Sat, Oct 24, 2026

Katër muajt e një studenteje në protestë

Katër muajt e një studenteje në protestë
  • PublishedOctober 24, 2026
Iris Kola, studente 20-vjeçare e Planifikimit dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Era e blozës ndihej ende të mërkurën pasdite pranë dyqaneve të djegura në katin përdhes të Kullave Binjake, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku grupe të rinjsh qëndronin ulur mbi bordura, duke diskutuar për ngjarjet e ditëve të fundit dhe duke pritur që protesta kundër qeverisë të rifillonte atë mbrëmje.

Pak orë më parë, një tjetër grumbullim protestuesish në rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ishte përshkallëzuar në përplasje me policinë. Disa të rinj kishin hedhur gurë drejt godinës, ndërsa forcat e rendit ishin kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Por pasditja në bulevard dukej më e qetë. Përballë Kryeministrisë qëndronte vetëm një kordon policësh, ndërsa të rinjtë, të mbledhur në grupe të vogla, shkëmbenin lajme dhe ndiqnin zhvillimet në rrjetet sociale përmes telefonave.

Pas një jave protestash të dhunshme, gjatë së cilës arteria kryesore e kryeqytetit ishte kthyer herë pas here në një arenë përleshjesh mes të rinjve të maskuar dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, qetësia e së mërkurës pasdite dukej si një armëpushim i përkohshëm në një përballje që nuk tregonte shenja se po merrte fund.

Që prej 13 tetorit, qindra protestues janë arrestuar ose proceduar penalisht, mes tyre edhe të mitur, ndërsa dëshmitë për përdorimin e tepruar të forcës nga policia kanë ngritur shqetësime mbi proporcionalitetin e ndërhyrjeve të saj.

Në mesin e një grupi të rinjsh pranë Kullave Binjake ishte edhe Iris Kola, një studente 20-vjeçare e Planifikimit dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

E imët, me flokë të dendur kaçurrela dhe një të folur të shpejtë e plot pasion, ajo dukej si qendra e gravitetit të grupit. Miqtë i afroheshin vazhdimisht, e pyesnin për të tjerët dhe diskutonin se ku do të mblidheshin më vonë.

Ndryshe nga shumë studentë që shmangin kamerat dhe gazetarët nga frika e problemeve me policinë, Irisi nuk nguron të flasë për arsyet që, ngjashëm me mijëra bashkëmoshatarë të saj, e kishin nxjerrë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili drejton vendin që nga viti 2013.

E lindur dhe e rritur në Tiranë, Kola iu bashkua protestave në fillim të qershorit, kur zemërimi që provokoi një projekt për resorte turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, i lidhur me dhëndrin e presidentit të SHBA-së, nxori në rrugë mijëra qytetarë dhe i dha jetë lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”.

“Kur filloi protesta isha jashtë me angazhimet e shkollës në tri ditët e para, por preva biletën dhe erdha dhe që prej atëherë, bashkë me shokët e shoqet e mia, e kemi mbështetur dhe kemi qenë vazhdimisht”, thotë ajo.

Katër muaj më vonë, protesta për mbrojtjen e mjedisit dhe pronës, si dhe transparencën e të ashtuquajturave investime “strategjike” në bregdet, është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë, duke bashkuar të rinj të pakënaqur me korrupsionin, koston në rritje të jetesës dhe mungesën e perspektivës.

Për Irisin, këto pakënaqësi lidhen me një dilemë që e ndajnë shumë bashkëmoshatarë të saj; nëse duhet ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri apo të emigrojnë.

“Protestoj sot që nesër të mos emigroj”

33ecbf65 71e6 4369 8d03 0721f7c1af6933ecbf65 71e6 4369 8d03 0721f7c1af69
Protestat e Flamingove | Foto: LSA

Emigracioni ka qenë një nga plagët më të thella shoqërore të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit, duke zbrazur fshatra e qytete dhe duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të plakur.

