Sun, Nov 15, 2026

Lagështira kërcënon Amfiteatrin e Durrësit, nisin punimet restauruese

Lagështira kërcënon Amfiteatrin e Durrësit, nisin punimet restauruese
  • PublishedNovember 15, 2026
Amfiteatri i Durrësit | Foto: G.Kabashi

Amfiteatri romak i Durrësit do t’i nënshtrohet një procesi restaurimi që pritet të zgjasë një vit, me synimin për të përforcuar strukturat antike të dëmtuara nga lagështira dhe për të përmirësuar sigurinë e vizitorëve.

Një kompani e licencuar për ndërhyrje restauruese ka nisur ditët e fundit punimet në galerinë veriore të monumentit, ku ndërhyrjet e fundit datojnë në vitin 2004.

Profesori Pirro Thomo tha për BIRN se restaurimi do të shtrihet edhe në galeri të tjera, strukturat e të cilave kanë nevojë për përforcime.

“Ujërat e kodrës mbi amfiteatër e shtojnë lagështirën jo vetëm në galeri, por edhe në shkallare”, tha Thomo, duke shtuar se ndërhyrjet do ta bëjnë më të sigurt lëvizjen e vizitorëve brenda monumentit.

Punimet vijnë në një kohë kur Amfiteatri i Durrësit po tërheq një numër në rritje turistësh vendas dhe të huaj.

Drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit, Alban Ramohito, tha për BIRN se fluksi i vizitorëve ka mbetur i qëndrueshëm edhe gjatë muajve korrik dhe gusht, periudhë kur zakonisht regjistrohet një rënie e ndjeshme e vizitave.

Sipas tij, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, monumenti u vizitua nga 46,615 persona, rreth 7 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ramohito e konsideron rritjen e vizitave një arsye shtesë për investimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve në konservimin dhe restaurimin e monumentit.

Sipas tabelës informuese të vendosur në hyrje të amfiteatrit, investimi prej afro 67 milionë lekësh, i parashikuar nga ministria dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, përfshin hartimin e planeve të konservimit dhe gërmimeve arkeologjike në amfiteatër, Forumin Bizantin, Banjat Romake, si dhe në shtigjet urbane të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të Durrësit.

whatsapp image 2026 11 14 at 9.27.00 am (1)whatsapp image 2026 11 14 at 9.27.00 am (1)
Punime restauruese ne Amfiteatrin e Durrësit | Foto: Gëzim Kabashi

Ndërhyrja merr rëndësi të veçantë edhe pas pezullimit të përkohshëm të projektit TID, i cili përfshin edhe territorin e amfiteatrit.

Problemet që shkaktohen nga depërtimi i ujërave në strukturat e amfiteatrit janë identifikuar prej më shumë se dy dekadash.

Arkeologu Afrim Hoti i referohet një studimi të vitit 2002 të specialistit të restaurimit Roberto Nardi, i cili paralajmëronte për rrezikun që i kanosej monumentit nga rrjedhjet e ujërave sipërfaqësore të kodrës dhe ato nëntokësore.

Sipas studimit, të cituar nga Hoti në përmbledhjen “Kërkime arkeologjike 2001–2021”, amfiteatri përbën një mikrozonë hidrologjike, ku muret antike vuajnë nga nivele artificialisht të larta lagështire.

Depërtimi i vazhdueshëm i ujërave në galeri dhe shkallare mbetet një nga problemet kryesore të konservimit të monumentit, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen për mbrojtjen e strukturave të

Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu Vangjel Toçi, i cili drejtoi së bashku me ekipin e tij katër ekspedita verore arkeologjike. Gërmimet nxorën në dritë shkallaret dhe galeritë që përbëjnë sot pjesën më të njohur të monumentit.

Zbulimi dhe zgjerimi i hapësirës arkeologjike u shoqëruan me zhvendosjen e më shumë se 30 banesave dhe të dhjetëra familjeve, për t’u hapur rrugë gërmimeve intensive.

Sipas arkeologut Afrim Hoti, i cili ka drejtuar Departamentin e Arkeologjisë, ndërhyrjet e para restauruese nisën menjëherë pas zbulimit të monumentit, nën drejtimin e restauratorit Fabian Miraj.

Në dekadat që pasuan, në kërkimet arkeologjike dhe restaurimin e amfiteatrit kontribuuan arkeologët Tartari, Myrto, Hidri dhe I. Toçi, si dhe restauratorët Stamati, Lukaçi, Priftuli dhe Kërtusha. Në dokumentimin dhe studimin e monumentit u përfshinë gjithashtu piktorë dhe fotografë.

Gjatë viteve ’80, punimet restauruese u kryen nga Atelieja e Monumenteve, nën mbikëqyrjen shkencore të specialistëve të Institutit të Monumenteve.

Ish-drejtuesja Irma Kabashi kujton se gjatë kësaj periudhe u restaurua galeria kryesore e amfiteatrit, e cila vazhdon të përdoret si një nga vendkalimet kryesore të vizitorëve.

Ndërkohë, gërmimet në pjesën perëndimore të monumentit u vijuan për afro dy dekada nga arkitektja Lida Miraj.

whatsapp image 2026 11 14 at 9.27.00 amwhatsapp image 2026 11 14 at 9.27.00 am
Galeri në Amfiteatrin e Durrësit | Foto: Gëzim Kabashi

Sipas Hotit, studimet e saj mbi arkitekturën e amfiteatrit dhe pozicionin dominues të monumentit në organizimin urban të Durrësit u publikuan gjatë viteve ’80 dhe ’90, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në njohjen e historisë së tij.

Përveç ndërhyrjeve restauruese, Qendra Muzeore e Durrësit ka nisur së fundmi botimin e përmbledhjeve të studimeve shkencore të arkeologëve që kanë punuar në qytet.

“E kemi nisur me ‘Kërkimet arkeologjike’ të Vangjel Toçit”, tha Ramohito.

Ai shtoi se, në kuadër të 60-vjetorit të zbulimit të amfiteatrit, Qendra Muzeore ka vendosur që 14 prilli të shënohet në vijim si Dita e Amfiteatrit.