Durrësi bën llogaritë me ëndrrën e turizmit gjithëvjetor

Ka një vend në Durrës ku lashtësia, mesjeta dhe realiteti qëndrojnë së bashku.
Falë motit të mirë, porta e kalasë mblodhi edhe në shtator turistë të shumtë, vetmitarë apo në grupe, të cilët vizitojnë amfiteatrin antik dhe muret mesjetare, pranë të cilave shihen edhe godina të ndërtuara vitet e fundit.
“Numri i turistëve të interesuar për monumentet e qytetit 3-mijëvjeçar ka njohur rritje edhe gjatë shtatorit,” tha për BIRN drejtori i Qendrës Muzeore, Alban Ramohitaj.
“7.443 vizitorë gjithsej në Amfiteatër dhe në Torrën Veneciane gjatë muajit të kaluar, dhe më shumë se 44 mijë gjatë 9-mujorit,” shtoi Ramohitaj, duke nënvizuar një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Shtatori është muaji më i gëzueshëm për turizmin, pasi është më fresk, lëvizet më lirshëm drejt qendrës, ndërsa bashkë me motin e mirë, çmimet në plazh janë më të ulëta.
Megjithëse në stacionet dhe objektet historike ka munguar përsëri Muzeu Arkeologjik, i cili restaurohet prej tre vitesh, numri i vizitorëve në qytet ka ardhur duke u rritur.
Durrësi prej vitesh shihet si porta e turizmit shqiptar, qyteti vijon të përballet me probleme të thella infrastrukturore që e mbajnë peng zhvillimin e sektorit.
Pavarësisht projekteve të shumta të shpallura ndër vite për përmirësimin e shërbimeve, shumë prej tyre kanë mbetur pezull ose janë zvarritur pa afate të qarta përfundimi.
Nëse Durrësi synon ta kthejë turizmin në një burim të qëndrueshëm të ardhurash gjatë gjithë vitit, ekspertët thonë se duhet të nisë pikërisht nga zgjidhja e këtyre problemeve bazike që sot i japin qytetit pamjen e një destinacioni të lodhur nga kaosi urban dhe mungesa e vizionit afatgjatë.
Eksperti i turizmit, Edmond Basho, tha për BIRN se entuziazmi i dikurshëm për turizëm gjithëvjetor tashmë nuk përmendet më.
“Durrësi ka kapacitetet më të mëdha turistike të vendit, veçanërisht në ato hoteliere, çka favorizohet edhe nga afërsia me portin dhe aeroportin, por të dhënat nga turizmi dimëror vazhdojnë të jenë të varfra,” shtoi ai.
Madje edhe analizat vjetore për turizmin më shumë i kryejnë privatët sesa institucionet.
Në një nga strukturat e mëdha hoteliere, aty ku plazhet e Durrësit dhe Kavajës bashkohen, këto ditë po zhvillohet një kampionat botëror shahu për moshat 14-18 vjeç.
“Ky është kampionati i katërt që organizojmë në Durrës, me rreth 730 pjesëmarrës, ndërsa bashkë me delegacionet numri i përgjithshëm kalon 1300 vetë,” tha për BIRN sekretarja e përgjithshme e Federatës së Shahut, Majlinda Pilinçi.
Pilinçi shpjegoi se në Durrës kanë ardhur përfaqësues të 92 federatave nga të gjithë kontinentet, përfshirë 280 lojtarë që kanë tituj shahistikë, ndërsa janë parashikuar 11 ditë garash.
“Dy nga ditët e programit ia kemi kushtuar vizitave turistike në Tiranë, Krujë dhe Durrës,” tha ajo, duke e konsideruar mjaft të rëndësishme njohjen e të rinjve me disa prej qyteteve të vendit.
“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Bashkinë dhe strukturat ku jemi akomoduar,” vlerësoi znj. Pilinçi.
Në fund të sezonit veror, bizneset turistike në Durrës i kanë të qarta mungesat që duhet të zgjidhen nga pushteti vendor: tërheqja e mbetjeve urbane dhe mangësitë e transportit publik.
“Lëvizja e turistëve me mjetet e transportit publik vazhdon të jetë problem i pazgjidhur në Durrës,” tha për BIRN kryetari i Shoqatës së Turizmit, Eduard Xhepa. “Pavarësisht masivitetit të taksive në qytet, duhet të marrë zgjidhje transporti i pushuesve vendas dhe të huaj me mjete publike.”
Tetori po mbërrin në gjysmën e tij, dhe turistët e huaj vazhdojnë të jenë të pranishëm në Durrës.
Në shëtitoren bregdetare disa nga bar-restorantet i kanë mbyllur dyert dhe kanë nisur riparimet e restaurimet, pa pritur mbërritjen e sezonit të ardhshëm turistik.
Por punimet publike janë ende prapa.
Projekti i zgjerimit të shëtitores mbetet i bllokuar, që kur zbatuesit i ndërprenë punimet për shkak të zgjedhjeve të majit të kaluar.
Duket të jetë një projekt i komplikuar, pasi bashkë me urbanistikën duhet të zgjidhet edhe sistemi i kanalizimeve për disa nga lokalet e bregdetit.
Bashkia e Durrësit ka një gjatësi bregdetare prej 62 km, por deri tani nuk është shfrytëzuar më shumë se gjysma.
“Mungesa e rrugëve e ka favorizuar këtë gjendje. Sa më gjatë të vazhdojë numri i plazheve të lira, aq më mirë është,” nënvizon eksperti i turizmit Edmond Basho.
“Nëse në këto zona do të fillojë ndërtimi masiv me apartamente, njëlloj si në pjesë të tjera të bregdetit, me siguri do të humbasë karakteri turistik i tyre,” përfundoi ai.