Sipas Censit të vitit 2023, popullsia e vendit kishte rënë në rreth 2.4 milionë banorë, gati 420 mijë më pak se në vitin 2011, një tkurrje e ndikuar si nga emigracioni, ashtu edhe nga rënia e lindshmërisë.

Për shumë të rinj, largimi jashtë vendit shihet si rruga më e sigurt drejt një pune të mirëpaguar dhe një jete më dinjitoze. Për Irisin, protesta është edhe një përpjekje për të mos u detyruar të marrë të njëjtin vendim.

“Protestoj sot që nesër të mos emigroj”, thotë ajo, duke përsëritur një nga parullat që ka bashkuar të rinjtë në rrugë.

“Si studente, tregu i punës është i papërfillshëm nëse nuk ke mikun dhe lekun”, shton Irisi.

Por pakënaqësia e saj shkon përtej mundësive të punësimit.

“Nuk ka familje në vendin tonë që nuk është përballur një herë me arrogancën apo mospërfilljen e shtetit, që nga mjekësia e deri tek mungesa e shërbimeve bazë si ujë e drita”, thotë ajo.

Irisi përmend kushtet që i konsideron të mjerueshme në sistemin shëndetësor, nivelin e ulët të jetesës dhe një administratë publike që, sipas saj, shpesh sillet me qytetarët sikur po u bën një favor dhe jo një shërbim.

Pakënaqësi të ngjashme kanë artikuluar edhe protestues të tjerë gjatë demonstratave të muajve të fundit, ku kërkesat fillestare për mbrojtjen e mjedisit janë zgjeruar gradualisht në thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike.

Një komunitet i lindur në protestë

iris kolairis kola
Iris Kola gjatë protestave në bulevardin Dëshmorët e Kombit

Teksa biseda vazhdon, një djalë i afrohet Irisit dhe i kërkon të shkojë më pranë Kryeministrisë, ku kanë nisur të grumbullohen protestuesit. Ai përmend disa emra vajzash dhe djemsh që po e presin.

Irisi i njeh të gjithë.

Gjatë muajve të protestave, ajo dhe bashkëmoshatarët e saj kanë krijuar një rrjet miqësish dhe solidariteti, që funksionon si në rrugë, ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Kemi krijuar një komunitet, ku në rrjetet tona sociale ndajmë thirrjet për t’u mbledhur në protestë, ndajmë video, meme”, tregon ajo.

Ky komunitet ka zhvilluar edhe gjuhën e vet të humorit, të ndërtuar rreth përvojave të përbashkëta në rrugë.

“Kemi shaka të brendshme të tipit ‘po nuk ndjemë erën e gazit, nuk na hapen sytë’”, thotë ajo, duke qeshur.

Në romanin “Libri i të qeshurës dhe harresës”, shkrimtari çek Milan Kundera eksploron fuqinë e humorit për të sfiduar të vërtetat e imponuara nga pushteti totalitar, duke dalluar mes të qeshurës që pohon rendin ekzistues dhe asaj që zbulon absurditetin e tij. Për Irisin dhe bashkëmoshatarët e saj, humori dhe sarkazma janë kthyer gjithashtu në mjete për të sfiduar retorikën e qeverisë dhe për të përballuar tensionin e protestave.

“Deklaratat e kryeministrit nuk i ndjekim fare, ose jemi indiferentë, ose zakonisht i kthejmë në meme”, thotë Irisi.

Ajo nxjerr telefonin dhe tregon një nga memet që qarkullojnë mes protestuesve. Ajo ironizon paralajmërimet e Ramës për kufizimin e përdorimit të mjeteve të transportit nga personat që përfshihen në dhunë, ku përmenden edhe trenat, ndonëse Shqipëria nuk ka një shërbim funksional të rregullt të transportit hekurudhor të pasagjerëve.

Por përvoja e përbashkët e protestave nuk është ndërtuar vetëm përmes shakave.

Gjatë përplasjeve me policinë, Irisi dhe disa vajza të tjera kanë marrë përsipër t’u vijnë në ndihmë protestuesve që preken nga gazi lotsjellës, duke u shpërndarë maska, ujë fiziologjik dhe mjete të tjera mbrojtëse.

