Wed, Apr 22, 2026

“Doza të rrezikshme çdo ditë!”/ Dokumentari i ri zbulon anën e errët të jetës së Hulk Hogan

“Doza të rrezikshme çdo ditë!”/ Dokumentari i ri zbulon anën e errët të jetës së Hulk Hogan
  • PublishedApril 22, 2026

Seriali dokumentar i Netflix ka rikthyer në vëmendje jetën e Hulk Hogan, duke zbuluar detaje të forta nga periudhat më të vështira të tij, përfshirë edhe betejën me dhimbjet kronike dhe përdorimin e ilaçeve të fuqishme.

Në dokumentarin “Hulk Hogan: Real American”, që përmban edhe intervistën e tij të fundit para ndarjes nga jeta në korrik 2025 si pasojë e një ataku në zemër, ish-ylli i mundjes rrëfen hapur varësinë nga fentanili. Ai tregon se pas divorcit nga Linda Hogan në vitin 2009, u përball me një periudhë të vështirë si emocionalisht ashtu edhe financiarisht.

Gjatë kohës që ishte nën kontratë me organizatën TNA (Total Nonstop Action Wrestling), Hogan pranoi se nuk ishte më në gjendje të performonte në nivelin e kërkuar për shkak të problemeve serioze shëndetësore. Dhimbjet e vazhdueshme e shtynë drejt përdorimit të fentanilit, një nga qetësuesit më të fortë në qarkullim.

Në rrëfimin e tij, ai përshkruan doza ekstreme që merrte çdo ditë, duke habitur edhe profesionistët e shëndetit. “Farmacisti më tha se nuk kishte parë kurrë një njeri të marrë kaq shumë”, tregon Hogan, duke theksuar rrezikun e madh që përbënin këto nivele.

Ai shtoi se dhimbjet ishin aq intensive sa nuk arrinte as të shtrihej, duke kaluar net të tëra në një karrige. Dalja e tij e fundit në ring ishte në vitin 2012, ndërsa një vit më pas u largua përfundimisht nga TNA, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.