Fri, Nov 6, 2026

Shkëlqimi dhe rënia e Qatos, nga i paprekshëm është “gozhduar” në stol

Shkëlqimi dhe rënia e Qatos, nga i paprekshëm është “gozhduar” në stol
  • PublishedNovember 6, 2026

Klinti Qato duket se po kalon një periudhë të vështirë te Vllaznia, të paktën sa i përket hapësirave në fushën e lojës. Mesfushori kuçovar, i cili në dy sezonet e fundit ishte shndërruar në një prej titullarëve të rëndësishëm të skuadrës shkodrane, me ardhjen e trajnerit hungarez Csaba Laszlo ka humbur gradualisht vendin në hierarkinë e ekipit.

Në fillim të aventurës së teknikut të ri, Qato vazhdoi të ishte një zgjedhje e preferuar në formacion. Ai u aktivizua si titullar në përballjen ndaj Dinamos, ku qëndroi në fushë për 60 minuta, ndërsa të njëjtën gjë e përsëriti edhe në transfertën kundër Egnatias. Megjithatë, në këtë të fundit, ish-futbollisti i Laçit u zëvendësua që në startin e pjesës së dytë. Por situata ka ndryshuar ndjeshëm në javët e fundit për mesfushorin 28-vjeçar.

Në tre ndeshjet e fundit të kampionatit, Qato nuk është preferuar për asnjë minutë nga trajneri Laszlo, duke i ndjekur të gjitha takimet nga stoli. Një tregues ky i qartë se pozitat e tij në skuadër nuk janë më të njëjtat si në sezonet e mëparshme. Ndërkohë, në repartin e mesfushës, tekniku hungarez ka nisur të besojë më shumë te alternativa të tjera. Emanuel Obina është preferuar si titullar, ndërsa Herald Marku ka qenë një prej lojtarëve që është aktiv izuar më shpesh nga stoli.

Kjo ka bërë që Qato të mbetet gjithnjë e më shumë në pritje të një mundësie për t’u rikthyer në planet e trajnerit. Një ndryshim jo i vogël për kuçovarin, nëse merret parasysh pesha që kishte fituar te kuqeblutë gjatë dy sezoneve të fundit. Ai ishte një titullar i padiskutueshëm dhe një prej futbollistëve që mbante përgjegjësi të rëndësishme në lojën e skuadrës, duke qenë vazhdimisht pjesë e zgjedhjeve të para të pankinës.

Tashmë, megjithatë, ardhja e Laszlos ka ndryshuar raportet në mesfushën shkodrane dhe Qato duhet të presë për të rifituar hapësirat e humbura. Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një zgjedhje taktike të trajnerit apo për një ndryshim më të qëndrueshëm në hierarkinë e repartit, ku konkurrenca për një vend në formacion duket se është shtuar ndjeshëm.



“ ✓”