Protestat në Tiranë, organizatorët e maratonës në kryeqytet zyrtarizojnë vendimin për zhvillimin e saj
Maratona e Tiranës 2026 nuk do të zhvillohet më datën 25 tetor siç ishte parashikuar. Ajo është shtyrë më datat më 14 dhe 15 nëntor pas vendimit të organizatorëve. Shkak për këtë vendim janë bërë zhvillimet e fundit në vend dhe pamundësia për të garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë për garuesit dhe publikun.
Përmes një njoftimi zyrtar, organizatorët e kanë cilësuar shtyrjen si një vendim të vështirë, por të domosdoshëm, duke theksuar se siguria e pjesëmarrësve mbetet përparësia kryesore. Pavarësisht ndryshimit të datave, biletat e blera do të transferohen automatikisht për datat e reja, pa qenë e nevojshme që garuesit të kryejnë ndonjë veprim shtesë.
Ndërkohë, regjistrimet do të vijojnë të jenë të hapura, duke u dhënë mundësi të interesuarve të bëhen pjesë e këtij aktiviteti sportiv. Organizatorët kanë konfirmuar gjithashtu se paketat e garuesve do të ruhen të plota dhe do të shpërndahen dy ditë përpara garës.
Maratona e Tiranës është më shumë sesa një garë vrapimi prej 42 kilometrash; ajo është një aktivitet që bashkon qytetin dhe qytetarët përmes sportit. Organizatorët shpresojnë që situata të përmirësohet në kohë, në mënyrë që kryeqyteti ta mirëpresë këtë event në kushtet e duhura dhe me atmosferën që e meriton.
