Probleme për Xhakën, përfundon nën hetim në Zvicër
Lojtari shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, është nën hetim nga Prokuroria Publike e Lucernës në lidhje me certifikatat e COVID-19.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Publike të Lucernës, Simon Kopp, për median zvicerane Blick. Sipas tij, autoritetet po hetojnë nëse në lidhje me certifikatat e COVID-19 është kryer ndonjë veprim që mund të përbëjë vepër penale.
Dyshohet se Xhaka mund të ketë siguruar certifikata të falsifikuara vaksinimi, sakaq dokumentet mendohet se janë lëshuar nga një mjeke në kantonin e Lucernës.
Në kuadër të hetimeve, policia kishte kontrolluar ordinancën e mjekes në vitin 2023, ku raportohet se janë sekuestruar prova që lidhen me çështjen. Granit Xhaka i mohon akuzat dhe përfshirjen në këtë rast.
