VIDEO/ E veçantë në Parlamentin australian, deputeti i propozon martesë partneres gjatë fjalimit të lamtumirës
Një fjalim lamtumire në parlamentin australian është kthyer në një moment të veçantë romantik. Deputeti Jordan Lane ka shfrytëzuar fjalën e tij të fundit në Parlament si përfaqësues i zonës së Ryde për t’i propozuar martesë partneres së tij, Natalie, përpara kolegëve dhe të pranishmëve.
Në vend që t’i kushtonte të gjithë fjalimin vetëm karrierës politike, Lane zgjodhi të fliste për familjen, dashurinë dhe njerëzit që kanë pasur rëndësi në jetën e tij. Ai e nisi adresimin duke thënë se vendimi për të bërë hapin e madh nuk ishte pjesa më e vështirë, por mënyra se si do ta shpjegonte atë.
Ai falënderoi prindërit, motrat, gjyshen dhe njerëzit që e kishin mbështetur ndër vite. Një pjesë të veçantë të fjalimit ia kushtoi partneres Natalie, të cilën e përshkroi si njeriun që i kishte dhënë gjithçka të mirë dhe të vërtetë në jetën e tij.
Por surpriza erdhi në fund të fjalimit. Pasi foli për dashurinë dhe rëndësinë e veprimeve përtej fjalëve, Lane u kthye nga partnerja dhe bëri pyetjen që e kishte përgatitur gjatë gjithë adresimit.
‘Zoti kryetar, pyetja ime e fundit si deputet i Ryde është për dashurinë time të madhe, Natalie. A do të martohesh me mua?’, u shpreh ai nga foltorja e Parlamentit.
Përgjigjja e Natalie ishte pozitive. Ajo tundi kokën në shenjë pranimi, ndërsa momenti u shoqërua me vëmendjen e kolegëve të deputetit.
Lane e ndau më pas videon e propozimit në llogarinë e tij në Instagram, ku shkroi se kishte mbajtur fjalimin e fundit në Parlament, duke shtuar: ‘E dua Ryde dhe do ta dua gjithmonë. Por Natalie-n e dua më shumë.’
