Johnny Depp rikthehet fuqishëm në kinema pas 8 vitesh, filmi i tij debuton në vendin e parë në SHBA
Johnny Depp është rikthyer në krye të renditjes së filmave më të ndjekur në kinema, me filmin e tij të parë të prodhuar nga një studio e madhe në tetë vitet e fundit. Ky rikthim vjen pas pasojave të një procesi gjyqësor të ashpër për shpifje kundër ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard, i cili e kishte vënë në rrezik të ardhmen e tij në Hollywood.
Megjithatë, gjashtë vjet pasi iu kërkua të largohej nga seria e filmave “Fantastic Beasts” dhe tre vjet pasi Depp deklaroi se nuk kishte “më asnjë nevojë për Hollywood-in”, filmi “Ebenezer”, i publikuar nga Paramount Pictures, debutoi në vendin e parë me rreth 19 milionë dollarë të ardhura nga shitja e biletave, sipas vlerësimeve të studios të publikuara të dielën. Paramount e shfaqi filmin në 3.535 kinema.
Ndonëse ky rezultat është larg suksesit të jashtëzakonshëm të serisë “Pirates of the Caribbean”, e cila në dy raste ka debutuar me mbi 100 milionë dollarë, apo edhe debutimit prej 62 milionë dollarësh të filmit “Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald” në vitin 2018, ai përbën një nisje të mirë për filmin, prodhimi i të cilit raportohet se ka kushtuar 38 milionë dollarë.
Në tregun ndërkombëtar, filmi siguroi 23 milionë dollarë në 63 tregje, duke e çuar totalin e debutimit global në 42 milionë dollarë.
Jashtë filmave të serive të njohura ku ka luajtur, filmat e Depp zakonisht kanë regjistruar debutime në nivelin e 20 milionë dollarëve, siç ndodhi me “Black Mass” dhe “Public Enemies”.
Sipas sondazheve të daljes nga kinematë të realizuara nga PostTrak, rreth 52% e audiencës së “Ebenezer” përbëhej nga femra, ndërsa 81% e shikuesve ishin mbi moshën 25 vjeç. Rreth 65% e personave që blenë bileta deklaruan se do t’ua rekomandonin patjetër filmin miqve të tyre. Më pak se gjysma, ose 47%, e grupmoshës së fëmijëve (12 vjeç e poshtë) thanë se do t’u tregonin miqve se filmi ishte një prodhim që duhej parë menjëherë.
Historia, e frymëzuar nga vepra e Charles Dickens, është klasifikuar PG-13 dhe është drejtuar nga Ti West, i njohur kryesisht për serinë e filmave horror “X”.
Kritikët nuk e pritën filmin aq ngrohtë sa publiku. Aktualisht, ai ka një vlerësim prej 52% në platformën Rotten Tomatoes. Në film interpretojnë gjithashtu Rupert Grint, Andrea Riseborough, Sam Claflin dhe Daisy Ridley.
Mbetet ende për t’u parë nëse ky sukses shënon një rikthim të madh të Depp në industrinë e filmit, por këtë mund ta tregojë vetëm koha. Sipas sondazheve të zhvilluara pas shfaqjes së filmit, 51% e shikuesve deklaruan se arsyeja kryesore për të shkuar në kinema ishte vetë Johnny Depp.
Filmi i radhës i Depp, një thriller hakmarrjeje me titull “Day Drinker”, pritet të dalë në muajin mars nga kompania Lionsgate.
Sony me filmin “Ghost Soldier” dhe Amazon MGM Studios me “How to Rob a Bank” debutuan gjithashtu këtë fundjavë, por pa tërhequr shumë vëmendje.
“Ghost Soldier”, një film aksion ku interpreton Jim Caviezel, debutoi në vendin e gjashtë me 5,2 milionë dollarë të ardhura nga 2.558 kinema.
Ndërsa “How to Rob a Bank” u rendit në vendin e shtatë, me pak më pak se 5,2 milionë dollarë të ardhura nga 2.810 kinema. Në tregun ndërkombëtar, filmi siguroi 5,1 milionë dollarë. Filmi, me regji të David Leitch, i njohur për “The Fall Guy”, raportohet se kishte një buxhet neto prodhimi prej 40 milionë dollarësh.
Në këtë film interpretojnë Nicholas Hoult, Zoë Kravitz dhe Pete Davidson, por ai nuk mori vlerësime të mira nga kritikët.
Filmi “The Cat in the Hat” u rendit në vendin e dytë gjatë fundjavës së tij të dytë në kinema, me 11,4 milionë dollarë të ardhura. Në vendin e tretë u rendit “Godzilla Minus Zero”, me 8,3 milionë dollarë, duke shënuar një rënie të ndjeshme prej 73% krahasuar me debutimin.
Vendin e katërt e zuri “Ramayana: Rise of a Legend”, gjithashtu në fundjavën e tij të dytë në kinema, me 5,5 milionë dollarë.
Pesëshen e parë e plotësoi dokumentari për Elizabeth Holmes, “You Can See Everything”, i cili siguroi pak më pak se 5,5 milionë dollarë, duke e çuar totalin e të ardhurave në tregun vendas në 89 milionë dollarë.
“Fenomeni ‘You Can See Everything’ vazhdon”, tha Dergarabedian. “Ai është kthyer në filmin për të cilin të gjithë pyesin nëse e ke parë.”
Filmi “Wild Horse Nine” shtoi gjithashtu 1.075 kinema gjatë fundjavës së tij të dytë, ku siguroi 4,6 milionë dollarë të ardhura.
Filmi “Club Kid” i Jordan Firstman pati një nga zgjerimet më të suksesshme të vitit në numër të kufizuar kinemash, duke siguruar 756.060 dollarë në 27 salla.
Ndërsa thrilleri kriminal i vlerësuar nga kritika, “Paper Tiger”, me regji të James Gray, debutoi në gjashtë kinema në New York dhe Los Angeles, duke siguruar 215.009 dollarë, përpara se të zgjerojë shpërndarjen në të gjithë vendin javën e ardhshme.
Në përgjithësi, kjo ishte një fundjavë më e ngadaltë se ajo e kaluar, me rreth 86 milionë dollarë të ardhura totale nga shitja e biletave në kinematë e Amerikës së Veriut.
Megjithatë, pritet që aktiviteti në kinema të rritet fundjavën e ardhshme, me daljen në kinema të filmit “The Hunger Games: Sunrise on the Reaping”.
10 filmat më të ndjekur sipas të ardhurave në kinematë e Amerikës së Veriut
Duke qenë se shifrat përfundimtare të të ardhurave në tregun vendas do të publikohen të hënën, kjo renditje bazohet në vlerësimet e shitjeve të biletave nga e premtja deri të dielën në kinematë e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, sipas të dhënave të Rentrak:
“Ebenezer” – 19 milionë dollarë.
“The Cat in the Hat” – 11,4 milionë dollarë.
“Godzilla Minus Zero” – 8,3 milionë dollarë.
“Ramayana: Rise of a Legend” – 5,5 milionë dollarë.
“You Can See Everything” – 5,5 milionë dollarë.
“Ghost Soldier” – 5,2 milionë dollarë.
“How to Rob a Bank” – 5,2 milionë dollarë.
“Wild Horse Nine” – 4,6 milionë dollarë.
“Wildwood” – 4,5 milionë dollarë.
“Clayface” – 3,7 milionë dollarë./AP