Në ditët e para të përleshjeve, ato lidhnin një shami të kuqe në krah ose në qafë, për t’u dalluar nga personat që mund të kishin nevojë për ndihmë.

Irisi tregon se ajo dhe miqtë e saj kanë marrë përsipër edhe të largojnë nga turma bombolat e gazit lotsjellës të hedhura nga policia, duke i zhvendosur ose hedhur drejt lumit Lana.

Por bashkë me miqësitë e reja kanë ardhur edhe përvojat e dhunës, frikës dhe pasigurisë.

Frikë dhe zemërim

dsc 4383dsc 4383
Protestues në rrugën e Durrësit | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Irisi thotë se është kundër dhunës dhe këmbëngul se nuk ka hedhur asnjë gur ndaj policisë.

Megjithatë, ajo i kupton veprimet e bashkëmoshatarëve të përfshirë në përleshje si një reagim ndaj përdorimit të forcës nga policia dhe ndaj shpërfilljes së gjatë të kërkesave të protestuesve nga qeveria.

“Dhuna është e patolerueshme, por dhuna e tyre [policisë] na bën të jemi më vigjilentë dhe të kujdesshëm, por nuk na step”, thotë ajo.

Qëndrimi i saj pasqyron një nga kontradiktat e lëvizjes studentore në Shqipëri, ku shumë pjesëmarrës refuzojnë dhunën si mjet politik, por njëkohësisht shprehin mirëkuptim për zemërimin e të rinjve që përplasen me policinë.

“Për katër muaj bëmë protestë paqësore dhe kryeministri na shpërfilli, na injoroi në kërkesat tona”, thotë Irisi.

“Ne kemi gurin si mjet të vetëm kundër gazit, ujit dhe shkopave të gomës”, shton ajo.

E pyetur për frikën, Irisi thotë se shqetësimi i saj më i madh nuk lidhet domosdoshmërisht me policët me uniformë që shihen në bulevard, por me efektivët me rroba civile.

“Disa prej nesh, edhe kur ishte protesta paqësore, na ndiqnin natë për natë kur iknim nëpër shtëpi”, pretendon ajo.

Akuzat e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, por frika nga ndalimet dhe ndërhyrjet e policisë është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë të rinjve që marrin pjesë në demonstrata.

Irisi ngre mëngën dhe tregon një nxirje në krah, të cilën e konsideron diçka normale në këto kushte. Madje, nuk është as e sigurt nëse nxirja i ka ardhur nga një shkop gome i policisë apo nëse dikush në rrëmujën e turmës, teksa po largohej nga gazi lotsjellës, e ka goditur pa dashje.

Një revoltë kundër klasës politike

Ndonëse kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, revolta e të rinjve është përpjekur të distancohet nga partitë politike dhe ndarjet tradicionale që kanë dominuar skenën shqiptare gjatë 35 viteve të fundit.

Parullat “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Ju erdhi fundi” shprehin pakënaqësinë e protestuesve jo vetëm me qeverinë, por edhe me opozitën dhe klasën politike në tërësi.

Irisi është e kujdesshme kur pyetet për bindjet e saj politike.

Ajo shmang identifikimin me një parti apo krah të caktuar politik, duke këmbëngulur se kjo nuk ka rëndësi për atë që po ndodh në rrugë.

Sipas saj, protesta ka arritur të bashkojë të rinj me bindje të ndryshme, të cilët në rrethana të tjera mund të mos kishin shumë gjëra të përbashkëta.

“Arritja më e madhe e protestës është zgjimi i rinisë, që po kërkon demokracinë e vërtetë”, thotë ajo, ndërsa shton se “ne kemi qenë në diktaturë, thjesht tani po i del koka”.

Për të, dorëheqja e kryeministrit është kërkesa kryesore dhe e panegociueshme. Ajo duhet të pasohet nga zgjedhje të reja dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve në shkolla e spitale dhe luftën kundër korrupsionit.

“Nuk do të ikim nga sheshi pa parë një ndryshim real të vendit”, paralajmëroi ajo.