Deputetja e PS: Ligji nuk ndryshon gjininë dhe as ndërhyn në jetën private, mos keqinformoni! Promovon vetëm barazinë gjinore, sipas standardeve të BE
Gjatë diskutimeve për projektligjin e barazisë gjinore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, pati debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Socialistët këmbëngulin se ky ligj nuk do ndryshojë gjininë burrë grua, por flet vetëm për barazinë gjinore në çdo fushë të jetës mes gruas dhe burrit apo për kuotat dhe pagesat.
Kurse ligjvënësit e opozitës thanë se shumica po tenton të godasë familjen nëpërmjet parcaktimeve femër mashkull në këtë ligj.
Deputetja dhe njëkohësisht nënkryetarja e Parlamentit, socialistja Klodiana Spahiu, kërkoi që të mos dezinformohej dhe spekulohej me termat, sepse propozimet e bëra nga mazhoranca nuk prekin aspak familjen, gjininë apo biologjinë. Madje ajo u shpreh se ishin të vonuar me 5 vite për kalimin e këtij ligji.
Çfarë tha deputetja Klodiana Spahiu në Komision:
“Ligji nuk ndryshon gjininë, nuk ndryshon termat, nuk ndërhyn në biologji, nuk ndryshon termat babë, nënë. Ky ligj nuk ka lidhje me kuotat e tjera përveç kuotave për burrat dhe gratë, vajzat, që u është mohuar barazia gjinore, dhe kjo duhet të integrohet në kurikula e ta nxisim më tepër. Nuk ndërhyn në jetën private e familjare, por në vlerën e punës së papaguar dhe kujdesit.
Promovon barazinë gjinore dhe luftën kundër stereotipeve, krijon barazinë gjinore. Nuk mbivendoset me ligjin e vitit 2010 për mbrojtjen nga diskriminimi. Ndaj kërkoj t’i bëjmë stop dezinformimeve, keqinformimeve dhe spekulimeve, nuk them se janë bërë me dashje. Dhe jemi 5 vite me vonesë për miratimin e këtij projektligji. Nuk ka lidhje me konceptet, por me barazinë. Nuk fokusohet vetëm në sferën publike, por edhe në atë private, standard me ligjet e BE-së, trajtim dhe përfaqësim i barabartë”.
- Shqyrtimi i Projektligjit “Për barazinë gjinore”;
- Shqyrtimi i Projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998,“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
- Seancë dëgjimore për Kre të Misionit Diplomatik me z. Ermal Dredha, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, në Konfederatën e Zvicrës, rezident dhe Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtensheinit, jo rezident.
