Mon, Nov 9, 2026

Nations League/ Julian Shehu dhe Etrit Berisha Berisha besimplotë: Ta mbyllim në vendin e parë në grup!

Nations League/ Julian Shehu dhe Etrit Berisha Berisha besimplotë: Ta mbyllim në vendin e parë në grup!
  • PublishedNovember 9, 2026

Julian Shehu dhe Etrit Berisha dolën këtë të hënë në konferencën për shtyp, në prag të dy ndeshjeve të fundit të Shqipërisë në Nations League, ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë. Të dy futbollistët kuqezi u shfaqën optimistë për ecurinë e skuadrës, duke theksuar se objektivi është të sigurojnë rezultatet e duhura për të ruajtur vendin e parë në grup.

Mesfushori Julian Shehu vlerësoi ecurinë e deritanishme të Kombëtares, duke u shprehur besimplotë se skuadra do të arrijë të marrë maksimumin në dy sfidat e fundit të vitit 2026.

ECURIA E SKUADRËS – “Unë besoj se mënyra se si po luan ekipi tani, me një lojë pak më ofensive dhe pak më agresive përpara, ka dhënë frytet e veta. Është e rëndësishme që ne të ndihemi mirë në fushë, të respektojmë dhe të zbatojmë detyrat që kërkon trajneri. Përderisa rezultatet janë ato që trajneri kërkon, pa dyshim që çdo gjë është në rregull”.

SFIDA ME FINLANDËN – “Unë besoj se çdo ndeshje ka vështirësinë e vet dhe patjetër që ne duhet të japim maksimumin dhe ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Presioni është pjesë e lojës, kështu që ne jemi profesionistë dhe duhet të dimë se si ta përballojmë. Duhet të jemi të përqendruar te loja, ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë dhe të shkojmë atje për të zhvilluar një ndeshje që të na japë rezultatin maksimal. Patjetër që objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup, të ruajmë kryesimin dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”.

DIFERENCA ME NDESHJEN E PARË – “I vetmi ndryshim është që këtë herë luajmë në shtëpi dhe, pa tjetër, mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Besoj se kjo do të jetë një shtysë akoma më e madhe që ne të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”.

MESFUSHA – “Unë besoj se detyrat për mesfushorët nuk janë aq specifike. Besoj se tani detyrat kanë ndryshuar pak për të gjithë ekipin. Siç e dimë të gjithë, mundohemi të bëjmë presion sa më lart dhe të jemi një ekip pak më agresiv. Kështu që nuk ka disa detyra specifike vetëm për ne mesfushorët. Besoj se gjendja e ekipit është shumë e mirë dhe patjetër që jemi gati të japim maksimumin tonë dhe të marrim maksimumin e pikëve në këto dy ndeshje”.

AKTIVIZIMI ME MARAN – “Këto janë zgjedhje që bën trajneri dhe ne, si lojtarë, patjetër që i respektojmë. Për aq kohë dhe minutazh sa na jepet mundësia, ne duhet të japim maksimumin, sepse në fund të fundit jemi këtu për ekipin kombëtar, nuk jemi këtu për objektivat tona personale, që të luajmë sa më shumë apo të kemi sa më shumë minuta. Sa herë që të jemi në fushë, besoj se duhet të japim maksimumin. Unë jam një prej atyre që, sido dhe sa herë që të më jepet mundësia, do të jap gjithmonë maksimumin për ekipin kombëtar”.

Nga ana tjetër, portieri Etrit Berisha u shpreh optimist për dy sfidat e radhës, duke vlerësuar cilësinë dhe eksperiencën që ka në përbërje Kombëtarja shqiptare. Megjithatë, ai theksoi se Finlanda duhet vlerësuar maksimalisht dhe se mbështetja e tifozëve do të jetë shumë e rëndësishme për arritjen e objektivit.

