Thu, Oct 23, 2025

Kur salla e gjyqit kthehet në vend krimi

  • PublishedOctober 23, 2025

AV.REDI RAMAJ

Ngjarjet e ditëve të fundit, vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe arrestimi në sallën e gjyqit i avokatit Uljan Barjami kanë tronditur opinionin publik dhe kanë nxjerrë në dukje tensionet e brendshme që mbart sistemi i dobët të drejtësisë Shqiptare.

Dy episode të ndryshme në natyrë, por me një mesazh të përbashkët: institucionet e drejtësisë në Shqipëri janë jo vetëm në krizë të thellë morale, por kanë humbur misionin e tyre të shenjtë, dhënien e drejtësisë.

Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është thjesht një akt i dhunshëm kriminal që dënohet nga çdokush. Është tregues ulëritës për gjendjen e pasigurisë së funksionarëve të drejtësisë, të cilët ndonëse duhet të jenë të mbrojtur, shpesh veprojnë në kushte frike dhe pasigurie, që sjell si pasojë mungesë pavarësie dhe paanshmërie. Kjo ngjarje vë në pikëpyetje efikasitetin e institucioneve të sigurisë, por mbi të gjitha tregon një humbje të autoritetit të drejtësisë në sytë e qytetarëve.

Ngjarja e dytë, arrestimi i avokatit Uljan Barjami brenda sallës së gjyqit, ka ndezur një debat të fortë dhe të vonuar për raportin midis autoritetit të gjykatës dhe pavarësisë së mbrojtjes brenda një procesi gjyqësor. Salla e gjyqit është hapësirë ku përplasen argumente, jo ku ndëshkohet fjala e lirë e profesionistit që mbron një qytetar të akuzuar. Arrestimi i një avokati në ushtrim të detyrës, pavarësisht rrethanave procedurale, ngre pyetje serioze për respektimin e rolit të mbrojtësit në procesin penal dhe për kufijtë e pushtetit gjyqësor. Avokati në një proces gjyqësor është garancia që qytetarët kanë se do respektohen, jo vetëm të drejtat procedurale që parashikon ligji penal, por edhe liritë e të drejtat themelore të njeriut që parashikon Kushtetuta e RSH. Nuk u arrestua një avokat, por u godit ajo çfarë përfaqëson mbrojtësi ligjor në një proces gjyqësor.

Në një shoqëri ku vendimet gjyqësore shihen me dyshim dhe ndonjëherë lënë për të dëshiruar, ku çdo gjyqtar përmendet me etiketimet “i kapur” apo “i lidhur”, dhuna ndaj gjyqtarëve bëhet pasojë e një perceptimi të deformuar për drejtësinë jo më si institucion ku jepet drejtësi, por si vend ku vetëm “të fortët ja dalin”. Kush tjetër veç politikës mund t’i japë zë dhe ta çojë këtë perceptim në ekstrem?!

Që prej krijimit të shtetit shqiptar, politika ka bërë përpjekjet të vazhdueshme për të dominuar pushtetin gjyqësor. Më e theksuar kjo mbas vitit 1945, ku “drejtësia popullore” komandohej dhe urdhërohej nga një grusht njerëzish. As me ndryshimin e regjimit mbas viteve ‘90 dhe me miratimin e Kushtetutës së RSH në vitin 1998, situata nuk ndryshoi shumë. Drejtësia e këtyre viteve nuk demonstroi integritet dhe pavarësi, nuk ngjalli besimin e qytetareve, por lëvizi skutave të errëta të politikës për interesa të ulëta, që dëmtuan rëndë gjyqësorin. Pasojat e këtyre sjelljeve i ndiejmë edhe sot.

Në këtë realitet, drejtësia rrezikon të mos jetë më garant i rendit ligjor, por arenë akumulimi tensionesh politike dhe sociale të vendit.

Kur gjykatat kthehen në skena spektaklesh dhe jo kuvende të drejtësisë, vetë shteti ligjor zhduket. Tragjedia e gjyqtarit Kalaja dhe arrestimi i avokat Barjamit duhet të shërbejnë si pikë kthese dhe reflektimi i thellë shoqëror dhe institucional, sidomos nga ato organe që qeverisin gjyqësorin, për të rikthyer dinjitetin e profesionit ligjor dhe sigurinë e ushtrimit të funksioneve të drejtësisë. Nga politika duhet pritur pak, pasi ajo ka treguar gjithmonë se kur ndërhyn në gjyqësor, më shumë dëmton sesa ndreq.

Vetëm profesionistët e së drejtës, gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë duke u bërë bashkë mund ta nxjerrin drejtësinë shqiptare nga kjo baltë ku gjendet sot, të prirur nga ndjenja e shenjtë e drejtësisë./Gazeta Panorama