Tue, Nov 10, 2026

Përplasje e fortë mes Mauro Icardit dhe Wanda Naras, ndërhyn policia!

Përplasje e fortë mes Mauro Icardit dhe Wanda Naras, ndërhyn policia!
  • PublishedNovember 10, 2026


Konflikti mes Mauro Icardit dhe ish-bashkëshortes së tij, Wanda Nara, ka marrë një tjetër përmasë në Argjentinë. Një debat i ashpër mes tyre ka përfunduar me ndërhyrjen e policisë, ndërsa në qendër të ngjarjes është përfshirë edhe njëra prej vajzave të çiftit.

Sipas mediave argjentinase, incidenti ndodhi të premten në Nordelta, një zonë rreth 30 kilometra larg Buenos Airesit, ku ndodhet banesa e sulmuesit. Wanda Nara është paraqitur me urgjencë në shtëpinë e futbollistit, pas një episodi që lidhet me vajzën e tyre 11-vjeçare.

Në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë, 39-vjeçarja pretendon se Icardi e kishte qortuar vajzën dhe më pas e kishte mbyllur në dhomën e saj. Sipas versionit të paraqitur prej saj, e mitura kishte kërkuar ndihmë përmes një kompjuteri portativ dhe aplikacionit WhatsApp.

Pas ngjarjes, autoritetet kanë nisur një procedim për pretendime mbi ushtrim dhune. Mediet argjentinase raportojnë gjithashtu se ndaj Icardit është vendosur një masë kufizuese për 45 ditë, duke i ndaluar afrimin në një distancë më të vogël se 300 metra nga banesa e vajzës apo vendet ku ajo mund të ndodhet. Atij i është ndaluar gjithashtu çdo formë komunikimi me të, drejtpërdrejt apo përmes telefonit dhe rrjeteve sociale.

Nga ana e tij, sulmuesi ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, duke mohuar kategorikisht se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës.

“Mauro Icardi nuk e ka goditur kurrë vajzën e tij. Raporti i shërbimit të urgjencës që i dha ndihmën e parë është i qartë: nuk janë konstatuar dëmtime”, thuhet në reagimin e tij.

Avokatët e futbollistit kanë mohuar gjithashtu lajmet për një urdhër arresti ndaj klientit të tyre. Ata kanë konfirmuar se në banesën e tij është kryer një kontroll nga policia, gjatë të cilit janë sekuestruar kompjuteri dhe telefoni celular.

Mbrojtja pretendon se sekuestrimi i pajisjeve mund të ishte realizuar edhe përmes një kërkese për dorëzimin e tyre vullnetar dhe ka kërkuar që ato të ruhen nën përgjegjësinë e prokurorisë deri në kryerjen e ekspertizës.

“Jemi të parët që kemi interes që këto pajisje t’i nënshtrohen ekspertizës, pasi pikërisht prej tyre do të dalë nëse ngjarjet kanë ndodhur apo jo në mënyrën siç janë paraqitur publikisht”, thuhet në deklaratën e avokatëve.

Çështja pritet të marrë zhvillime të tjera, ndërsa hetimet do të përcaktojnë rrethanat e incidentit dhe vërtetësinë e pretendimeve të palëve. Për momentin, bëhet fjalë për akuza dhe pretendime që mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.