“Unë votoj edhe në Amerikë”/ Robert Berisha flet pas votimit në Prishtinë
Këngëtari Robert Berisha, ishte ndër qytetarët që sot kanë marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahen në 18 komuna. Ai u paraqit në vendvotim i shoqëruar nga vajza e tij, Rene, duke vënë theksin mbi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare. Pas votimit, Berisha dha një prononcim për RTV Dukagjini, ku tha se shpreson që ky të jetë procesi i fundit zgjedhor për këtë cikël.
“Po, është hera e dytë që po vij me votu. Shpresoj që s’bohet e treta, s’na vjen puna më,” u shpreh ai me humor, duke shtuar se procesi shkoi shpejt dhe pa vonesa.
Roberti theksoi se votimi nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një kulturë qytetare që duhet të përcillet brez pas brezi.
“Kulturë është me votu. Unë votoj edhe në Amerikë, edhe këtu. Atje të qortojnë nëse nuk voton. Edhe në sistem ju del gjithçka kur të shkon me nxjerr një pasaportë, shohin nëse ke votuar apo jo,” tha ai, duke bërë thirrje që edhe të tjerët të mos qëndrojnë pasivë.
Në vazhdim të deklaratës së tij, këngëtari preku edhe disa nga çështjet me të cilat përballet kryeqyteti, duke veçuar trafikun si një nga problemet më të mëdha të Prishtinës. Megjithatë, ai u shpreh optimist për zhvillimet e ardhshme.
“Besoj që do të ketë përmirësime. Vetëm duhet durim dhe punë,” theksoi Berisha.
