NBA/ Vijon dominimi, Lakers e Boston me hap kampioni, 10 fitore radhazi për Spurs
Boston Celtics vijon të dominojë Konferencën e Lindjes, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë. Skuadra nga Massachusetts mposhti Toronton me rezultatin 98-93, në një ndeshje ku spikati Jayson Tatum, autor i 24 pikëve.
Surprizë në New York, ku skuadra kampione u mposht në shtëpi nga Cleveland me rezultatin 115-107. Protagonisti kryesor për Cavaliers ishte James Harden, i cili zhvilloi një paraqitje fantastike, duke realizuar 32 pikë.
Vijojnë paraqitjet mbresëlënëse edhe për Los Angeles Lakers, që po konfirmohen si një nga skuadrat më në formë të kampionatit. Kalifornianët triumfuan 123-112 në transfertën ndaj Milwaukee, me Luka Doncic që udhëhoqi ekipin me 32 pikë.
Një sukses të rëndësishëm regjistroi edhe Denver, që mposhti Memphis me rezultatin 123-118. Fitorja e Nuggets u ndërtua mbi paraqitjet e shkëlqyera të Jamal Murray, me 30 pikë, dhe Nikola Jokic, që kontribuoi me 27 pikë.
Nuk zhgënjen as San Antonio Spurs, që vijon të mbajë një pozicion të rëndësishëm në Konferencën e Perëndimit. Spurs mposhtën Chicago Bulls me rezultatin 124-119, në një sfidë ku Victor Wembanyama ishte sërish protagonist, duke realizuar 32 pikë. Kjo ishte fitorja e 10 radhazi për teksanët
Ndërkohë, zhgënjen Golden State Warriors, që u mposhtën 115-105 nga Houston Rockets. Një sukses i merituar për skuadrën teksane, ku të gjithë titullarët arritën të kontribuonin me më shumë se 14 pikë, duke dëshmuar forcën kolektive të ekipit.
