Thu, Nov 13, 2025

Paola Sula themelon Fondacionin për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve “Anakin Pet Rescue”

  • PublishedNovember 13, 2025

Në një realitet ku shpesh mungon ndjeshmëria, historia e një çifti të ri që ka zgjedhur të luftojë për ata që nuk kanë zë është frymëzuese.

Paola Sula dhe bashkëshorti i saj italian, Matteo Canova, janë shembulli më i bukur i dashurisë që shndërrohet në veprim, në mision dhe në përkushtim të vërtetë.

Pas më shumë se një dekade jete në Zvicër, ata u kthyen në Shqipëri me një qëllim të qartë: të ndihmojnë dhe të shpëtojnë kafshët endacake, duke ngritur një standard të ri për kujdesin, mirëqenien dhe respektin ndaj tyre.

Kështu lindi Fondacioni “Anakin Pet Rescue”, një organizatë jofitimprurëse që tashmë ka fituar zemrat dhe respektin e qindra qytetarëve.

Paola, ju falënderojmë për këtë intervistë. Si lindi ideja e “Anakin Pet Rescue” dhe çfarë ju shtyu ta ktheni në mision jetësor?

Faleminderit juve për vëmendjen! “Anakin Pet Rescue” lindi nga një ndjenjë e thellë dashurie dhe përgjegjësie për jetën. Kur u kthyem në Shqipëri pas 11 vitesh në Zvicër, pamë një realitet që na tronditi. Kudo shikonim shumë kafshë endacake të lënduara, të uritura, pa kujdes dhe pa strehë.

Në fillim ishte një nismë personale: ndihmonim vetë, strehonim, ushqenim dhe trajtonim kafshët. Por kuptuam se nevojat ishin shumë më të mëdha dhe duhej vepruar në mënyrë të organizuar. Kështu lindi fondacioni, që sot ka një ekip vullnetarësh, bashkëpunime me institucione dhe një mision të qartë: të mbrojmë dhe të përmirësojmë jetën e çdo kafshe në Shqipëri.

Ju dhe bashkëshorti juaj Matteo përshkruheni si një çift ideal që mbështet njëri-tjetrin në çdo hap. Sa ka ndikuar kjo marrëdhënie në suksesin e nismës tuaj?

Shumë. Matteo është bashkëthemelues i vërtetë i fondacionit. Ai është gjithmonë aty – në terren, në organizim, në çdo vendim. Pa përkushtimin dhe mbështetjen e tij, nuk do ta kishim arritur këtë.

Ne jemi partnerë në çdo kuptim të fjalës dhe kjo nismë është një pjesë e dashurisë sonë për jetën. Besoj fort se kur dashuria dhe përgjegjësia bashkohen, mund të ndryshosh botën – edhe në një hap të vogël.

Cilat janë objektivat kryesore të “Anakin Pet Rescue” dhe si do t’i arrini ato?

Objektivi ynë është i thjeshtë, por i madh: të krijojmë një Shqipëri më humane për kafshët.

Kjo përfshin disa hapa konkretë:

Fushata sensibilizuese në shkolla për edukimin e brezave të rinj;
Trajnime me veterinerë për menaxhimin e rasteve emergjente;
Fushata për adoptim dhe sterilizim masiv;
Bashkëpunime me organizata vendase dhe ndërkombëtare për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm ligjor;
Misione humanitare dhe ambientale që forcojnë respektin për çdo qenie të gjallë.
Ne synojmë që në Shqipëri të zbatohet një model i ngjashëm me atë të Gjermanisë, ku mbrojtja e kafshëve është pjesë e kulturës dhe ligjit.

Në eventin e inaugurimit të fondacionit morën pjesë shumë dashamirës të kauzës tuaj. Si e përjetuat këtë moment?

Ishte dhe do të mbetet një ditë e paharrueshme. Të shihje aq shumë njerëz që ndanin të njëjtin pasion për mbrojtjen e kafshëve, ishte emocionuese.

