Festë për Messin, hidhërim për CR7, fati “përplas” sërish legjendat
Fati i C.Ronaldo dhe Leo Messi-t vijon të jetë i kryqëzuar. Ironi e fatit apo jo, por dy nga futbollistët më të mëdhenj të gjithë kohërave, janë në qendër të vëmendjes edhe në fundin e karrierës së tyre. Pikërisht në ditët kur e gjithë Argjentina po bëhet gati t’i dhurojë Messit një lamtumirë të denjë për një legjendë, C.Ronaldo e sheh veten jashtë planeve të trajnerit të ri të ekipit përfaqësues, Jorge Jesus, largohet nga grumbullimi duke përplasur derën.
Pas një Botërori si protagonist, ku e dërgoi Argjentinën deri në finale, Messi njoftoi largimin e tij nga ekipi përfaqësues, por Federata dhe i gjithë populli janë kujdesur t’i dhurojnë një lamtumirë fantastike. 10 vite më parë, situata ishte shumë ndryshe, në kohën kur Messi vendosi të largohej nga ekipi përfaqësues, pas dështimeve të njëpasnjëshme, Ronaldo udhëhoqi Portugalinë drejt suksesit në “Euro2016”, por që nga ajo kohë, karriera e CR7 me përfaqësuesen nisi një rënie të ndjeshme, aq sa tani konsiderohet si një pengesë, si një problem.
Ndryshe nga Ronaldo, Messi u rikthye, udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Botërorin “Katar2022”, duke fituar edhe trofeun e vetëm që i mungonte në karrierën e tij. Messi tentoi “dopjetën” edhe në “FIFA2026”, por u ndal vetëm në finale. Në botën e futbollit thuhet shpesh, që nuk ka një mënyrë të duhur apo të gabuar për t’u larguar, rëndësi ka vetëm se si do të kujtohesh.
Sigurisht, që Ronaldo e di këtë, për këtë arsye nuk pritet që ky të jetë fundi i tij me ekipet përfaqësues.
