhe familjen e tij. Reperi është bërë sërish baba, ndërsa partnerja e tij ka arritur ta mbajë shtatzëninë tërësisht larg vëmendjes publike gjatë nëntë muajve.
Lajmin e zbuloi ajo vetë përmes një videoje në TikTok, duke surprizuar ndjekësit që kishin vënë re mungesën e saj nga rrjetet sociale gjatë muajve të fundit.
“So… this is where I’ve been for the last 9 months. So many of you guessed right!”, shkroi ajo, duke konfirmuar se arsyeja e tërheqjes së saj kishte qenë pikërisht shtatzënia.
Çifti ka mirëpritur tashmë në jetë fëmijën, por ka zgjedhur të ruajë disa detaje vetëm për familjen. Deri tani nuk është zbuluar gjinia dhe as emri i të porsalindurit.
Lajmi merr një domethënie veçanërisht të fortë pas historisë së dhimbshme që Marin kishte ndarë publikisht vetëm pak muaj më parë.
Në tetor të vitit të kaluar, reperi rrëfeu mes lotësh se ai dhe partnerja kishin humbur një foshnjë menjëherë pas lindjes. Ishte një prej momenteve më personale që Marin kishte zgjedhur të tregonte publikisht, duke zbuluar se fëmijës i kishin vendosur edhe emër.
Duke folur për mënyrën se si kishte arritur ta përballonte humbjen, reperi tregonte se ishte mbështetur fort te besimi.
“Dhimbja ishte e madhe, por forca nga Zoti ishte 2-3 herë më e madhe”, shprehej ai.
Këtë herë, çifti duket se ka zgjedhur ta jetojë të gjithë pritjen në heshtje, larg ekspozimit dhe rrjeteve sociale. Vetëm pasi fëmija erdhi në jetë, partnerja e Marin vendosi të tregojë arsyen e vërtetë të mungesës së saj nëntëmujore.
Pas një humbjeje që reperi e kishte përshkruar si një nga goditjet më të rënda të jetës së tij, familja e tyre ka sot një arsye të re për të festuar: Marin është bërë sërish baba./CLASS
