Rita Ora pjesë e kastit të filmit të ri fantastiko-shkencor ‘The Signalers’, krahas Tom Hopperit
Këngëtarja dhe aktorja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e kastit të filmit të ri fantastiko-shkencor dhe thrillerit aventuresk ‘The Signalers’.
Ajo do të ndajë ekranin me aktorin Tom Hopper, i njohur për rolet në serialet ‘The Umbrella Academy’ dhe ‘The Terminal List’, si dhe me aktoren e re Mila Harris, e cila po shënon ngritje në Hollywood përmes projekteve ‘No Exit’ dhe ‘Mary’, shkruan Variety.
Në kastin e filmit janë përfshirë gjithashtu aktorët Missi Pyle, e njohur nga ‘Galaxy Quest’, dhe Nolan North, i cili ka marrë pjesë në ‘Uncharted’. Në role mbështetëse do të paraqiten edhe Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl.
Filmi tashmë ka nisur xhirimet dhe është projekt i kompanisë Gramercy Park Media. Skenari është shkruar nga Cate Carson, e cila ka një të kaluar si detektive dhe specialiste e inteligjencës ushtarake, ndërsa regjinë e ka marrë përsipër Gille Klabin, i njohur për filmin ‘The Wave’.
Ngjarja e filmit përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror (Tom Hopper), i cili punon në një zonë të izoluar, dhe mbesa e tij, me të cilën ka një marrëdhënie të shkëputur (Mila Harris).
Jeta e tyre merr një kthesë të pazakontë kur zbulojnë një sinjal të pashpjegueshëm në thellësi të një zone të egër në Kanada. Sinjali shkakton fenomene të çuditshme dhe të rrezikshme, duke i shtyrë ata të nisin një udhëtim për të zbuluar origjinën e tij.
Gjatë kërkimeve, ata takojnë edhe një grup shkencëtarësh hulumtues, të interpretuar nga Rita Ora dhe Missi Pyle, të cilët janë gjithashtu në kërkim të këtij fenomeni. Megjithatë, përpjekjet e tyre i çojnë pa dashje drejt zbulimit të një force të jashtëtokësore të varrosur prej kohësh, e cila po zgjohet përreth tyre.
Duke folur për projektin, Harris nga Peachtree Media Partners u shpreh entuziaste për realizimin e filmit dhe përvojën e xhirimeve.
‘Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi nisur xhirimet dhe po sjellim në jetë emocionet intensive dhe pamjet mbresëlënëse të këtij filmi. Skenari i Cate ofron një pikënisje të jashtëzakonshme për kastin tonë që ta sjellë këtë histori në ekran. Me gjithë lajmet për zbulimet rreth alienëve dhe përpjekjet për të fshehur të vërteta mbi fenomene të jashtëtokësore, ky film, i frymëzuar nga stili klasik i Steven Spielbergut, është pikërisht lloji i historisë që publiku ka pritur’, deklaroi ajo.
Në ekipin e producentëve janë përfshirë Mary Aloe nga Aloe Entertainment, si dhe Cate Carson dhe Jay De La Jara nga Ed Motel Entertainment.
Ndërkaq, producentë ekzekutivë janë Ford Corbett dhe Nathan Klingher nga Gramercy Park Media, Danielle Bisutti dhe Ron Greenbaum nga Pen Ultimate Films, si dhe Samuel Mekonnen.
Ekipi kreativ prapa kamerave përfshin Aaron Grasso si drejtor fotografie, Mollie Wartelle si dizajnere të skenografisë dhe Erika Benton si kostumografe.
Filmi ‘The Signalers’ pritet të sjellë një histori që ndërthur misterin, aventurën dhe elementet fantastiko-shkencore, ndërsa për Rita Orën shënon një tjetër angazhim në karrierën e saj si aktore.


