Poezia në letërsinë shqipe ka tanimë… “Princin” e saj, Thimi Gogo vjen me librin e tij të parë ‘’Princi i Melankolisë’’
Në çdo varg të këtij libri, melankolia nuk është thjesht një hije që ndjek poetin, por një ‘mbretëri’ e tërë ku ai ecën si ‘princ i heshtur’, i veshur me dritë të zbehtë dhe kujtime që marrin formë vargjesh.
“Princi i Melankolisë” është një udhëtim i brendshëm, një hartë emocionale e shpirtit njerëzor, ku dhimbja, ëndrrat, mungesat dhe zbulesat shkrihen në një poezi që flet butë, por mbërrin thellë.
Çdo poezi është si një dritare e vogël nga e cila hyn një rreze e trazuar e së kaluarës, një frymë e qetë e së tashmes apo një pritje e pashprehur për të ardhmen. Poeti i këtij vëllimi nuk kërkon të tregojë histori të mëdha; ai kërkon të zbulojë të pathënat e zemrës, ato pulsa të brishta që zakonisht mbesin nën sipërfaqe. Melankolia këtu s’është plogështi, por një mënyrë e tjetër e të parit të botës.
Nëpërmjet vargut të lirë, një gjuhe të kthjellët, të ngrohtë dhe shpesh të derdhur si pëshpërimë, ky libër fton lexuesin të ndalet, të marrë frymë, të shikojë brenda vetes. Poezitë e tij flasin për lëndime që rritin, për dashuri që formësojnë, për vetmi që shndritin shpirtin, dhe mbi të gjitha, për fuqinë e brishtë të njeriut për t’u ngritur edhe kur pesha e botës duket e rëndë.
‘’Princi i Melankolisë’’ është prezantuar së fundmi edhe në Panairin e Librit 2025 ku autori Thimi Gogo gjeti shumë mbështetje dhe solidaritet si nga poetët e rinj ashtu dhe nga autorë të vjetër. Në këtë intervistë ai na rrëfen më shumë mbi përjetimet e tij, që nga momenti kur nisi të shkruajë vargjet e para e deri kur libri gjeti dritën e botimit nga Botimet M&B.
Pse ky titull, dhe kujt ja dedikoni këtë libër?
“Princi” është alteregoja ime. Në jetën e përditshme jam një njeri shumë ekstrovert dhe i shoqërueshëm, por në raste specifike, kur egoja ime ndihet e lënduar dhe ndihem jo i respektuar shpërfaqet alteregoja ime. Poezitë e shkruara në këtë gjendje janë shumë të rralla në këtë libër, por janë therëse dhe shumë përfaqësuese, shenjë revolte ndaj rebelimin që të gjithë ne ndjejmë shpeshherë. Melankolia është gjendja emotive në të cilën ndjehem shumicën e kohës… Libri i dedikohet qenies që më solli në botë dhe që vazhdon më risjell në jetë në çdo moment të vështirë e delikat të jetës sime: nënës sime.
Në cilën moshë ke nisur të shkruash poezi për herë të parë?
E kam nisur me prozë. Me citate dhe aforizma në moshën 13 vjeçare. Poezia ka ardhur e fundit, por çuditërisht ishte e para që pa dritën e botimit.
Si do ta përshkruanit librin tuaj në një fjali të vetme për dikë që nuk e ka lexuar ende?
Kjo vepër, edhe pse e trishtë, është një letër dashurie ndaj botës, ndaj vetes, ndaj të gjithë njerëzve.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar poezi?
Realiteti, dashuritë e humbura… ndërveprimi i përditshëm me njerëzit… Realiteti e tejkalon shumëfish fiksionin, edhe pse besohet e kundërta.
Cili është mesazhi që kërkon të përcjellësh përmes këtij libri?
Çdo shpirt njerëzor është unik, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, ja përse meriton të shihet, të preket, të adhurohet, të dëgjohet…. TË DUHET!
Cila ishte sfida apo vështirësia më e madhe që hasët për të nxjerrë këtë libër në treg?
