Valverde nderon Real, AEK dorëzohet në fund, “Los Blancos” me pikë të plota, Mourinho: Ata janë të jashtëzakonshëm, menaxhuam si duhet presionin
Një fitore dramatike për Real Madridin, që triumfon 3-2 ndaj AEK-ut, pas një përmbysjeje të realizuar në minutat e fundit.
Skuadra vendase e nis më mirë takimin dhe kalon në avantazh që në minutën e 12-të me Koitën, i cili mposht Courtois pas një aksioni individual. Reali reagon dhe gjen barazimin në minutën e 32-të me Bellingham, pas një finalizimi spektakolar me thembër.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat kërkojnë golin, por janë vendasit që kalojnë sërish në avantazh me Stavro Pilon, që ndjek mjaft mire aksionin nga e majta dhe pas pasimit të marrë nga Koita nuk gabon duke çuar topin poshtë këmbëve të Courtois. Përgjigjja e madrilenëve vjen vetëm tre minuta më vonë, kur Mbappé rikthen baraspeshën në 2-2.
Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, Federico Valverde bëhet heroi i mbrëmjes. Me një goditje të fuqishme nga distanca në minutat shtesë, uruguaiani vulos fitoren 3-2 për Real Madridin.
Kështu, Los Blancos sigurojnë tri pikë të rëndësishme, vazhdojnë me pikë të plota dhe ndajnë kreun e renditjes me PSG-në, të dyja me nga 12 pikë.
Trajneri portugez u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht se fitorja u sigurua vetëm në momentet e fundit të ndeshjes:
“Jam shumë i kënaqur, natyrisht. Por përballë kishim një skuadër të jashtëzakonshme, që zhvilloi ndoshta ndeshjen më të mirë të saj. Asgjë nga ato që kishim parë më parë nuk i ngjante asaj që treguan sot. Jović ishte i jashtëzakonshëm. Ata luajtën shumë mirë. Ne ditëm të përballonim vështirësitë dhe të duronim presionin.”.