Në event prezantuam misionin tonë, projektet për të ardhmen dhe organizuam aktivitetin e parë për mbledhje fondesh. Ndjeva se puna jonë kishte prekur zemrat e shumë njerëzve. Ishte si një premtim i përbashkët për të ndërtuar një vend më të mirë.

Më 14 nëntor pritet të zhvillohet një seminar falas për “Ndihmën e parë për qentë dhe macet”. Na tregoni më shumë për këtë aktivitet. Ky seminar është një tjetër hap konkret i fondacionit. Do të zhvillohet në bashkëpunim me Ambasadën e Paqes Universale Shqipëri dhe me ekspertët e Canfel.

Pjesëmarrësit do të jenë policia bashkiake, zjarrfikësit, studentët e veterinarisë dhe vullnetarët që shpesh përballen me raste urgjente.

Qëllimi është të rrisim njohuritë praktike për mënyrën e ndërhyrjes në rastet emergjente, duke i mësuar njerëzit si të shpëtojnë jetë. Ky është thelbi i misionit tonë: një Shqipëri ku çdo kafshë ka të drejtën e kujdesit dhe dinjitetit – ashtu sikurse në çdo vend tjetër të BE-së, ku Shqipëria do të bëhet pjesë.

Cili është mendimi juaj për gjendjen aktuale të mbrojtjes së kafshëve në Shqipëri?

Kemi bërë përparim, por rruga është ende e gjatë. Po shohim ndryshime pozitive, si nisma e qytetarëve me 37 mijë firma që kërkojnë ndryshime në Kodin Penal për dënimin e dhunës ndaj kafshëve.

Kjo tregon se ndërgjegjësimi po rritet. Ne si fondacion jemi gati të bashkëpunojmë me autoritetet për zbatimin real të këtyre ligjeve. Kafshët nuk mund të flasin, ndaj ne duhet të jemi zëri i tyre. Në Evropë, si në Gjermani, braktisja e kafshëve dënohet rëndë dhe mirëqenia e tyre është pjesë e Kushtetutës. Si e imagjinoni Shqipërinë pas disa vitesh në këtë drejtim?

E imagjinoj si një vend ku fëmijët mësojnë që në bankat e shkollës të duan dhe respektojnë kafshët, ku çdo kafshë ka strehë dhe kujdes veterinar. Ëndrra ime është që pas disa vitesh të mos flasim më për “kafshë endacake”, por për miq me katër putra që janë pjesë e komunitetit tonë. Kjo është e mundur nëse punojmë me dashuri, edukim dhe ligje të drejta.

Si ka qenë reagimi i qytetarëve ndaj nismës tuaj?

Jashtëzakonisht pozitiv. Marrim mesazhe çdo ditë nga njerëz që duan të ndihmojnë, të adoptojnë apo të kontribuojnë. Kjo na jep forcë.

“Anakin Pet Rescue” nuk është thjesht një organizatë – është një familje e madhe dashurie dhe solidariteti. Çdo njeri që ndihmon, është pjesë e kësaj familjeje.

Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët e të gjitha moshave?

Do t’u thoja këtë: dashuria nuk njeh specie. Kafshët nuk flasin, por ndiejnë njësoj si ne. Mos prisni që dikush tjetër të bëjë ndryshimin – bëjeni ju. Një vepër e vogël dashurie mund t’i shpëtojë jetën një krijese të pafjalë. Le të jemi ne zëri dhe mburoja e tyre.

Epilog

Historia e Paola Sulës dhe Matteo Canovës është më shumë se një nismë për mbrojtjen e kafshëve – është një thirrje për njerëzimin.

Përmes Fondacionit “Anakin Pet Rescue”, ata po ndërtojnë një model të ri përgjegjësie dhe empatie, duke na kujtuar se qytetaria e vërtetë matet me mënyrën si sillemi me më të dobëtit.

Në një Shqipëri që po ndryshon, ky çift frymëzues na tregon se mirësia është forca më e madhe e evolucionit njerëzor.