Gjetja e një shtëpie botuese që të arrinte ta botonte librin para Panairit. Lista e pritjes ishte shumë e gjatë. Nuk isha i informuar për kohët e nevojshme për botim… Kostot nuk janë të papërfillshme dhe do të doja të kishte më shumë mbështetje për autorët e tij, si në aspektin financiar dhe atë moral. Promovimi dhe vlerësimi në konkurse të ndryshme është një stimul shumë i madh për vijimin e krijimtarisë. Megjithatë janë bërë hapa të rëndësishëm nga institucionet së fundmi. Kjo vepër ishte finaliste e Fondit Letrar për të Rinj organizuar nga QKKL, pjesë e Ministrisë së Kulturës, por për shkak të ngutjes së botimit shpenzimet u financuan nga unë. Jam shpresëplotë që në vazhdim do të kem më shumë mbështetje dhe suport. Artistët dhe autorët e rinj që e kanë dhënë dëshminë e talentit të tyre nëpërmjet çmimeve të marra në konkurse, meritojnë mbështetje dhe promovim. Institucionet janë duke bërë një punë të mirë, por është ndoshta edhe çështje qasjeje dhe mentaliteti. Shtëpitë e mëdha botuese synojnë autorët në zë, ose personazhet publike sepse emri i tyre “shet” (dhe kjo është e drejtë, sepse çdo ndërmarrje nënkupton nxjerrjen e kostove dhe fitimin) por nga ana tjetër janë autorët e rinj… talente premtuese që kanë nevojë për mbështetje dhe promovim.
Si shkuan ditët e panairit, ku libri juaj ishte ndër botimet më të reja të këtij viti?
Atmosfera e panairit ishte shumë e bukur. Pata mundësi të takohem dhe bashkëbisedoj me botues dhe autorë të rinj. Më surprizoi solidariteti dhe sportiviteti i autorëve të rinj në mbështetje të njëri-tjetrit. Letrarët e rinj janë një rreth shumë i këndshëm e plot botë. Meritojnë të gjithë më shumë vlerësim dhe vëmendje!
Si ndiheni tani që libri juaj i parë është zyrtarisht në duart tuaja dhe të lexuesve?
Është një ndjesi e çuditshme… Poezia është një zhanër le të themi pak “elitar” dhe nuk konsumohet në mënyrë të rregullt siç mund të jetë një roman, që të mban gozhduar nga subjekti dhe stili i autorit… Kam marrë komente, dhe jam i lumtur për të gjitha ato, por mendoj se një vepër në momentin që botohet është nuk më e autorit, por një e mirë publike, që është në dorën e publikut ta vlerësojë, ta çmojë apo edhe ta përbuzë dhe përçmojë…
Cili ka qenë reagimi apo komenti më domethënës që keni marrë deri tani?
Komenti më i bukur ka qenë nga nëna ime, e cila më tha: “Sa figuracion i dendur! Këto nuk janë poezi për të gjithë! Ti shkruan si Kadareja”. Qesha me shpirt kur ma tha, dhe e përqafova fort. Ajo nuk është njohëse e mirëfilltë e poezisë, dhe sigurisht që në fjalët e saj është krenaria e verbër qe çdo nënë ka për fëmijën e vet, por megjithatë mesazhi që mora nga ato fjalë ishte komplimenti më i madh që dikush mund të më bënte.

Çfarë këshille do t’i jepnit të rinjve të tjerë që kanë në plan të botojnë një libër?”
Mos hiqni kurrë dorë nga ëndrrat tuaja. Suksesi është thjesht çështje besimi dhe pune të pareshtur.
Shkrimtari apo poeti juaj i preferuar cili është?
Ka shumë autorë që dua pafundësisht, të stileve, epokave dhe rrymave të ndryshme letrare. Por një vend të veçantë në zemrën time zënë ekzistencialistët: Kafka, Kamy, Beket, Sartri… (kjo mund t’ju bëjë të kuptoni shumë për zgjedhjen e titullit..). Doni të dini edhe librin tim të preferuar? Këtë nuk jua them(qesh)! Ta ndajmë në një moment tjetër.
Tani që libri i parë është botuar, a keni në plan një projekt të ri?
Ky botim ka nxitur një frymëzim të ri tek unë. Nuk dua të zbuloj detaje por ajo që mund të them është që “Princi..” sapo ka nisur rrugëtimin në zemrën e lexuesve! A jeni ju gati të bëheni pjesë e magjisë së përjetimit…?
