Kujtim ish ky, a s’ish kujtim?

Të hënën e 6 tetorit 2025 qarkulloi në gazeta dhe rrjete sociale lajmi se Instituti Parlamentar, organ i Kuvendit të Shqipërisë, kishte shpërndarë mes deputetëve të Kuvendit listën me personalitetet e shquara të muajit tetor. Mes tyre përkujtohej edhe Enver Hoxha, ish-diktatori i Shqipërisë që prej fundit të Luftës II Botërore, deri në vdekjen e tij (11 prill 1985). Sikundër e kujton qartë cilido nga shqiptarët e Shqipërisë që ka qenë nxënës para vitit 1992, diktatori ka lindur më 16 tetor 1908. Dikur muaji tetor dhe ditëlindja e tij ishin sinonime të njëri-tjetrit, dhe figura e tij ishte pjesë e ceremonive përkujtimore-panegjirike anekënd vendit. Kur në Sheshin “Skënderbej” u ngrit shtatorja e tij dhe kur u çel Muzeu “Enver Hoxha” (më vonë “Piramida”, sot streha e qendrës TUMO), pelegrinazhi në atë muze dhe nderimi i përmendores ishin ritual i zakontë gjatë atyre pak viteve të Shqipërisë socialiste pas vdekjes së tij.
Pas kësaj, shoqëria civile dhe ca pak deputetë të Kuvendit reaguan duke shprehur qëndrimin e tyre kundër kësaj përkujtese. Kuvendi, nga ana tjetër, pas pyetjeve të gazetarëve, e anashkaloi sqarimin e tekstit të qarkulluar, duke e konsideruar thjesht “lapsus” të Institutit. Gabime bëjmë të gjithë, mirëpo, teksa gabimi i një burokrati, i hallkës më të ulët të administratës shtetërore, është lehtësisht i korrigjueshëm, sa lehtë mund të marrim gabimin e një “instituti”? Çdo fjalor etimologjik na thotë se emri “institut” vjen nga folja e latinishtes “instituĕre”, dhe do të thotë “me themelu”, “me instruktu”, “me rendit” (prej nga dhe “institucion”, pra, mjedis me themeli, komunitet me bazë të qëndrueshme).
Teksa janë të përligjura pritshmëritë që Kuvendi i Shqipërisë, ky institucion-taban i demokracisë, të veprojë si i tillë, shohim se tabani dhe themelia e tij mbeten në dorën e “specialistit” (sipas Kuvendit), të cilit s’duhet t’ia vëmë re lajthitjen. Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që shfajësimi i Kuvendit të jetë krejtësisht i vërtetë dhe lajthitja e specialistit krejt normale për gjininë njerëzore (propozim tangjent, ky, që të zëvendësohet edhe personeli administrativ i Kuvendit me nëpunës virtualë). Mirëpo, a përligjet vendosja e emrit të diktatorit në kalendarin e personaliteteve të Kuvendit të Shqipërisë me shpjegimi banal, se ishte lapsus?
Më 2006 dhe 2016 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dy rezoluta që dënojnë krimet e komunizmit dhe dekurajojnë përkujtimin panegjirik të shkaktarëve të atyre krimeve, domethënë, të udhëheqjes së lartë të shtetit njëpartiak. Këto rezoluta janë të frymëzuara nga rezoluta të mëhershme ndërkombëtare, nga ajo e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (2006) dhe nga “Deklarata e Pragës” (2008). Rezoluta e KE-së fton vendet e ish Bllokut të Lindjes të çmontojnë trashëgiminë komuniste përmes hulumtimit të krimeve dhe gjykimit të përgjegjësve. Kurse “Deklarata e Pragës” fton që krimet e komunizmit të konsiderohen dhe të vlerësohen njësoj me krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe me Holokaustin. Për të arritur këtë, shumica e vendeve që patën jetuar komunizmin miratuan dhe “Ligjin e Lustracionit”. Ndërsa në Shqipëri një ligj i tillë nuk hyri kurrë në fuqi, pasi, teksa Kuvendi e miratoi më 2009, ligjin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
Kthehemi tek figura historike që solli debatin, tek Enver Hoxha. Teksa gjatë periudhës së Shqipërisë socialiste kujtimi i tij u përjetësua në emërtesa institucionesh dhe përmes një mizërie bustesh në çdo institucion e në shumë sheshe të qyteteve të Shqipërisë, ky kujtim u kontestua dhe u largua nga qarkullimi me heqjen apo shembjen e busteve të tij, kudo ku ishin vendosur. Kundërshtimi arriti kulmin kur më 20 shkurt 1991 u shemb monumentit i tij në Sheshin “Skënderbej”. Kronologjikisht, data tjetër më e rëndësishme në vijimësinë e çmontimit të kujtimit të tij është data 13 shkurt 1995, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me Dekretin nr. 1018, i hoqi të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit Hoxhës dhe 7 personave të tjerë (Nexhmije Hoxha, Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Spiro Koleka, Haki Toska, Haxhi Lleshi, figura 1 dhe 2). Madje, në dekret përmendet edhe motivi: për aktin kriminal të gjenocidit ushtruar ndaj popullit shqiptar. Teknikisht, rezolutat apo deklaratat, vendase apo ndërkombëtare, të cilat i ka pranuar edhe Shqipëria, janë thjesht premtime të nivelit moral, jo detyrime ligjore për zbatim. Ndaj dhe dekreti i mësipërm i Presidentit përbën akt ligjor që kontribuon në mënyrë të rëndësishme për çrrënjosjen e kujtimit të ish-diktatorit. Mirëpo, ky dekret ka një “problem” fare të vogël: nuk është botuar kurrë në asnjë Fletore Zyrtare!

Sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në kohën e Dekretit të mësipërm dhe sot, çdo ligj, dekret, vendim, etj., duhet të botohet të Fletoren Zyrtare, në mënyrë që të marrë vlerë ligjore. Për të gjetur referencën e Fletores Zyrtare, në funksion të këtij artikulli, shqyrtuam lëndën e Fletoreve Zyrtare të shtypura (1995-1999) dhe ato që ndodhen on-line në faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare (2000 e mbrapa). Për habi, dekreti i mësipërm i Presidentit nuk gjendet në asnjë numër të Fletores Zyrtare që prej vitit 1995, deri më sot, tetor 2025. Çfarë do të thotë se, referuar ligjeve dhe rregullave të vendit, kur ligji, dekreti, vendimi, etj., nuk botohet në Fletoren Zyrtare, ai NUK KA VLERË JURIDIKE. Pra, është njësoj si të mos ekzistonte.

Për fat të mirë, ky dekret u bë i njohur më 2017 nën titullin e zakontë bombastik të gazetave të Shqipërisë: “Publikohet dekreti i Berishës”. Siç njofton gazeta, dekretin e pati publikuar në Facebook drejtori (i asokohshëm) i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, z. Agron Tufa. Ca vite më vonë, më 2023, ish presidenti Berisha shërben përmes rrjeteve sociale të njëjtat imazhe të dekretit me të njëjtin qëllim: për të provuar se ai është çdekoruesi i Enver Hoxhës. Mirëpo, teksa nuk ka vlerë ligjore, vallë, çdekorim është ky, a s’është çdekorim? Matanë deklaratave në figurë dhe zë, kur vjen çasti për të verifikuar qëndrimet e njëmendta të institucioneve, në të shkuarën e afërt dhe të sotshmen, shohim, fatkeqësisht, se askush s’e ka seriozisht qëndrimin ndaj ish diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxhës.
Pavarësisht rezolutave që përmendëm, siç dëften dhe rasti i tanivonë i Institutit Parlamentar, kujtesa e komunizmit dhe kujtesa e ish diktatorit vijon të mbetet e gjallë në Shqipëri jo si shembull për të mos u përsëritur, por si demonstrim i miopisë dhe i mosdëshirës për të vështruar matanë realitetit hileqar. Kuvendi ka miratuar rezoluta, por edhe ka mbështetur me ligj institucione që kanë detyrë të merren me hulumtimin dhe zbardhjen e krimeve të komunizmit. Se çfarë do të ndodhë më pas me krimet që zbardhen, askush s’e di. Po ashtu, ish Presidenti ka nënshkruar dekret çdekorimi dhe dënimi (moral), por s’e ka kthyer në akt të ligjshëm të Republikës. Njëkohësisht, kemi parë se si ish muzeu i diktatorit u restaurua dhe u shndërrua në një përmasë betoni e shkurresh kaotike, duke iu mbivendosur dhunshëm estetikës arkitekturore të ndërtesës fillestare, por asgjë në të nuk shpjegon arsyen e deledashit TUMO. Ca më tutje, vila në të cilën banoi diktatori vitet e fundit të jetës, deri në vdekjen e tij, u kthye në qendër arti e kulture. Për këtë pagëzim mjaftoi thjesht një ceremoni e ngjashme me ankandet e artit modern. Teksa përurohej Vila 31 si qendër arti, një fragment ndërtese në ish kampin-burg të Spaçit u tjetërsua pa arsye, pa studim, pa vendim, thjesht mbështetur në një marrëveshje verbale. Në asnjërën prej ndërtesave të mësipërme, tek Piramida dhe Vila 31, nuk ka një qëndrim të qartë rreth funksionit të mëhershëm të tyre, dhe këtij të tanishmit, as me tekst, as me gjuhë artistike. Në të dy rastet mungon reflektimi serioz dhe i besueshëm. Çfarë do të thotë se ndryshimi i funksionit të tyre nuk synon të ndryshojë diçka përmes aktit të ndryshimit në vetvete, ky akt është njësoj me atë që kryen qiraxhiu kur hyn në shtëpinë e radhës: e lyen, e pastron, e bën gati për të banuar, dhe hyn në të. Por ajo banesë nuk është pronë e tij, ajo banesë ka një pronar fizik, si dhe një pronar moral, që mund të jenë i njëjti a të ndryshëm. Në të dy rastet, pronari i përhershëm i dy ndërtesave që përmendim ka qenë dhe është shteti. E teksa shteti nuk distancohet qartë nga pronari i mëparshëm moral, personi historik dhe njeriu Enver Hoxha, vetvetiu është shkrirë me të. Emrat ndryshojnë, mendësia dhe morali mbetet i njëjtë.
Teksa shkruajmë këto radhë, për asnjë nga vendet e kujtesës së krimeve të komunizmit nuk është treguar kurrë seriozitet, vëmendje dhe investim i ngjashëm. Teksa shkruajmë këto radhë ka ende familjarë që nuk kanë gjetur trupat e vrarë nga regjimi diktatorial. Megjithatë, shkaktari i krimeve të evidentuara dhe të jetuara (një pjesë e krimeve varrosur bashkë me viktimat) vijon të kujtohet me nderim nga Kuvendi ynë.