A KËRKOHET REVANSH NDAJ FINLANDËS? – “Jo, nuk do ta quaja revansh. Çdo ndeshje, besoj, ka historikun e vet dhe ne duhet të fokusohemi te objektivi që kemi. Sot do të bëhet stërvitja e parë dhe, gjithsesi, dua t’i ftoj tifozët që të vijnë të na përkrahin në këtë ndeshje. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë, pasi për ne është shumë e rëndësishme t’i kemi tifozët pranë. Objektivi ynë, gjithsesi, është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara, duke ruajtur vendin e parë”.

NDESHJA E PARË – “Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen mbrapa. Gjithsesi, ishte një moment që ndryshoi edhe rrjedhën e lojës. Ishte ndoshta edhe një fatkeqësi, pasi pas një gabimi fillon edhe një seri ngjarjesh, domethënë pësimi i golit dhe gjithçka tjetër u bë më e vështirë. Mirëpo, besoj se e kemi kaluar atë moment dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshjet e radhës. Gjithçka e kemi në dorën tonë. Mendoj se ekipi do të paraqitet mirë, pasi dëshira është shumë e madhe, si nga ana e ekipit, ashtu edhe e tifozëve, për të marrë maksimumin. Dua të shtoj edhe pjesën e ndeshjes me San Marinon dhe të vlerësoj tifozët që ishin dhe na përkrahën. Për ne do të ishte një mbështetje shumë e madhe. Kështu që mendojmë të bëjmë edhe më mirë sesa herën e kaluar dhe të fitojmë ndeshjen”.

FORMA E MIRË – “Ka qenë një moment shumë i mirë, të cilin e kam përjetuar gjatë këtij muaji apo muajit e gjysmë të fundit. Gjithsesi, dua ta vazhdoj këtë formë edhe me Kombëtaren. Në ndeshjen e parë me Kombëtaren nuk pësova gol, ndonëse luajta vetëm 20 minuta. Por, gjithsesi, për ne është shumë e rëndësishme kjo ndeshje. Shpresoj ta shfrytëzoj edhe formën time dhe gjithçka që mund të jap, për të bërë një paraqitje dinjitoze”.

KRAHASIMI ME FINLANDËN – “Ne kemi lojtarë më cilësorë. Kemi lojtarë që luajnë ose kanë luajtur në kampionate të rëndësishme, lojtarë me eksperiencë. Megjithatë, nuk duhet në asnjë mënyrë të nënvlerësojmë Finlandën. E kemi parë edhe në ndeshjen e fundit dhe mendoj se kemi marrë një mësim shumë të mirë. Edhe ndeshja me San Marinon na tregoi se nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Aq më pak Finlandën, që ka lojtarë të mirë. Por ne e dimë se luajmë në shtëpi dhe dëshira jonë është të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje”.

KARTONI I KUQ – “Sa i përket atij momentit të kartonit të kuq, ishte ndoshta një ndryshim mendjeje në momentin e fundit, kur u vendos për pasimin. U nisa ta vazhdoja aksionin në të djathtë dhe pastaj ndryshova mendim në momentin e fundit. Kur e mori topin lojtari kundërshtar, më pas pashë mundësinë për ta kapur përsëri topin. Gjithsesi, në momentin e fundit mendoj se nuk pata ndonjë kontakt, por lojtari kundërshtar arriti ta shfrytëzonte momentin. Megjithatë, mendoj se duhet të marrim parasysh edhe ndeshjen e parë me Bjellorusinë, ku krijuam shumë raste. Shumë prej tyre i ndërtuam nga prapa, përmes qarkullimit të topit, dhe arritëm të dilnim përpara e të sulmonim. Mendoj se duhet të vazhdojmë me këtë mënyrë loje, pavarësisht se gabimet mund të ndodhin. Besoj se kjo mënyrë loje na ka dhënë shumë vetëbesim edhe në ndeshjen e parë që zhvilluam. Prandaj, nuk duhet ta marrim këtë gabim si diçka shumë të madhe apo të mendojmë se duhet të ndryshojmë diçka në këtë aspekt”.

 



“ ✓”